Rrahja

Rrahja

Megjithse piruni s'kishte arsye ta bënte vezën të vuante, dhe vetë veza s'kishte bërë asnjë prapësi dhe dhimbjen nuk e ndjente, thuhej se veza para se të skuqet, duhet rrahur.

Për ndonjërin që aspironte karrierë, pa e specifikuar pse, në ç'mënyrë, dhe me çfarë mjeti, thoshin "rreh lart".

Për të tjerë që "rrihnin poshtë", domethënë ishin nisur drejt greminës, nuk thuhej asgjë. Për rrahjen dhe gjithçka tjetër që ata meritonin, kujdesej syshkaba Sigurimi dhe burrnesha policia.

Rrahja ishte omniprezente. Rrahja ishte fenomen që nuk i shpëtonte dot askush. Me dajak, me grushta, me shkelma, me çizme, ose me fjalë falë newspeak-ut të George Orwellit, rrahës ose të rrahur ishin të gjithë shqiptarët.

Gjithçka që lëvizte në mënyrë ciklike apo kaotike quhej "rrahje".

Rrahja  ishte edhe atje ku s'ta merrte mendja. Zhurmat problematike brenda gjithçkaje që rrotullohej, çvendosej, brenda motorrave ose çdolloj makinerie, quheshin të gjitha "rrahje".

Kur doje ta përgëzoje dikend që kishte bërë ndonjë gjë të mirë, nuk ishe i detyruar të zbatoje asnjë normë mirsjelljeje, për shembull t'i thoje ndonjë fjalë inkurajuese, t'i jepje dorën, apo ta përqafoje, mjaftonte t'i "rrihje" shpatullat. Nëse ja kishe me hile ose jo, pra nëse rrahja e shpatullave do mbetej me aq apo do vazhdonte me rrahje të tjera, varej nga aftësia nuhatëse e viktimës.

Këmba, shkelmi, dora, grushti i rrugaçit, këpuca e oficerit, çizmja e ushtarit, shkopi i policit, por edhe zemra, pulsi, syri, plaga, çekiçi, varreja, akrepi i sekondave, të gjitha vetëm "rrihnin".

Për plogështinë që shkakton ndërrimi i stinëve i ankoheshin njëritjetrit duke i thënë; Ndjehem si i rrahur.

Gjithkend që takonin në mëngjez sapo dilnin nga shtëpia i thoshin; Aq i lodhur jam sa më duket sikur më kanë "rrahur" gjithë natën dhe mi kanë thyer të gjitha kockat.

Duke hyrë në një moskuptim torturues faktiko-linguistik, pa asnjë mundësi për të kuptuar cilat ishin mjetet dhe arësyet, nuk thoshin filani kalon vazhdimisht në X rrugë, por; Filani "e rreh" shpesh atë rrugë.

Në futboll, për skuadrën që kishte pësuar më tepër gola, nuk thoshin "u mund" por thoshin dhe thonë "u rrah".

Lebërit mburravecë "e rrihnin" aq tepër gjoksin sa gjoksi u ishte bërë gropë.

Gruaja, thoshin, është për dy gjëra, për të bërë kalamaj dhe për ta rrahur.

Di ta rrahi mirë këtë temë, thoshin për ndonjë llafazan që fliste pafund nëpër mbledhje për rrethimin e egër imperialisto-revizionist, ose të tjera gomarllëqe.

Të doje ta zbrazje ndonjë thes nuk mjaftonte ta tundje ose ta godisje me ndonjë shkop. Duhej me atë shkop ta "rrihje".

Rrahja e kudondodhur kishte hyrë edhe nëpër proverba; "Më mirë të hash dy herë se të rrihesh dy herë".

Era dhe dallgët kurrë nuk e preknin ose lëpinin bregun e detit dhe shkëmbinjtë; gjithmonë vetëm i rrihnin.

Nuk rrihej vetëm njeriu. Rrihej edhe mishi për biftek, qeni, macja, kafsha shtëpiake, madje edhe uji në havan.

Më tepër se të gjithë rrihnin policët nëpër rajone policie dhe gardianët nëpër burgje. Por ata dhe rrahjet e tyre askush nuk guxonte t'i zinte në gojë.

Për tu familiarizuar me rrahjen e kudondodhur, në atë mënyrë që sado e egër të ishte të mos qe fatale, e vetmja rrahje që pranohej dhe për të cilën përkujdeseshin të vazhdonte ishte rrahja e zemrës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilir Floriri: 27/07/2018 18:16

    Teme e pa rrahur ndonje here...!

    Përgjigju
  • lutfiu: 27/07/2018 15:50

    O Edisono, po ke harruar ate rrahjen e vegles se burrit qe i ben gruas. Me te forten e me te bukuren rrahje, se ne fund te fundit, pa kate 'rrahje' s'do te vazhdonte jeta... Dhe me thene te drejten, na kenaqe edhe ti me kete 'rrahjen ne havan' qe ben...

    Përgjigju
    • Miri: 23/09/2019 12:44

      Lutfi,, qenke king.

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Begaj vizitë në Urdhrin Sovran të Maltës, takohet me Fra' John Dunlap

Presidenti Begaj vizitë në Urdhrin Sovran të Maltës, takohet me Fra' John Dunlap