POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Rrëfimi/ Klora Merlika, të fshehtat tronditëse në kampin e vdekjes së fëmijëve në Turan

N’agimin e nji epoke të re, fill pas Luftës së dytë Botërore, në Shqipëri, do të niste një prej sagave më të përgjakshme të persekutimit komunist. Çdokush që nuk e përkrahu apo e kundërshtoi regjimin e Enver Hoxhës do të shënonte emrin e tij dhe të të gjithë të afërmve në listat e zeza të represionit. Një prej formave më të përhapura të persekutimit ishte internimi. 

Kjo masë ndëshkimi kishte nisur që në vitin 1945 -1946, dhe u intensifikuan në vitin 1948 -1949.

Në vitet e para të regjimit komunist kampet ku internoheshin familjarët e kundërshtarëve politikë ishin kampe përqendrimi, të rrethuar me tela me gjemba. Të tillë qenë në fillim kampet e Krujës, Porto Palermos Beratit dhe Tepelenës.  Veç rrethimit me tela me gjemba në çdo kamp kishte një komandë me policë të armatosur që mbanin në kontroll gjithë të internuarit. Në Berat i vendosën, kryesisht në lagjen “Çelepie”, por me vonë i lëviznin shpesh pasi qytetarët e Beratit i ndihmonin me ushqime e veshmbathje. 

Studiuesi Kastriot Dervishi,  në librin e tij “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë Komuniste  ndërsa citon dokumentet zyrtare, thotë se vetëm në mars të vitit 1946 në Berat ishin 1275 të internuar kryesisht nga Shkodra, Kukësi, Peshkopia, Elbasani, Durrësi dhe Tirana. Numri i tyre siç e dëshmojnë edhe statistikat zyrtare  do të rritej sidomos në vitin 1948 dhe 1949.  Komandant i kampit të Beratit ishte Xhaferr Pogaçe nga Kardhiqi i Gjirokastrës, bujk, me 4 klasë fillore. Ai do ti shoqëronte të internuarit e Beratit edhe kur ata do ti shpërngulnin në kampin e Tepelenës, ku sërish do të ishte komandant i kampit deri në vitin 1952.

Ky do të ishte vetëm prologu në shtegtimin e këtyre  njerëzve të pafajshmve drejt kampit të vdekjes në Tepelenë. 

Ishte pranvera e vitit 1949. Nga Berati, me kamionë të Ministrisë së Brendshme qindra të internuar po i dërgonin në Tepelenë. Një pjesë e madhe morën rrugën e Salarisë dhe u ndalën në Turan, një fshat malor në Tepelenë  pak kilometra larg qytetit. Si kamp internimi ishin përshtatur 2-3 kazerma  të ushtrisë Italiane, pranë nëj varreze ku preheshin eshtrat e ushtarëve italianë vdekur gjatë  luftës italo-greke. Poshtë nën këmbët e malit të Turanit, në  këto kazerma  të internuarit e zhvendosur nga Beratit do të gjenin strehë për disa muaj. Në të vërtetë do të ishin muajt më të vështirë të jetës së tyre. Rrëfimet më të tmerrshme të dëshmitarëve  të mbijetuar lidhen me kampin e Turanit dhe më tej me kampin e Tepelenës në fushën e vogël poshtë kalasë së qytetit. 

Por shpesh rrëfimet nuk e japin të qartë perceptimin mbi këto dy destinacione, madje ndonjëherë duket sikur flitet për të njëjtin vend.  Në të vërtetë, Turani i parapriu Tepelenës. Për të krijuar një perceptim më të qartë të udhëtimit të vështirë të të internuarve, duhet të shkojmë në vend e të shohim çfarë gjurmësh kanë mbetur sot nga këto dy vende me histori me të vërtetë  rrënqethëse.

