Shkrimtari shqiptar i himnit 
turk, Ersoy nderohet në Tiranë

Shkrimtari shqiptar i himnit <br />turk, Ersoy nderohet në Tiranë
Shoqata Alternativa e së Ardhmes "Alsar" në bashkëpunim me Bashkësinë e Sindikatave Arsimore “Eğitim-Bir-Sen” kane organizuar në Tiranë simpoziumin dy ditor (11-12 mars) ndërkombëtar me temë: "Mehmet Akif Ersoy në vendlindje". Programi i simpoziumit ishte i përbërë nga disa sesione, ku secili sesion ka patur nëntema dhe të pranishëm janë referues shkencor, profesorë, akademikë, studiues e historianë të mirënjohur nga rajoni i Ballkanit dhe Turqia.

Kryetari i Shoqatës “Alsar”, Mehdi Gurra, në fjalën e hapjes u shpreh se populli shqiptar dhe ai turk kanë nxjerrë personalitete të larta të përbashkëta për të dy vendet, të cilët sipas tij kanë lënë gjurmë të pashlyera, duke i shërbyer në këtë mënyrë të ardhmes së marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve.

Gurra ka shtuar ndër të tjera se Mehmet Akif Ersoy duhet të zërë vendin dhe pozitën e tij të merituar edhe në kulturën shqiptare, sepse sipas tij, edhe pse ka lindur në Turqi, ai ka krijuar një urë mes popujve.

Një fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet ka mbajtur edhe nënkryetari i Parlamentit të Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri -Turqi, Shpëtim Idrizi.

Idrizi në fjalën e tij vuri në dukje se e kaluara komuniste e Shqipërisë e ka lënë popullin shqiptarë të cunguar në drejtim të informacionit për shqiptarët jashtë. "Por fakti që sot jemi këtu është një shenjë e mirë" është shprehur ai dhe në vijim e ka cilësuar Mehmet Akif Eroy-n si një kontribuues të përbashkët të dy kombeve, atij turk dhe shqiptarë.

Kryetari i Nderit të Eğitim Bir Sen dhe njëkohësisht deputet i AK Parti-së në Ankara, Ahmet Gündoğdu në fjalën e tij përshëndetëse në këtë simpozium ka vënë në dukje përgjegjësinë që Mehmet Akif Ersoy kishte ndaj ymetit islam.

Në vijim të fjalës së tij ai tha gjithashtu se Mehmet Akfi është një person që ka pasur një qëndrim të fuqishëm kundër shkeljes të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së Civilizimit Islam.

Ndërsa Ali Yalçın, kryetari i Federatës së Sindikatave Arsimore në fjalën e tij përshëndetëse në këtë eveniment falënderoi të gjithë drejtuesit e OJF-ve të ardhur nga vendet e rajonit. “Është një nder për ne të organizojmë një eveniment për Mehmet Akif Ersoy-in në vendin e gjyshërve të tij" u shpreh ai. Më pas ai ka theksuar se ky personalitet ka një vend shumë të rëndësishëm në kulturën dhe letërsinë e Turqisë duke hedhur firmën për himnin e flamurit të këtij vendi.

Në vijim ai ka thënë gjithashtu se ky është një aktivitet historik pasi kemi të bëjmë me një organizim në bashkëpunim me Sindikatat e Arsimit në këto vende si dhe shoqatën Alternativa e së Ardhmes (Alsar)

Në aktivitet është lexuar edhe një mesazh nga Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ku ai i ka uruar sukese këtij simpoziumi ndërkombëtar.

Ndërkohë edhe ministri i Arsimit të Turqisë, Prof. Dr Nabi Avcı përshëndeti organizimin e një evenimenti të tillë. "Kujtimi i figurës së Mehmet Akif Ersoy-it dhe veprave të tij në shtëpinë e gjyshërve të tij është një nder për ne. Për këtë arsye unë falënderoj të gjitha organizatat që kanë dhënë kontributin për organizimin e një eventi të tillë. Duke e kujtuar me nderime Mehmet Akif Ersoy-in i uroj suksese këtij simpoziumi. Veprat e tij vazhdojnë të na ndrisin edhe ditët e sotme. Është e rëndësishme fakti që veprat e tij vazhdojnë të jenë një burim shprese për civilizimin tonë dhe të gjithë rajonin"

Duke thënë se ka shumë për të mësuar nga Akif Ersoy-i, Avcı theksoi se ai ishte një personalitet i cili mbarte të gjitha ngjyrat e vendeve të rajonit. "Sot kuptohet më mirë që puna e tij nuk ka shkuar kot. Një nga treguesit më të mëdhenj është edhe numri i shumtë i botimeve të tij" - tha Avcı dhe në vijim shton se për këtë personalitet duhet të flitet më shumë.

Pas fjalimit të Avcı-t, nënkryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Shpëtim Idrizi i ka dhënë një dhuratë simbolike e cila ishte një kostum popullor i zonës së Çamërisë.
Ndërkohë sot është promovuar libri Mehmet Akfir Erfosy, Safahat, i cili është përkthyer në gjuhën shqipe.

Ministri Avcı pas prezantimit të librit të përkthyer ka falënderuar edhe Shoqatën "Alsar" për punën që bën në këtë vend në bashkëpunim me shoqata humanitare si IHH.
Ndërsa në fjalën e tij ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar duke nënvizuar faktin që dy popujt kanë një histori 500 vjeçare të përbashkët në vijim theksoi rëndësinë e zhvillimit të një simpoziumi të tillë. Në vijim të fjalës së tij Bayraktar tha gjithashtu se fama e këtij mendimtari, shkrimtari dhe poeti të njohur i ka kaluar atë të kufijve të Turqisë.

Në përfundim duke i uruar mbarësi simpoziumit Bayraktar tha se shpresojnë në rritjen e aktiviteteve të përbashkëta kulturore turko-shqiptare.

Pas këtij fjalimi është shfaqur për të pranishmit një dokumentar i shkurtër i cili tregonte për jetën e shkrimtarit dhe poetit turk me origjinë shqiptare Mehmet Akif Ersoy.
Programi i ditës së dytë të simpoziumit ishte i përbërë nga disa sesione, si ”Mehmet Akifi dhe Rajon i Ballkanit”, "Poezia, Arti dhe Estetika e Mehmet Akif Ersoy-t” dhe ”Arsimi, Rinia dhe Modernizimi i Mehmet Akif Ersoy-t”.

Gjithashtu në Tiranë është hapur edhe ekspozita kushtuar Mehmet Akif Ersoy-t, ndërsa simpoziumi do ti vazhdojë edhe nesër punimet. Ekspozita në fjalë përmban foto dhe dokumente nga jeta dhe veprimtaria e Mehmet Akif Ersoy-t, ku dhe ka ngjallur një interes të lartë nga studiuesit vendas dhe të huaj.

Kush është Mehmet Akif Ersoy 

Mehmet Akif Ersoj lindi më 20 dhjetor 1873 në Stamboll. Poet, mësues, veteriner, mjek, hafëz e politikan. Ndërron jetë në Stamboll më 27 dhjetor 1936. Mehmet Akif Ersoj është autori i himnit kombëtar turk “Marshi i lirisë”. Shpesh herë kujtohet me sinonimet “Poet i atdheut” e “Poet kombëtar”. Poeti i himnit kombëtar turk, që për herë të parë u recitua para deputetëve të parlamentit turk më datë 12 mars 1921, është me origjinë shqiptare nga Kosova. 

Një biografi e shkurtër e Mehmet Akif Ersoy-t
Sipastëdhënave, Mehmet Akif Ersoj lindi në lagjen Fatih të Stambollit, në muajin Shevval të vitit 1290 Hixhri (Nëntor ose Dhjetor 1873) dhe ndërroi jetë më 27 Dhjetor 1936 po në Stamboll. Babai i tij Tahir efendiu ishte i biri i Nuredin Agait nga fshati Shushicë e Pejës dhe njëri ndër mendimtarët e kohës. Në të njëjtën kohë ai ishte dhe mësues në medresenë e Fatihut në Stamboll.

Siç shprehet dhe vetë Akifi, mësimet e para dhe në veçanti leximin e Kur`anit dhe gjuhën arabe i ka mësuar nga babai i tij. Ndërsa e ëma e Mehmet Akifit ishte zonja Emine Sherife me origjinë nga Buharaja.[1] Po të vihet re familja e tij është një shembull tipik i shoqërisë osmane; babai nga perëndimi, nëna nga lindja, që jetojnë në metropolin e botës, në Stamboll. Këtë aspekt e thekson dhe njëri ndër poetët më të mëdhenj turq Sezai Karakoç, i cili shprehet që, si në anën biologjike, ashtu dhe në atë intelektuale, Mehmet Akif Ersoji përbën një sintezë mes Lindjes dhe Perëndimit. 

Për sa i përket jetës së tij familjare dimë që Mehmet Akifi është martuar në moshën 25 vjeçare me zonjën Ismete. Edhe pse patën një jetë të vështirë në aspektin ekonomik, duke patur parasysh faktin, që Mehmet Akifi i harxhonte të ardhurat për idealet e tij, mësojmë që patën një jetë të lumtur familjare. Këtë aspekt Mehmet Akifi e thekson dhe në një poezi, të cilën ai i dedikon bashkëshortes së tij. Nga martesa e tyre mësojmë që patën 6 fëmijë, emrat e të cilëve ishin Xhemile, Feride, Suat, Ibrahim Naim, Emin dhe Tahir. 

Në lidhje me karakterin, jetën dhe veprimtarinë e tij na kanë ardhur shumë dokumente, ku më të rëndësishmet janë kujtimet e shokëve e miqve të shumtë të tij. Madje dhe vetë djali i Akifit ka shkruar në lidhje me jetën e të atit, duke prekur deri te anët më private të familjes, gjë që e bën më të thjeshtë dokumentimin dhe shkrimin e jetës së Akifit.

Sipas kujtimeve të miqve të tij mësojmë që, përveç anës zyrtare të Akifit, në të cilën ai njihet si tepër serioz, madje dhe i vazhdë në jetën personale por me miqtë na paraqitet shumë i gjallë. Ai kishte një interes dhe dije të hollësishme rreth muzikës lindore e perëndimore, merrej me sporte të ndryshme, si hedhjen e gjyles, mundjen dhe ecjen në distanca të gjata.

Ai ishte gazmor në biseda, madje bënte edhe shaka e batuta me miqtë e tij. Sipas kujtimeve të shumta, del në pah se bisedat apo takimet me miqtë e tij, karakterizoheshin nga recitimi i poezive, këndimi i ilahive e këngëve të ndryshme. Ai ishte shumë korrekt dhe i përpiktë në marrëdhëniet me miqtë dhe njerëzit e tjerë që e rrethonin. Nga kujtimet rreth tij, mësojmë që kjo anë përbënte njërin ndër virtytet më të rëndësishme që e karakterizonin atë. 

Ai kishte mbaruar shkollën e veterinarisë, por gjatë jetës së tij përveç shkrimit do të ushtrojë punë e detyra të ndryshme si: mësues i gjuhës turke në shkolla të ndryshme, punonjës i shtetit, mësues letërsie, deputet, pjesëmarrës në luftë, drejtues fetar, shkrues për revista, pjesëmarrës dhe drejtues në organizata të ndryshme, si dhe ka udhëtuar si i ngarkuar nga shteti në vende të ndryshme, si Berlin, Egjipt, Liban, Arabi, Shqipëri etj.

Në ditët e sotme nxirret në pah vetëm ana poetike e Mehmet Akif Ersojit, ose më mirë vjersha, që ai shkroi e që u zgjodh si himni i Turqisë. Por edhe ana aktiviste e tij ishte tepër e rëndësishme. Mjafton të përmendet fakti që, ai dhe pse ishte i angazhuar në punë nuk mund të rrinte duarlidhur dhe mori pjesë në luftën e Çanakkalasë. Pas lufte ai do të marrë pjesë në parlament, duke mbrojtur të drejtat e qytetarëve të vendit të tij.

Kur e kërkon nevoja ai do të lëvizë çdo cep të vendit për t’i udhëzuar ose për t’u transmetuar atyre dijet fetare. Po me vendim parlamenti dhe me propozim të Bashkësisë së Punëve Fetare ai u caktua të bëjë përkthimin e Kur’anit më 21 Shkurt 1925. Do të bashkëpunojë dhe në një revistë të rëndësishme për kohën si Sebilürreşad, ku në shumicën e rasteve do të përkthejë dhe dijetarët e kohës në gjuhën turke për t’i prezantuar mendimet e tyre rreth problemeve të kohës. Pra veprimtaria e tij është e lidhur ngushtë me të gjitha problemet e nevojat e kohës.
ersoy
ersoy
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës