Shekspiri im, profesor Besim Qorri, aktori i panjohur i viteve ’30

Shekspiri im, profesor Besim Qorri,  aktori i panjohur i viteve ’30

William Shakespeare

Temës mbi Shekspirin dua t’i qasem nga vetja ime. Nga Shekspiri im. Më ka pëlqyer të hamendësoj se çdo njeri mund ta ketë Shekspirin e vet. Prej vitesh mendoj se unë e kam një të tillë. E kam takuar atë herët, që në adoleshencën time. Me kohë ai u rrit brenda meje, është me mua edhe sot. … e nuk dua të më ndahet.


1942 Elbasan- Majtas Besim Qorri, tjetri Xhafer Mehja i ardhur nga Italia për të investuar

Në librin tim ‘Rrënjët’ (1972) gjen një poezi me titullin “Hamlet”, frymëzuar nga Shekspiri. Ismail Kadare ka shkruar se, kur vizitoi kështjellën mbretërore Elsinor në Danimarkë, iu kujtua kjo poezi. Më pas, me mbresat e kësaj vizite, (ndër të tjera, kishte fjetur në të njëjtin hotel me Hiro Hiton, perandorin japonez) Kadareja shkroi një poezi për Hamletin, botuar te libri “Koha”.


Pastaj erdhi në kinema aktori britanik Lorenc Olivier. Dhe të tjerë aktorë… Te Bielinski, kritiku i shquar rus, kisha lexuar rreth tridhjet faqe mbi Shekspirin. Nga Pasternaku lexova Hamletin që thoshte “më ndjekin si egërsirë”… Në njërën nga këto ditë shkrova poezinë ‘Princ Hamlet’. Nuk lejohej nga botuesi fjala “princ”… dhe e botova me titullin “Hamlet”:

Kur në histori fryjnë erërat
Dhe shemben muret e kalbur të botëve,
Kur kombet, shtet shkunden si fletët
Në vorbullën e madhe të shqotave,
Ti vret naivitetin e shkollarit, 
Vështron shekujt nga kështjellat bosh,
Braktis skenat, del prej ekranit
Edhe s’pyet më: “Të rrosh a të mos rrosh?”

Shekspirin e kam lexuar gjithë jetën. Kam ndjekur kritikën… studimet mbi të. Kam dhënë leksione. E kam lexuar kur kam qenë mirë. Jo atëherë kur kam qenë i lumtur. Por kur kam qenë keq, e kam lexuar patjetër. Është shumë ngushëllues. Vepra e tij është të biesh dhe të dalësh nga një fatkeqësi. Hamleti të mëson që mos të vetizolohesh kur të bie e keqja mbi kokë. Po iu nënshtrove të keqes, të thith në zinë e saj më të zezë.

Kam lexuar se tema qendrore e tragjedive të tij është pushteti, temë e mishëruar te treshja: mbreti, uzurpatori, trashëgimtari i fronit. Secili syresh është personazh dhe kryepersonazh. Hamleti është tragedia e trashëgimtarit, Makbethi – tragjedia e uzurpatorit, Mbreti Lir – tragjedia e humbjes së kurorës. Asnjëri nuk e gëzon paqësisht e deri në fund të jetës fronin e mbretit. Historia luan me ta, me ca figurina tragjike që kurorëzohen përkohësisht me pushtetin suprem. Pushteti i gjithëkohshëm është hyjnor. Hyji ua delegon atë ca tokësorëve, që ndonjëherë ngjan, pandehet se ata janë bërësit e historisë. Por pas pak historia i vret ata njësoj si aktorët skenikë, për ta gëzuar vetëm për vete kurorën e pushtetit. Mbi njëzet perandorë romakë u vranë nga garda, nga miqtë, nga gratë a bijtë… për t’u marrë pushtetin. Në Bizant i verbonin publikisht, u prisnin gjymtyrët perandorëve të rënë nga froni.

Pas Shekspirit nuk ka më tragjedi të vërteta në teatër. Ka drama. Pushteti nuk është më hyjnor. Ka rënë konsesusi i publikut për pushtetin si e dhënë hyjnore, për monarkun absolut. Pushteti buron nga votat, konfliktet gjejnë shtegdalje nëpërmjet kompromiseve, tragjeditë përfundojnë në dramë.

Por Shekspiri mbetet Shekspir edhe pas shkarkimit të tragjikes nga froni hyjnor. Çfarë është Shekspiri? Poezia e lartë, unniversaliteti i temave, i mesazheve, i karaktereve; përzierja e tragjikes me komiken (kujtoj varrmihësin te Hamleti, varrmihës që porosit verë, ndërsa këndon, thellon varrin dhe hedh kafka me lopatë); njohja e pashoqe e njeriut, e pasioneve të errta e të bukura të tij… skeptiçizmi shekspirian… të mos moralizosh; të jesh në distancë të akullt sa i sheh të gjitha dhe ua thua të mbarat e të prapat gjithëkujt.

