Salepi shqiptar, bima që rrezikon zhdukjen

Salepi shqiptar, bima që rrezikon zhdukjen

Salepi shqiptar

Kushtet e përshtatshme klimatiko-tokësore në disa zona të Shqipërisë mundësojnë grumbullimin e disa bimëve mjekësore dhe aromatike, për të cilat ka kërkesë të lartë në treg.

Aktualisht, Shqipëria renditet ndër vendet kryesore të Evropës Mesdhetare për eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike.

Lista e këtyre bimëve përfshin bimë si sherebelë, trumzë, rigon, çaj mali, mollë e egër, trëndafil i egër, aguliçe, dëllenjë e zezë, shtog, hithër, lulëkuqe, salep, kamomil, shpatore, etj.

Një nga bimët më të rrezikuara është Salepi Shqiptar, botanikisht i njohur si Orchis Morio. Së bashku me çajin e malit, salepi shqiptar është i përfshirë në Librin e Kuq të bimëve të cilat rrezikojnë zhdukjen.

Ndalimi nga Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian e ka ndaluar me ligj këputjen e orkideve. Nga rrënja e të cilave përftohet salepi, ndërkohë që nuk ka ndaluar importin e këtyre bimëve.

Ky veprim i vendeve të Bashkimit Evropian ka pasuar situatën e krizës tek vendet e përjashtuara nga ky legjislacion. Të cilat kanë filluar eksportin masiv, duke rrezikuar jetën e kësaj bime në gjendje natyrale.

Në dallim nga vendet e mëdha prodhuese të këtij produkti, salepi shqiptar nuk kultivohet. Ai rritet në gjendje të egër në natyrë, prandaj edhe kërkohet me shumë ngulm nga vende si Gjermania dhe Franca.

Në Shqipëri, salepi shitet nga mbledhësi me 20 dollarë tek grumbulluesi i vogël. I cili e rishet tek grumbulluesi i madh me 25 Dollarë. Ky i fundit e pastron dhe e paketon dhe më pas del ne tregun shqiptar me 40 dollarë dhe në tregun e huaj edhe shumë më tepër se kaq.

Dibra dhe Pogradeci janë zonat me praninë më të madhe të salepit të egër. Por ky i fundit gjendet edhe në zona të tjera të vendit në sasi më të pakta.

Erozioni dhe masat që duhet të merren
Por përtej dorës shkatërruese të njeriut, salepi dhe bimët e tjera të egra medicinale përballen edhe me shfaqjen e erozionit masiv. Si në Lurë, Dibër, Pukë, Vau i Dejës, Koman, Çermenikë, Poliçan, Berat, Pogradec, Sarandë, Kukës, etj. Ky erozion është shkaktuar në masë nga shpyllëzimet dhe hapja e tokave të reja.

Gjithashtu, një numër i madh i bimëve është shfrytëzuar pa kriter. Siç është rasti i salepit shqiptar, duke çuar në shfaqjen e erozionit gjenetik të bimëve, ku shumë bimë janë drejt zhdukjes.

Në këtë pikë, masat që duhet të merren lidhen me ndalimin e mbledhjes së disa bimëve që rrezikojnë të zhduken. Si dhe me rritjen e mundësisë së kultivimit të tyre.

Kjo do të çonte dhe në rritjen e mundësisë së punësimit të popullsisë së zonave rurale. Si dhe vënien nën shfrytëzim të tokave të lëna djerrë, duke penguar dhe erozionin e tyre.

Rreziku i zhdukjes
Si rezultat i mbishfrytëzimit dhe përdorimit të teknikave të gabuara të vjeljes, shumë specie të bimëve mjekësore janë të listuara si bimë të rrezikuara. Fatkeqësisht këtu hyjnë çaji i malit, salepi, sanza, xhirokulli, boronica, dëllinja e kuqe, dëllinja e zezë, rigoni, trëndafili i egër, murrizi, etj.

Ndonëse janë nënshkruar nga Shqipëria disa konventa ndërkombëtare në mbrojtje të biodiversitetit, është hartuar legjislacioni përkatës për mbrojtjen e tyre si dhe janë një sërë aktorësh të përfshirë në procesin e menaxhimit të këtyre bimëve, sërish mbrojtja dhe shfrytëzimi në mënyrë racionale dhe të qëndrueshme të tyre, le për të dëshiruar.

Rezulton se një pjesë e konsiderueshme e bimëve të egra medicinale janë të dëmtuara. Ato janë të listuara si bimë në rrezik zhdukje. Aktorët e menaxhimit duhet të ndërhyjnë për rikuperimin e këtyre bimëve. Gjithmonë e më tepër në vend po vihet re një mungesë e grumbullimit të disa bimëve medicinale.

Kjo lidhet me rrallimin e burimit natyror të tyre si sanza dhe salepi. Të cilat kanë statusin e bimëve në rrezik zhdukjeje. AgroWeb

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet