Sëmundja e rëndë, shuhet regjisori i madh italian, Bernardo Bertolucci

Regjisori italian Bernardo Bertolucci autor i filmave më të famshëm “Last Tango in Paris” dhe “Perandori i fundit” ka vdekur dje në Romë në moshën 77-vjeçare. Bernardo Bertolucci (1941-2018),  i lindur në Parma, vdiq nga një sëmundje e rëndë. Sipas raportimeve të mediave italiane, shkruhet se vdekjen e regjisorit e ka konfirmuar zëdhënësi i tij Flavia Schiavi, i cili ka thënë se Bertolucci ka ndërruar jetë në orën shtatë të mëngjesit të djeshëm, pasi ka vuajtur nga sëmundja e kancerit.

Në dhjetëvjeçarin e fundit, Bertolucci ka lëvizur vetëm me karrocë, si pasojë të një operacioni të pasuksesshëm të diskut herniuar.

Bertolucci mbahet mend vitin e kaluar për debatet që ngjalli me një deklaratë që shkaktoi polemika të mëdha në opinionin botëror, pasi zbuloi detajet kryesore të skenës së përdhunimit në filmin “Tango e fundit në Paris”, me protagonist kryesorë aktorët Marlon Brando dhe Maria Schneider, duke thënë se skena e krijuar i ishte mbajtur e fshehtë aktores deri në çastin e xhirimit, me të vetmin qëllim që të nxirrte një reagim të mllefit sa më të vërtetë. 

Ai ishte një mjeshtër i madh i kinemasë që preku zemrat e shumë njerëzve, por që gjithashtu influencoi në shoqëri me veprat e tij, duke thyer shumë tabu. Bernardo ishte djali i dytë i Attilio Bertoluccit, poet dhe historian i njohur i artit dhe kinematografisë. I rritur në një rreth intelektual, Bertolucci filloi të shkruante që në moshën 15-vjeçare, dhe nisi të fitonte çmime lokale letrare me librin e tij të parë.

Rrugën në kinematografi ai e nisi i ndihmuar nga popullariteti i të atit. Atilio Bertolucci kishte ndihmuar regjisorin Pier Paolo Pasolini të botonte romanin e tij të parë dhe ky i fundit ia ktheu favorin duke e marrë Bernardon në Romë si asistent të vetin në filmin Acatone (1961). Potencialin e Betroluccit si kineast e kishin spikatur edhe regjisorë të tjerë, si Serxho Leone, i cili i pati kërkuar t’i shkruante një rrëfim për filmin e tij C’era una volta il ëest. (Na ishte njëherë Perëndimi i egër), të cilin e kishte refuzuar duke thënë se ishte shumë kompleks për shijen e publikut amerikan.

Bertolucci ka dy vëllezër: producentin e filmave Xhovani (Giovanni, lindi 1940) dhe regjisorin e teatrit Xhuzepe (Giuseppe, lindi 1947). Bashkëshortja e tij e parë ishte Adriana Asti, aktorja kryesore në një film të hershëm të tij, (Para revolucionit, 1978).

Për herë të parë Bertolucci bëri një ndryshim në produksionet italiane, i cili realizoi filmin e tij antologjik “Tangoja e fundit në Paris” me kolosin Marlon Brando dhe aktoren e re Maria Shnajder, i cili u bë shembull se si filmat italian mund të fitonin më tepër me angazhimin e aktorëve të huaj në filmat e tyre.

“Perandori i Fundit” ishte një ndër veprat e tij më monumentale për të cilin mori lejen të xhironte në qytetin e ndaluar në Pekinit, që ishte diçka pa precedent deri atëherë.

Filmi ka fituar 8 çmime Oscar – si filmi më i mirë, skenografia më e mirë, fotografia, dizajni i kostumeve, regjisori më i mirë, montimi më i mirë, muzika dhe skenari i adaptuar.

Bertolucci, konsiderohet një nga gjigantët e kinemasë italiane dhe botërore, fitoi Palmën e Arte te nderit për punën e tij të jetës në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2011.