Harold Bloom e quan Shekspirin shpikës të njeriut, dmth ka ndikuar aq shumë sa e ka rikrijuar Njeriun. Shekspiri është poezia, intelegjenca e lartë. Poezia forcon unin, ndërgjegjen. Poezia është përgjimi i zërit të brendshëm, zë që i flet secilit. Shekspiri të mëson që ta dëgjosh këtë zë të brëndshëm. Të monologosh me zë a pa zë si Hamleti. Makbethi në monologun para vrasjes së Dunkanit, shpalos zërin e tij të brendshëm, të cilit nuk ia dëgjoi këshillën, ndoqi ambicjen dhe… dhe përfundoi ‘në ferr-hapsanë’. Harold Bloom-i me të drejt pyet: kujt ia thotë Hamleti monologët, të tjerëve? Jo, (Të rrosh a të mos rrosh… ) ia thotë vetes. I bën mirë dëgjimi, përgjimi i zërit të brendshëm. Kjo është poezia. Poezia mbase nuk ka funksion shoqëror. Jo, ka funksion ekzistencial: të pastrojë ferrin e ndërgjegjes nga makthet.

Kadare ka një libër “Hamleti, princi i vështirë”, një sprovë që e rrok në vështrim transversal këtë tragjedi që edhe sot hap mundësi leximi të pashtershëm. Në librin “Mëngjese në kafe Rostand” flet për xanxën e Makbethit. Xanxa e fantazmave. Në fillim fantazmat i shfaqen si magjistrica, që i thonë të vrasë mbretin. Më pas Makbethit iu mbush jeta me fantazmat e atyre që vriste.
Letërsia e madhe e kthjellon njeriun duke nxjerrë fantazmat nga hambari, nga ferri ynë i ndërgjegjes.

Nuk do t’i përfundoja këto shënime pa thënë se shumë monologë shekspirianë i di përmendësh. Ia them vetes, me raste i them edhe sot në tavolina me miq. Di dhe shumë nga këngët tragjike a groteske që fut Shekspiri sipas gjendjes së personazheve: Ofelia e çoroditur këndon “Shën Valentinin sot po festoj”, Desdemona e dëshpëruar këndon “Qaj shelg, o shelg i zi”. Për disa nga këto mrekulli përkthimi ende duhet t’ia dimë për nder Fan Nolit. Shekspiri jeton ende, edhe katërqind vjet pasi ka vdekur.

Shekspiri dhe brezi i teknologjisë
Brezi im e ka pasur idhull. Veç jo gjithmonë ia kemi dalë ta bëjmë të tillë dhe për studentët tanë. Sidomos me këta të sotmit, me këta… brezin e smartfonëve. Në një nga provimet e vitit të fundit në Universitet, kolegu im më thotë se prindërit e studentes së radhës i kishte miq… domethënë atë studente duhet ta kalonim. Asaj i kishte rënë në pyetje Shekspiri. Kolegu im, që kish ndër mend mos ta dëgjonte, u zgjua: “Ou, Shekspiri, pa na fol”.

Ky koleg është nga ata që ta presin fjalën në mes. Nuk dëgjon dot çdolloj njeriu. Sidomos për Shekspirin veç vetes, s’duron t’i flasë tjetër njeri. Shtrëngoi dhembët atë ditë dhe i duroi mëk-mëket e vajzës së mikut. Edhe ajo mbaroi shpejt…

Por ai gaboi kur e pyeti në se ajo kish lexuar ndonjë nga veprat e Shekspirit. “Po, kam lexuar, tha ajo. Tingëllon aq bukur italisht”. “Italisht…?”, pyeti kolegu. “Po, ia pat ajo, sa tragjikisht vjen dhe në gojën e aktorëve italianë. Është shkrimtar i madh italian”. “Ashtu?” “Po, profesor, jam e sigurtë për këtë”. Kolegu im ulëriu: Përjashta, maskareshë, m’u zhduk sysh, përjashta! Shekspiri, i cili ka jetuar kaq gjatë, them se do të mbijetojë sa të jetë njeriu. Ma do mendja dhe zemra se do t’u bëjë ballë dhe këtyre gocave e djemve me nga dy smartfonë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi mesazh Metës pak orë para mbledhjes: Çdo përjashtim është mbyllje e partisë

Kryemadhi mesazh Metës pak orë para mbledhjes: Çdo përjashtim është mbyllje e partisë