POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Rikrijohet grupi mbështetës për 
​Shqipërinë në Senatin amerikan

Dita e dytë e vizitës së ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në Washington u shënua nga rikrijimi i grupit mbështetës për çështjet shqiptare në Senatin amerikan (Senate Albanian Issues Caucus).

Lajmi u bë i ditur në vazhdën e takimeve që Ministri Bushati pati me bashkëdrejtuesit e grupit, Senatorët Gary Peters nga Michigan dhe Joni Ernst nga Iowa. 

Grupi mbështetës për çështjet shqiptare në Senatin amerikan përbëhet nga një grup senatorësh Republikanë dhe Demokratë dhe do të ketë rol kryesor mbështetjen, promovimin dhe favorizimin e dialogut në Senatin Amerikan mbi Shqipërinë dhe çështjet thelbësore, jo vetëm të komunitetit Shqiptaro-Amerikan por edhe të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.
 
“Shqipëria është një aleate kyçe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një anëtare e vlerësuar e komunitetit ndërkombëtar e cila është e angazhuar në konsolidimin e demokracisë dhe zbatimin e reformave kyçe" u shpreh Senatori Peters gjatë takimit me Ministrin Bushati. 

Bashkëbiseduesit u ndalën mbi ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në vendin tonë si dhe mbi peshën specifike dhe kontributin e posaçëm ekonomik dhe kulturor të komunitetit shqiptaro-amerikan në shtetin e Michigan-it.

"Mezi pres të bashkëpunoj me senatoren Joni Ernst për të konsoliduar lidhjet e thella midis popullit amerikan dhe atij shqiptar si dhe për të mbështetur aspiratat dhe të drejtat e shqiptarëve në vendet e Ballkanit", theksoi senatori Peters.

Në takimin me bashkëdrejtuesen e grupit, senatoren Republikane Joni Ernst, Ministri Bushati theksoi rëndësinë e thellimit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA -ve në kuadër të legjislaturës së re të Kongresit amerikan. 

Senatorja Ernst nënvizoi peshën specifike të marrëdhënies shqiptaro-amerikane në Europën Jug-Lindore dhe vlerësoi arritjet e përbashkëta në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe perspektivës euro-atlantike të mbarë rajonit.

Zonja Ernst u angazhua se bashkërisht me senatorin Peters do të vepronte në funksion të arritjes së objektivave të dy vendeve aleate, në përballimin e rreziqeve të përbashkëta dhe promovimin e interesave dhe vlerave tona euro-atlantike. 

Njoftimi për rikrijimin e grupit mbështetës të Shqipërisë në Senatin amerikan:
Washington D.C. - Senatorët e SHBA Gary Peters dhe Joni Ernst njoftuan sot se do të rilançojnë Grupin Parlamentar të Senatit për Çështjet Shqiptare. Peters dhe Ernst, të cilët do të shërbejnë si bashkë-kryetarët të grupit parlamentar, gjithashtu u takuan sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati. Grupi Parlamentar i Senatit për Çështjet Shqiptare do të ndihmojë për të lehtësuar dialogun mbi çështjet kritike me të cilat përballet komunitetit shqiptaro-amerikan dhe shtetet në Europën Juglindore me popullsi të konsiderueshme shqiptare.

“Shqipëria është një aleat kyç i Amerikës dhe një anëtare e vlerësuar e komunitetit ndërkombëtar, e angazhuar për përparimin e demokracisë dhe miratimin e reformave kritike. Ndjehem krenar që përfaqësoj një nga popullsitë më të mëdha të shqiptaro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Kontributet e tyre të mëdha për ekonominë  dhe kulturën e Michiganit janë një testament krenarie për shqiptaro-amerikanët në trashëgiminë e tyre”, u shpreh senatori Peters.

“Unë pres të punojmë me senatorin Ernst për të riafirmuar lidhjet e thella që ekzistojnë  ndërmjet popullit amerikan dhe popullit shqiptar dhe të mbështesim të drejtat demokratike të shqiptarëve në vendet e Ballkanit”. 

“Është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet tona me aleatët tanë në Europën Juglindore”, theksoi senatori Ernst. “Ishte e mrekullueshme të takoja sot Ministrin Bushati, dhe si bashkë-kryetar i Grupit Parlamentar të Senatit për Çështjet Shqiptare së bashku me senatorin Peters, pres për diskutime të mëtejshme në lidhje me mënyrën se si ne mund të mbështesim më së miri avancimin e objektivave tona të përbashkëta dhe interesave reciproke”.

Vitin e kaluar, senatori Peters u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Washington DC, biseduan marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe evidentuan kontributet e rëndësishme të shqiptaro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara. Në Kongresin e 114-të, senatori Peters ishte bashkë-kryetar në Grupin Parlamentar të Senatit për Çështjet Shqiptare me ish-senatorin Mark Kirk.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com