Sekretet e prokurorisë/ Arta Marku-vartësve: Pajisuni me certifikata sigurie

Sekretet e prokurorisë/ Arta Marku-vartësve: Pajisuni me certifikata sigurie

Arta Marku, kryeprokurore e Përgjithshme

Të gjithë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, të cilët për shkak të detyrës së tyre, mund t’u bien në dorë informacione sekrete dhe konfidenciale, duhet të pajisen me certifikata sigurie. Kështu parashikon udhëzimi i radhës i kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, i firmosur disa ditë më parë. Udhëzimi përcakton procedura dhe rregulla për vlerësimin, administrimin dhe ruajtjen e informacioneve sekrete nga njerëzit e Prokurorisë. Në këtë kuadër, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore duhet te certifikohen nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pranë Kryeministrisë si persona që mund t’u besohen informacionet sekrete.

Nga ana e saj, DSIK-ja ka të drejtë të kërkojë informacion nga autoritetet verifikuese dhe institucionet shtetërore që marrin pjesë në procesin e verifikimit lidhur me procedurat e zbatuara, të dhënat dhe dokumentacionin provues lidhur me verifikimin e rrezikut të mundshëm të sigurisë për individët që kanë aplikuar ose janë të pajisur me CSP “Certifikata e sigurimit të personelit” për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar. Krahas personit, DSIK verifikon edhe familjarët e tij para se të japë ‘OK’ për t’i besuar sekretet. Gjithashtu mund të bëhen intervista me persona të tretë të paanshëm, të cilët njohin të shkuarën dhe aktivitetet e personit që i është nënshtruar verifikimit të sigurisë.

“Prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe punonjësit e tjerë të cilët për shkak yë detyrës mund të kenë akses në informacionin ‘sekret shtetëror’ të marrin masa për plotësimin e dokumentacionin të nevojshëm për pajisjen me certifikatë sigurie në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 188, datë 04.03.2015 për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, thuhet në udhëzim.

Ndërkaq, çdo punonjës i pajisur me certifikatë sigurie, jo më pak se një herë në vit, dihet të nënshkruajë përpara oficerit të sigurisë ose strukturës përgjegjës të institucionit për njohjen e procedurave të sigurimit të informacionit të klasifikuar dhe të përgjegjësive individuale për shkeljen e rregullave të sigurisë.

Faksimile e udhëzimiit të Kryeprokurores Arta Marku

Ruajtja e sekreteve

Udhëzimi i kryeprokurores së përkohshme Arta Marku parashikon edhe formën se si duhet të ruhen informacionet sekrete në prokurori. Ambientet në të cilat mbahet informacioni ‘sekret shtetëror’ duhet të plotësojë kushtet e sigurisë të përcaktuara në VKM nr. 189, datë 04.03.2015, për sigurimin fizik të informacionit të klasifikuar ‘sekret shtetëror’ të NATO-s, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe urdhrin nr. 291 datë 20.10.2015 të Prokurorit të Përgjithshëm”, vijon udhëzimi. VKM nr. 189 parashikon në zyrën ku administrohet informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror”, duhet të ketë banakë ndarës ose rrjetë metalike për ndarjen nga mjedisi i brendshëm, dyer të blinduara me mbyllje elektronike dhe mekanike, kasaforta me mbyllje elektronike, dollapë metalikë, dritare të sigurta, pajisje kundër ndërhyrjeve të paautorizuara dhe pajisje kundër zjarrit. Informacionet sekrete mbahen në kasaforta apo dollapë metalike, të vendosura në ambientet brenda perimetrit të sigurisë.  

Çelësat dhe kodet

Një kopje e çelësave/kodeve, ku mbahen dokumente të klasifikuara “Sekret shtetëror”, mbahet nga eprori i drejtpërdrejtë, mbyllur në një zarf të dyllosur dhe vulosur. Hapja e zarfit dhe përdorimi i çelësave dhe kodeve bëhet me urdhër të eprorit të drejtpërdrejtë dhe të titullarit të institucionit, në prani të një komisioni, jo më pak se tre anëtarësh. Vendimi parashikon ndalimin e futjes dhe përdorimit, në ambientet ku punohet me informacionin e klasifikuar, i pajisjeve personale, të tilla si laptop, kamera, aparate fotografike, regjistrues zëri, etj. Gjithashtu ndalohet mbajtja e furnelave elektrike, të gazit, fenerëve ndriçues me lëndë djegëse si dhe pirja e duhanit në ambientet ku punohet me informacionin e klasifikuar.

Barrierat dhe rojet  

Institucionet shtetërore, që punojnë me informacionin e klasifikuar, janë të detyruara të marrin masa për krijimin e barrierave fizike, të cilat mbikëqyren me roja dhe mjete teknike. Rojet janë fikse ose të lëvizshme, gjatë 24 orëve. Rojat janë përgjegjëse për ruajtjen e zonave të sigurisë, ndërtesave, zyrave dhe mjediseve të tjera ku punohet me informacionin e klasifikuar që u janë dhënë për ruajtje. Ato janë përgjegjëse për sigurimin e objekteve edhe gjatë ditëve të pushimeve, pas orarit zyrtar të punës dhe në situata të veçanta. Rojat dhe patrullat duhet të  jenë të pajisura me certifikatë sigurie të përshtatshme.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Skandal bastesh në NBA, basketbollisti përjashtohet përjetë

Skandal bastesh në NBA, basketbollisti përjashtohet përjetë