Do të shkojmë fillimisht  në Turan. Gjatë udhëtimit do të na shoqërojë një prej të mbijetuarve të këtyre kampeve, Klora Merlika. Kur ajo erdhi në Turan ishte vajze 15 vjeç. Atëkohë mbante mbiemrin e vajzërisë Mirakaj. Klora është sot 84 vjeç, por shfaq një energji të pazakontë për moshën e saj.  Ajo jeton për të dëshmuar dhe faktuar të vërtetën.  Mbërrijmë në Turan, pas 15 minutash, prej nisjes nga Tepelena.  Klora e njeh menjëhertë vendin, sapo përballet me peisazhin. Malet ku gratë e internuara mbartnin dru në kurriz, dhe grykat e ngushta mes tyre janë njësoj. Sikur koha të kishte ngecur në vend. 
Teksa ngjitemi në të djathtë të rrugës, nën këmbët e malit të Turanit, shfaqen një varg ndërtesash të rrënuara. Klora na bën shenjë të ndalojmë. Dallojmë gjurmët e dy shtyllave prej guri. Pikërisht aty ishte hyrja e kampit.

Klora tregon: “Këtu jemi në Turan, ku kanë qenë varrezat italiane. Kanë qenë edhe kazermat që rrinin ushtarët këtu. Aty na kanë shkarku. Këtu ka qenë vendi kur na vendosënfillimisht kur erdhëm në Tepelenë. Ky ka qenë vendi. Ka qenë  fundi i prillit- maj kur kemi ardhur këtu. Këtu erdhi gjithë kampi i Beratit. Na kanë shpërndarë nëpër këto banesat që janë rrënuar tani.  Ishin diçka ma t’mbajtuna atëherë. Kishin një farë mbulese që edhe pikonte shiu kur binte shi”. Klora ecën brenda kampit të Turanit.Ajo kujton çdo detaj si ta kishte përjetuar një ditë më parë. Mban mend kur erdhi për herë të parë këtu dhe gjeti kushërinjt e saj që i kishin sjellë më parë. 

Klora kujton: “Këto kanë qenë kazerma, edhe kjo këtu.  “Në atë kazermën aty kishte plot familje po si për me i ofendu si gruaja e ministrit të Brendshëm, nusja e xhaxhait tim, Kol Bibë Mirakës, i thanë ‘ti ke për të qëndru këtu tek banjo. Ajo e gjeti pis por e pastroi. Nuk ishte e pakenaqur se të paktën ishte vetëm.”

Shfaqen pamjet e kazermave, gjurmet qe kanë mbetur sot prej tyre. Rrëfimet e të mbijetuarve por edhe dokumentet zyrtare dëshmojnë se jeta në kampin e Turanit ishte e tmerrshme. Ushqimi  i vetëm që ju jepnin ishte 400 gramë bukë misri në ditë. Asgjë tjetër.  Shtëpitë e fshatit siç  duket  edhe sot, ishin në distancë të largët me kampin. Në javët e para, kur  kampi nuk ishte rrethuar me tela me gjemba, kryesisht fëmijët arrinin të dilnin e të shkonin deri në fshat për të kërkuar ndonjë ushqim. Më vonë siguria u shtua.  Nuk lejohej të dilte askush nga territori i kampit. Dhe furnizimi i vetëm ishte buka e misrit dhe uji me racion, pasi edhe ujë nuk kishte. Sfida më e madhe ishte për foshnjat 1 apo 2 vjeç të cilët nuk mund ta hanin bukën e misrit dhe nënat e tyre nga java në javë, prej urisë nuk kishin më asnjë pikë gji për ti ushqyer. 

Në mungesë të ujit që  e sillnin me fuçi dhe shpërndahej me racion, as që  bëhej fjalë për kushte higjeno-sanitare. Në këto rrethana, prej urisë së tejskajshme dhe mungesës së ujit, në mes të verës së 1949, në kamp ra epidemia e dizanterisë dhe e tifos së morrit. Vdekjet ishin të shpeshta. Çdo ditë vdisnin fëmijë nga 2-3 deri në 13 apo 20 në ditë.

Klora tregon një prej kazermave dhe i kujtohet historia tragjike e Cuklinës, nënës së 12 fëmijëve të cilës në internim i vdiqen të gjithë bijtë e saj,  nji nga nji dhe këtu në Turan i vdiqën edhe dy binjakët ende foshnja.

“ Kjo ka qenë kazerma ku rrinte Cuklina dhe i shtriu këtu në këtë shesh dy binjakët. I kishte shtri ato bohçet e bukura, dhe femijet si dy lule me ato buzët e thame kështu… Nji dhimbje të madhe edhe tashi e kam kur mendoj ata binjakët e shtrimë aty, njani mbas tjetrit. Shumë të bukur, shumë të bukur ishin si fëmijë. E kujtoj me dhimbje te madhe vdekjen e fëmijëve  këtu në Turan. Brenda  dy ditëve vdiqen mbi 20 fëmijë, thoshin 23-24. Vdiqën nga dizanteria. Këtu s’kishte as mjek..”

Në këtë kamp vdiqën edhe dy vajzat e vogla 3 vjeç Dila dhe Prena Gjikola, historinë e të cilava na e ka dëshmuar nëna e Dilës së vogël, Gjelë Gjikola. Ato arritën ti gjejnë eshtrat e dy vogëlusheve pas 55 vjetësh, në një kënd të këtij kampi.   Këtu në këtë kamp vdiq edhe Zefi  i vogël 3 vjeç, djali i Drane Jakes, e cila në formë sfide ndaj regjimit, kur u lirua nga internimi erdhi fshehurazi për gjithë natën dhe e zhvarrosi me thonj të birin, për të mos ia lënë eshtrat në këtë vend të largët e për t’ia ndërtuar varrin në vendlindje në Lekbibaj. Në valën e epidemisë së tifos dhe dizanterisë, vdekjet e fëmijëve ishin aq të shpeshta sa dëshmitarët e mijetuar tregojnë se në kamp gjithë ditën e gjithë natën  dëgjoheshin kujat e nënave dhe vajet e pambarimta. Klora merr rrugën në të djathtë teksa ngjitet në brendësi të kampit. Do të na tregojë ku ishin varrezat e ushtarëve italianë, ku u varrosën edhe fëmijët, apo gratë e pleqtë  që nuk mbijetuan dot.

“Këtu jemi aty ku ka qenë sheshi i varrezës së italianëve të vrarë në kohën e luftës italo-greke. Seicili varr kishte nji emwr tw shkruajtur. Ttani i kanw heq tw gjitha dhe s’ka mbetur shenjw. Kur vdisnin femijet këtu i kanë varrosur. Prandaj dinin me i gjet eshtrat e tyre. Edhe pleqtë, kushdo që vdiste këtu i varrosnin”, tregon Klora.  

Sot nga varreza e dikurshme nuk ka mbetur thuajse asnjë gjurmë.  Pas një marrëvëshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, bisedimet rreth të cilës kishin nisur që në vitin  1953,  nisi zhvarrimi në të gjithë varrezat e italianëve që kishin mbetur në Shqipëri, proces që zgjati deri në vitin 1962.  Mendohet se edhe në Turan, varret e italianëve u hoqën në të njëjtën periudhë. Pas atij momenti nuk dihet ç’u bë me eshtrat e të internuarve, që ishin varrosur prej të afërmve të tyre në atë territor. Kazermat që sot shfaqen si gërmadha vende vende mbuluar nga pemët dhe shkurret, në verën e largët të 1949-s  ishin streha e qindra të internuarve të uritur, të sëmurë e të pashpresë. Në këto kazerma ata flinin, hanin bukën thatë dhe kur ishin me fat zienin barishtet e egra që gjenin përreth. Në këto kazerma fëmijët endeshin duke kërkuar bukë pareshtur, në këto kazerma ata sëmureshin e nënat i shihnin tek jepnin shpirt shtrirë aty në dysheme. 

Në kamp nuk ka asnjë gjurmë uji, as çezëm as burim. Klora tregon:“Na e binin me ca fuci ujin dhe na e shpërndanin si me racion se këtu nuk kishte ujë. S’kishte ujë këtu. Mundoheshim me çdo mënyrë me gjet ndonjë enë…”  Klora futet brenda njërës prej kazermave. Kanë të njëjtën arkitekturë si kazermat e ndërtuara  buzë lumit të Bënçës poshtë kalasë së Tepelenës. Por ndërsa atje kishte kompani druri në formë krevatesh, ku qëndronin gjithë familjet, ngjitur e ngjitur, këtu nuk kishte dërrasa. Mbi 200 vetë shtriheshin brenda  kësaj kazerme, në këto dysheme, të rreshtuar si sardelet.   

Klora dëshmon: “Këtu ccfarë kishim ndonjë gjë për ta shtruar e shtronim për tokë, se s’kishte as dërrasa as gjë. Kishte njerez që kanë fjetur edhe në dysheme direkt,  ata që i kanë marrë pa rroba fare. Shtriheshin në tokë këtu e flinin. Ishte simbas gjendjes që i kanë marrë. Varej gjithçka nga personi që të merrte në internim. Kur ishte dikush “me mish e gjak”  të linte të merrje diçka prej shpie, ama kur s’kishte as mish, as gjak, as shpirt, të merrnin me rrobat që kishe veshur dhe kështu do të shkosh ne internim nuk të linin të prekje asgjë në shtëpi”. 

Në fund të verës 1949 kampi i Turanit ishte kthyer në ferr. Vdekshmëria e lartë dhe kushtet e tmerrshme higjenosanitare prej mungesës së ujit , i shtynë krerët e regjimti ta zhvendosnin këtë kamp poshtë në  breg të lumit të Bënçës. Klora e kujton mirë ditën e zhvendosjes. Edhe rrugën e largimit nga ky vend që shenjoi tek ajo vetëm fytyrat e fëmijëve të vdekur, imazhe që nuk iu shlyen gjithë jetën. Pasi dredhon mes kodrave, me sfondet e maleve në të dy anët, rruga që zbret nga Turani në Tepelenë,  na drejton në stacionin e dytë të internimit të Klorës në Tepelenë. Ky stacion ishte i shkurtër, mbase vetëm pak javë, por Klora do të na e tregojë edhe atë.   

Klora tregon me dorë Kazermën ku i vendosën para se t’i çonin në kampin e Tepelenës. “Na zbritën gjithë forcat që ishim të internuar dhe një pjesë hynë tek kjo kazerma këtu. Pjesa tjetër shkuan tek kazermat e tjera që janë poshtë kalasë. Këtu kemi qëndruar vetëm sa kanë vendosur telat që kanë rrethuar gjithë kazermat atje dhe bënë vend edhe për ne që bënë kompani me dërrasa tek një kazermë që ishte pa kompani. Mbaj mend, që këtu kemi qëndruar nja një muaj a 5 javë.”  Prej këtu,  në horizont, në anë tjetër të lumit të Bënçës, poshtë kalasë, duket kampi i Tepelenës. Do ta vijojmë atje pjesën tjetër të rrëfimit…

(Vijon nesër)
 

a.me./b.ha.
Komento

Komente

  • Luftar Pepmarku: 13/09/2018 17:04

    Në respekt të gjithë atyre që vuajtën tmerrwet e diktaturës, po përcjellë si koment një tregim të tezes time, Fatime Xhemal Mena ( Koleci ):- "Ishte një ditë e ftohtë dimri. Një vajzë, në kampin famëkeq të Tepelenës ishte e sëmurë. E këshilluam të mos vinte në mal, ku shkonim çdo ditë për të mbajtur dru e për ti sjellur në kamp. Ikëm në mal muarrëm nga një barrë dru dhe i sollëm në kamp. Siç duket ata e kishin kuptuar se dikush mungonte në rreshtat e të internuarave dhe na urdhëruan që fillimisht t' i shkarkonim drutë veç e veç. Rezultoi që një barrë dru mungonte. Pastaj filluan kërcënimet, kush nuk ka ardhur në mal për dru. Na thoni kush është ajo, që i është shmangur detyrës. Askush prej nesh nuk fliste. Ata sigurisht e kishin kuptuar personin, që për arsye shëndetësore kishte munguar atë ditë. Atëherë thjeshtë për të shfryrë urrejtjen që kishin ndaj nesh dhe për të treguar pafytyrësinë e tyre, na urdhëruan t' i ngarkonim edhe njëherë drutë në shpinë, t' i ngjitnim përsëri në majë të Malit e ti risillënim edhe një herë në kamp. Episode të tilla nga më çnjerëzoret, ka shumë nga ai kamp por edhe të tjerët. Unë e gjykova të arsyeshme që të publikoj vetëm këtë, në mungesë të marrjes pjesë në këtë tubim, për arsye moshe dhe gjendjes jo të mirë shëndetësore të tezes time, Fatime Xhemal Mena (Koleci) Bashkëshortja e të ndjerit Ramiz Mena, i cili u nda nga jeta me 24 korrik 2015. Zoti me madhështinë e tij, ua shpërbleftë mundin dhe vuajtjet të gjithë atyre që u përballën me këto mostra të egra, që nuk njihnin arsye dhe u mungonte çdo ndjenjë njerëzore.

    Përgjigju