Romani ‘Viljevo’ i Luka Bekavac sjell brengën e Ballkanit në shqip

Romani ‘Viljevo’ i Luka Bekavac  sjell brengën e Ballkanit në shqip

Kopertina e librit 'Viljevo'

Romani “Viljevo” me autor Luka Bekavac  sapo ka dalë në dritën e  botimit nga shtëpia botuese “Pegi”. Mesazhi i këtij libri me pak fjalë do të përmblidhjet në një shprehje të vetme: Forca e shtypjes është në përpjesëtim të drejtë me forcën e rezistencës e me dëshirën për liri, në Kroaci a kudo. Kjo histori përgjimesh e lufte për mbijetesë, si dhe përpjekjesh  për ringritje, mund të jetë zhvilluar gjatë verës së vitit 1943, a kurdoherë. I përkthyer në shqip nga Ben Andoni ky roman vjen si pjesë e koleksionit të librave të botuar  falë ndihmës financiare të Komisionit Europian, në kuadër të programit Creative Europe.

Viljevo është një roman për kujtesën, traumën dhe ndërkomunikimin: një triptik me tri zëra, që lidh fort historiografinë, romanin modern dhe prozën e përpunuar me kujdes, në të cilën janë shtuar tekste jashtëletrare e teknike. Pjesa hyrëse e fton lexuesin të ndjekë arratinë e dy motrave në një të shkuar të çuditshme, në fshatin slloven me emrin Viljevo. Kohën dhe hapësirën e saktë nuk di ta thotë kurrkush, ashtu sikurse vite më vonë asnjeri nuk do të dijë të shpjegojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Në pjesën e dytë, të titulluar “Në pasmesnatë”, tregohet vijimësia e fatit të personazheve të pjesës së parë, shkruar në trajtën e një transkripti të copëzuar bisedash, plot me korrigjime, ku mes germave të ftohta ngrihen dyshimet e mëdha të boshtit të veprës. Ngjarjet e pjesës së tretë, që vendosen në Osijekun e vitit 1943, ndjekin zhurmat e një radiostacioni ilegal antifashist. Pengesat e mistershme teknike aq sa shpjegojnë tërësinë e veprës, aq edhe hapin rrugë të reja për interpretim.

Romani “Viljevo” është i vlerësuar edhe nga kritika. “Në romanin Viljevo, kategoria e kohë-hapësirës thërrmohet e bluhet në mes të fjalive, sekuencave binare dhe transkripteve të bisedave, shpeshherë fragmentare e të ndërprera me ca sekonda, duke krijuar një lloj të ri të letërsisë, që do ta bëjë lexuesin aktiv e të përfshirë në vepër.” Shkruan Marijo Glavaš. Ndërsa për Gordan Duhachek “Kjo është një histori krejtësisht e stilizuar (...). Bekavaci në këtë roman tregon zë të veçantë autorial, që kurrë nuk humbet vëmendjen e lexuesit në labirintet e historisë e të kujtesës.”   “Në këtë vepër me tematikë sa sllave, aq edhe botërore, lexuesit i është lënë në dorë çelësi i interpretimit, e ai duhet të gjejë të shkuarën e të zhbirojë në një kohë të pakohë.”, thotë Jagna Pogačnik

Autori Luka Bekavac, lindur në Osijek, Kroaci, në vitin 1976, është shkrimtar, përkthyes dhe teoricien letërsie. Ai jep mësim në Fakultetin e Shkencave Sociale në Zagreb dhe shkruan vazhdimisht artikuj për filozofinë, letërsinë e krahasuar dhe muzikën në gazeta e revista kulturore me emër. Romanet e tij, Drenje (2011) dhe Viljevo (2013), janë kandiduar për një sërë çmimesh kombëtare. Në vitin 2015, romani Viljevo u nderua me Çmimin Europian të Letërsisë për Kroacinë.

“Rojtari i fundit”, të ndiesh historinë amerikane nëpërmjet trazimeve të një shpirti
Romani “Rojtari i fundit”, në original “Le dernier gardien de Ellis Island” I : Gaëlle Josse, vjen në gjuhën shqipe. I përkthyer nga Lorena Dedja, ky roman i botuar nga “Pegi” me ndihmën financiare të Komisionit Europian, në kuadër të programit Creative Europe flet për një histori keqardhjeje që kthehet nga e kaluara për të kafshuar dorën e atij që e ka ushqyer, me dhëmbët e mprehur nga pendesa, humbja dhe vetmia. Ngjarjet vendosen në Nju Jork, në vitin 1954.

Edhe pesë ditë kanë mbetur para se qendra e Elis Ajlënd, nëpër të cilën kanë kaluar të gjithë imigrantët nga Evropa, që nga viti 1892, të mbyllet përfundimisht. Xhoni Miçëll, nëpunësi i fundit që ka mbetur në qendër, nis të mbajë një ditar. Ai ndjen nevojën të çlirohet nga disa kujtime, të cilat vijnë me dallgë, si valët e detit që përplasen pas ishullit të famshëm. Pak nga pak, na paraqiten personazhet kryesore të jetës së tij: dy gra, dy anije, dy keqardhje. Në njërën anë, Lizi, bashkëshortja e tij e dashur, dhe në anën tjetër, Nela, imigrantja nga Sardenja, me një të kaluar të çuditshme.

Fantazma të tjera shfaqen në këtë kohë rrëfimesh e kujtimesh: një anarchist italian, një shkrimtar hungerez, një shok fëmijëri në Bruklin, e shumë të tjerë. Për imigrantët polakë, çekë, italianë e hungarezë, Amerika qe Toka e Premtuar, por edhe një zhgjëndërr drejt së cilës u nisën të vetëdijshëm turravrap. Do pranohen apo jo në Amerikë: fati i tyre varej nga përgjigjet që jepnin në një pyetësor dhe nga vendimet e një nëpunësi. Edhe përë këtë roman nuk kanë munguar velerësimet e krtikës. 

“Duke përzier faktet e vërteta me ato të trilluara, autorja ka krijuar një tekst melankolik dhe drithërues.”, shkruan Livres Hebdo. Me stilin e saj të mprehtë dhe të mirëpeshuar, Gaëlle Josse na bën të kuptojmë dhe të ndiejmë një pjesëz të historisë amerikane, nëpërmjet trazimeve të një shpirti në mëshirë të demonëve të tij... Mjeshtëror dhe i domosdoshëm.  “Gaëlle Josse shkoi në Elis Ajlënd. Ajo ngjyros me ngjyra të buta e mjaft të ngrohta një gjeografi intime, kolektive, historinë e një njeriu të përzier me atë të mijëra të tjerëve.” shkruan Élise Lépine, Transfuse. Autorja Gaëlle Josse e ka nisur veprimtarinë e saj letrare si poete dhe më pas ka botuar katër romane. Secili prej tyre ka fituar disa çmime, duke përfshirë këtu edhe Çmimin Alain-Fournier më 2013 dhe Çmimin Europian të Letërsisë, me romanin “Rojtari i fundit” në vitin 2015.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Dhunoi të dashurën kur ishte pjesë e Partizanit, sulmuesi përfiton nga amnistia penale dhe del nga burgu! Rikthehet në ekip

Dhunoi të dashurën kur ishte pjesë e Partizanit, sulmuesi përfiton nga amnistia penale dhe del nga burgu! Rikthehet në ekip