Shkencëtarët amerikanë vënë në diskutim konceptin e vdekjes/ Mbajnë në jetë 36 orë trutë e derrave jashtë trupit

Shkencëtarët amerikanë vënë në diskutim konceptin e vdekjes/ Mbajnë në jetë 36 orë trutë e derrave jashtë trupit

Foto ilustruese

Truri i derrave është mbajtur në jetë 36 orë jashtë trupit: eksperimenti është kryer në Shtetet e Bashkuara nga grupi i universitetit të Yale i udhëhequr nga Nenad Sestan dhe i paraqitur në një konventë të Neuroshkencave të organizuar nga National Institutes of Health, por që nuk është publikuar ende në ndonjë revistë shkencore.

Trutë, rreth 200, janë marrë nga një thertore dhe janë risjellë në jetë me një teknikë të re të qarkullimit të gjakut. Aktiviteti i tyre elektrik, i matur me elektroencefalogram, jepte një valë cerebrale të sheshtë e njëjtë me atë të përçuar nga një tru në gjendje kome, por celulat nervore ishin të shëndetshme dhe aktive. Një gjë e tillë teknikisht e gjallëron organin, aq sa vë në diskutim vetë konceptin e vdekjes.

Tashmë debati është ndezur. Ndërkohë që ekspertët e bioetikës pyesin nëse një tru njerëzor i trajtuar në të njëjtën mënyrë mund të konsiderohej i gjallë, ekspertët e neuroshkencave shohin në këtë mundësinë për të studiuar sëmundje si Alzheimer dhe tumoret në tru.

Teknika, e quajtur BrainEx, qëndron në lidhjen e trurit me një cirkuit pompash dhe tubash në të cilat qarkullon gjak artificial me një temperaturë të barabartë me atë trupore të kafshës, duke i mundësuar oksigjenit që të shkojë në tru. Gjatë prezantimit në konventë Sestan nuk ka dashur të japë detaje të tjera sepse, sikurse ka thënë të periodiken e Massachusetts Institute of Technology (Mit), Technology Revieë, një gjë të tillë do ta bëjë vetëm pas publikimit të eksperimentit.

Ndërkohë tema është trajtuar edhe nga revista Nature, në një debat në të cilin kanë marrë pjesë 17 neuroshkencëtarë dhe bioetistë, mes të cilëve edhe vetë Sestan. Të gjithë janë dakord lidhur me domosdoshmërinë për të vendosur rregulla të reja për eksperimentet mbi trurin njerëzor. “Nuk mendojmë se pyetjet komplekse për këto argumenta duhet t’i ndalin këto kërkime – shkruajnë kërkuesit në editorial – por për të garantuar sukses dhe pranim shoqëror duhen përcaktuar rregulla për këto studime, pikërisht teksa janë në fazat e para të zhvillimit pjesët e testuara të trurit”, thanë ekspertët duke iu referuar organeve në miniaturë të krijuara deri më tani nëpër laboratore, mbi të cilat mund të studiohen sëmundje dhe të eksperimentohen ilaçe.  

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet