SHBA-së i duhet “diplomacia trekëndore” e Kisingerit, për të ndarë Rusinë nga Kina

SHBA-së i duhet “diplomacia trekëndore” e Kisingerit, për të ndarë Rusinë nga Kina

Kur Henri Kisinger shkoi në Kinë në vitin 1971, ai arriti shumë më shumë se sa i dha thjesht fund një armiqësie gati çerekshekullore midis Uashingtonit dhe Pekinit. Ai realizoi grushtin diplomatik të ndarjes së armiqve më të mëdhenj të Amerikës – Kinës dhe Bashkimit Sovjetik – duke e shtyrë SHBA-në nga një pozicion strategjik në tendosje, në një avantazh strategjik.

Tani që Amerika po ballafaqohet me një armiqësi të ripërtërirë me Moskën dhe Pekinin, administrata e Donald Trump thuhet se po mendon të përpiqet të përsërisë atë lloj qasje, këtë herë duke u pajtuar Rusinë, me shpresën për ta kthyer atë në një kundërshtare gjithnjë e më të ashpër të Kinës.

Është një ide e zhdërvjellët për një superfuqi nën tendosje, por ndoshta nuk do të funksionojë derisa gjërat të përmirësohen apo të përkeqësohen më shumë. Në pamje të parë, logjika gjeopolitike për të distancuar Rusinë dhe Kinën nga njëra-tjetra, dukej shumë e saktë.

Dy vendet përbëjnë kërcënimin më të madh për ndikimin amerikan, dhe stabilitetin e sistemit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-në. Ato po ndërmarrin fushata paralele për të reduktuar sferat e ndikimit, dobësuar aleancat dhe partneritetet amerikane, dhe projektuar fuqinë e tyre në nivel global.

Megjithatë, në të kaluarën këto kombe kanë konkurruar më shpesh, sesa kanë bashkëpunuar mes tyre. Ato kanë zhvilluar luftërat e nxehta dhe të ftohta kundër njëra-tjetrës. Sot, mbeten rivale për ndikim në Azinë Qendrore dhe gjetkë, dhe historia do të sugjeronte që dy vendet ambicioze, me një madhësi kontinentale, me mijëra kilometra vijë kufitare të përbashkët, përfundimisht do të ktheheshin kundër njëri-tjetrit, dhe ata e dinë këtë.

Ndërkohë, SHBA-ja mund të tentojë me siguri një reduktim të numrit të kundërshtarëve me të cilët përballet. Amerika po i afrohet me shpejtësi paaftësisë së saj strategjike – pikën në të cilën angazhimet e saj globale, i tejkalojnë aftësinë e saj për t’i mbështetur ato.

Nëse mund të arrijë një detantë të re me Rusinë, kjo mund të ulë shpenzimet e mbrojtjes së SHBA në Europën Lindore. Sigurisht, një administratë e zgjuar do të shmangte përballjen e njëkohshme me Rusinë dhe Kinën, dhe ndoshta do të formonte një partneritet strategjik me Moskën, për të adresuar kërcënimin më të madh afatgjatë nga Pekini.

Kjo është në thelb ajo që bënë Kisinger dhe Riçard Niksoni disa dekada më parë, megjithëse me Kinën në pozicionin e Rusisë dhe anasjelltas. Duke parë armiqësinë e dukshme dhe dhunën në rritje në mesin e aksit Sino-Sovjetik, administrata Nikson çeli një marrëdhënie me palën më të dobët, Kinën, për të balancuar palën më të fortë – Bashkimin Sovjetik.

Gjatë viteve 1970 dhe 1980, zyrtarët amerikanë e ndërtuan gradualisht këtë marrëdhënie, në një aleancë joformale të orientuar drejt përmbajtjes dhe përmbysjes së ndikimit sovjetik. “Ne mund të punojmë bashkë për t’u marrë me një bastard”- i tha Mao Kisingerit në vitin 1973 – dhe kjo është pikërisht ajo që bënë të dyja vendet, nëpërmjet një bashkëpunimi gjithnjë e më të madh në fushën diplomatike, ekonomike, inteligjencës dhe madje edhe ushtarake.

Arritjet strategjike të këtij ndryshimi ishin të mëdha. Ai e shkatërroi thellësisht Bashkimin Sovjetik. “Diplomacia trekëndore” e Kisingerit përballi sovjetikët, më shumë sesa amerikanët, me dilemën e përballjes me dy rivalë të fuqishëm dhe të bashkuar, duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në triumfin e fundit të Perëndimit në Luftën e Ftohtë.

Kjo është padyshim analogjia që kanë në mendje strategët brenda dhe jashtë administratës Trump, kur nxisin një afrim me Rusinë, si një mënyrë për të ushtruar presion më të madh ndaj Kinës. Mjerisht, analogjia nuk funksionon vërtet, të paktën jo ende.

Arsyeja themelore, është se forcat që i bëjnë bashkë Rusinë dhe Kinën, janë shumë më të fuqishme se sa ato që i ndajnë. Në fund të viteve 1960, Bashkimi Sovjetik dhe Kina ishin në prag të luftës – ndoshta bërthamore – për shkak të rivalitetit të tyre shpërthyes për udhëheqjen e botës komuniste.

Sot, Moska dhe Pekini po luajnë mirë së bashku. Ata po bashkëpunojnë gjerësisht për çështje të tilla si zhvillimi i teknologjisë ushtarake, stërvitjet ushtarake në pika të nxehta nga Deti i Kinës Jugore dhe Balltiku, promovimin e normave pro-autoritare të qeverisjes globale (siç është koncepti i “sovranitetit në internet”), dhe forcimi i sundimit autokratik në vende nga Kazakistani në Venezuelë.

Ata po e bëjnë këtë, pasi të dyja vendet kërkojnë të minojnë një rend ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja, që ata besojnë se e pengon ndikimin dhe prestigjin e tyre. Por edhe për shkak se që të dyja sundohen nga regjime autokratike, që perceptojnë një kërcënim ideologjik ekzistencial nga një superfuqi demokratike.

Megjithatë diplomacia, është arti i gjetjes së mundësive në kohë të vështira. Pra, a mundet Amerika ta thyejë këtë bosht të autokracisë, duke ndjekur një politikë më pak konfrontuese ndaj Putinit? Ndoshta, por çmimi që do të paguhet do të ishte ndoshta astronomik.

Në terma afatgjatë, Kina përfaqëson kërcënimin më të madh ndaj interesave amerikane, si rezultat i potencialit të saj të madh ekonomik dhe ushtarak. Megjithatë, në një periudhë afatshkurtër, Vladimir Putin është dëshmuar të jetë aktori më i rrezikshëm. Udhëheqësi rus ka ndërmarrë 3 ndërhyrje të mëdha ushtarake gjatë dekadës së fundit – në Gjeorgji, Ukrainë dhe Siri – dhe kryer sulme të guximshme në sistemet politike perëndimore.

Putini ndoshta mendon se kjo ofensivë po përparon mjaft mirë aktualisht, duke pasur parasysh suksesin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe Siri, ndërhyrjen e tij me kosto të ulët por me fitim të lartë në politikën elektorale të SHBA në vitin 2016, dhe krizat e thella të brendshme që prekin Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Kështu SHBA-së do ti duhej të bënte një mal me lëshime, për të bindur Putinin të ndalë sulmet ndaj një Perëndimi të dobësuar, dhe të krijojë një armiqësi të re me partnerin e tij të mëparshëm kinez në lindje. Ky nuk do të ishte një shkëmbim “Ukraina për Sirinë”, siç thuhet se favorizojnë disa zyrtarë të administratës (Uashingtoni do të heqë sanksionet ndaj Moskës lidhur me Ukrainën, në këmbim të ndihmës ruse kundër terrorizmit në Siri).

Këto lëshime do të kërkonin ndoshta edhe çmontimin e pengesës anti–raketore ndaj agresionit rus, që NATO ka filluar të ndërtojë në Evropën Lindore dhe Balltik. Nga ana tjetër, lëshime të tilla do të kompromentojnë më tej një strukturë të aleancës amerikane, që tashmë është duke u lëkundur nga goditjet që po i jep vetë Trump, më së fundi në samitin e NATO-s në Bruksel.

Ndërkohë Putini apo pasuesit e tij duhet të binden, se Rusia ka nevojë për një marrëdhënie më të mirë me Perëndimin – se kostoja e përballjes me SHBA-në dhe aleatët e saj europianëështë thjesht shumë e lartë – dhe se një qëndrim më i moderuar, është më garantues.

Amerika mund të ketë nevojë për një Kisinger të ri që shkëlqen në artin e diplomacisë trekëndore. Deri atëherë, përpjekja për të kundërshtuar Kinën, duke “blerë” Rusinë ka të ngjarë të dëshmohet një gabim i kushtueshëm.

Shënim: Hal Brands, është profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins. Libri i tij më i ri titullohet “Strategjia e madhe amerikane në epokën Trump”.  “Bloombergview”/ Bota.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Përballja me Romën në Europë, Granit Xhaka: Leverkusen shkon në finale

Përballja me Romën në Europë, Granit Xhaka: Leverkusen shkon në finale