POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Rishikimi i kufijve, opozita dhe pozita në Kosovë kërkojnë konsensus para takimit në Bruksel

Hashim Thaçi, Mogerini dhe Vuçiç

Përfaqësues të partive opozitare, por edhe ata të shoqërisë civile po kërkojnë konsensus politik para takimit mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, i cili do të mbahet më 7 shtator të këtij viti në Bruksel, shkruan "Zëri".

Subjektet opozitare dhe ato nga pozita janë shprehur pro konsensusit politik para takimit të ardhshëm në Bruksel mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, i cili pritet të mbahet më 7 shtator.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi ka thënë se subjektet opozitare bashkë me pozitën janë të bashkuar në kundërshtim të idesë për shkëmbim të territoreve, e cila pritet të diskutohet në Bruksel.

“Tashmë është publike që opozita dhe një pjesë e pozitës janë kundër takimit e sidomos kundër temës për të cilën atje po shkon të flasë presidenti i vendit. Jemi komplet kundër, e kemi përgatitur rezolutën për ta dërguar në Kuvend më 4 shtator, besoj që do të aprovohet, që i ndalohet kujtdo qoftë, edhe Hashim Thaçit, të flasë për territorin e Republikës së Kosovës, pasi kështu është edhe në Kushtetutën e vendit”, ka thënë ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u angazhua pak kohë më parë për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

SHBA dhe BE nuk e kanë kundërshtuar idenë, por kanë kërkuar mos cenonte stabilitetin e Ballkanit, ndërsa Gjermania dhe Britania janë pozicionuar kundër. Përsa i përket Shqipërisë, Rama mbështeti qëndrimin e BE, ndërsa Presidenti Meta doli kundër rishikimit të kufijve.

d.ba.
Komento