Rrëfimi i Bertolucci-t, prapaskenat e filmit “Tango e fundit në Paris”
“Tango e fundit në Paris“, u kthye në një film kult pas-1968-s, por edhe një rast i debatueshëm që na lejon t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje që mund ta formulojnë kështu: a i justifikon krijimi të gjitha ekseset? Çështja Bernardo Bertolucci-Marlon Brandon-Maria Schneider dihej por u mbajt pak a shumë e varrosur. Në 2013, kineasti Bernardo Bertolucci, asokohe 73 vjeç, në një intervistë me rastin e një homazhi organizuar nga Kinemateka e Parisit, kujton kushtet e xhirimit të veprës së tij që hapi polemikën apo adhurimin në Francë e gjetiu: i shfaqur në kulm të revolucionit seksual të 1968-s, filmi merr dy nominime për Oscars dhe Golden Globes për regjisorin dhe për Marlon Brandon, por edhe një breshëri censurash ndalime për moshat e vogla, nga ana tjetër.

Fama e filmit “Tango e fundit në Paris“ dhe shndërrimi sakaq në një film Kult rrjedh nga gërshetimi i një sërë elementësh: një regji brilante, një aktor në majat e talentit të tij, një subjekt tejet aktual për kohën (midis depresionit, seksit dhe dilemave rreth maskilitetit) dhe skenave të forta të marrëdhënieve seksuale ndër të cilat… u akuzua për një përdhunim me anë të sodomisë, nga një dyzetvjeçar mbi një vajzë të re njëzetvjeçare. Një skenë që do ta shkatërrojë, kishte deklaruar aktorja Maria Schneider, shumë kohë përpara deklaratave të regjisorit për mënyrën se si që menduar dhe xhiruar skena.

Kineasti ka shpjeguar se qe Marlon Brando që dha idenë. (Në 2013, aktori kishte dhjetë vjet që qe ndarë nga jeta), “Ishte një ide që na erdhi bashkë me Marlon Brandon mëngjesin kur do ta xhironim. E pranoj që qe e tmerrshme për Marien, sepse nuk i tregova gjë. Sepse desha reagimin e vajzës së re, jo reagim aktoreje. Doja të kapja reagimin e vajzës së poshtëruar, për shembull kur ajo ulërinte: ‘jo, joo!‘.”, ka deklaruar  

Pyetjes: ‘a jeni bërë pishman për këtë?’, kineasti i përgjigjet:  “Jo, por ndjehem fajtor. Për të bërë filma, nganjëherë, për të arritur diçka, mendoj se duhet të jesh krejtësisht i lirë. Unë nuk doja që Maria ta luante‘ poshtërimin, tërbimin; doja që ajo ta ndjente poshtërimin dhe tërbimin. Dhe ajo më urreu gjithë jetën për këtë.“

Filmat “Konformisti” dhe “Perandori i fundit”
Filmi “Konformisti” me autor Bernardo Bertolucci-n është i bazuar në temat politike, më saktësisht në fashizmin si një ideologji çmendurake mes konformizmit dhe idealizmit. Adhuruesit e tij hetojnë ngjashmëri midis personazheve të filmave, sidomos në dy prej tyre “Bukuria tërheqëse” (1960) dhe “Ëndërrimtarët” (1996). Për shembull dy protagonistet kryesore në dy filmat, Liv Tejllor dhe Eva Grin, ishin të shndritshme në fytyrë, të holla në trup dhe me sy të kaltër. Në të dy filmat Bertoluçi flet për forcën e dashurisë, duke i shfrytëzuar fjalitë e njëjta në të dy filmat dy herë..

Në vitin 1987 Bertolucci realizoi filmin epokal L'ultimo imperatore (Perandori i fundit), mbi jetën e perandorit të fundit të Kinës, Pu Yi, që nga fëmijëria në Qytetin e Ndaluar në Pekin në fillim të shek. XX, deri në vdekjen si kopshtar në po atë qytet gjatë Revolucionit Kulturor Kinez. Në rolet kryesore të tij janë aktorët e njohur: John Lone, Joan Chen, Peter O'Toole,etj. Skenarin e shkroi Mark People dhe Bertolucci.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë/ Vokshi-mazhorancës: Keni sjellë planin e hetimit të Ilir Beqajt dhe kërkoni ta miratojmë me forcën e kartonit

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë/ Vokshi-mazhorancës: Keni sjellë planin e hetimit të Ilir Beqajt dhe kërkoni ta miratojmë me forcën e kartonit