Shqiptarët duan të bashkohen

Shqiptarët duan të bashkohen
Ky njëqind vjetor i Pavarësisë besoj do të mbahet mend si një lloj plebishiti i shqiptarëve për të manifestuar dëshirën e tyre të fortë të bashkimit nën një flamur kombëtar dhe në një shtet të vetëm. Kjo e bashkimit nën flamurin kuq e zi është një fakt i vjetër dhe kësaj radhe vetem sa u shpreh me një gjithpërfshirje të paparë në kushtet e lirisë. Kjo e bashkimit në një shtet të vetëm nuk u tha e s’mund të thuhej me fjalë të shkruara, por u shpreh qartë me gjuhën e gjesteve që është gjuha e epërme politike e popullit sovran.

Kush ka qenë në Vlorë në 100 vjetorin e Pavarësisë ka parë në popullsinë e pesëfishuar të atij qyteti projeksionin e bashkimit të shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera ku banojnë ata denbabaden. Shqiptarët u bashkuan në Vlorë në një lloj pelegrinazhi apo kuvendi të lirë e të gjerë të popullit për të pohuar ngadhnjimin e tyre mbi politikat e hershme të copëtimit e shfarosjes dhe përfshirjen e tyre përfundimtare në koncertin e kombeve të lira. Ata dhanë në Vlorë, jashtë çdo retorike, njoftimin e së ardhmes së tyre pa ndarje.

Nevermore -kurrmë ndarje. Njëqind vjet më parë Vlora u bë qyteti-zemër i Pavarësisë për një popull që lëngonte ende nën zgjedhën e pushtimit të dyfishtë otoman dhe serbomalazes në pjesën dërmuese të territorit kombëtar. Njëqind vjet më vonë, po Vlora, gjithnjë Vlora, u bë qyteti-zemër i bashkimit të kombit shqiptar. Herën e parë, me 28 nëntor 1912, etërit themelues, politikanë dhe intelektualë të iluminuar, ishin një hap para popullit të tyre të molisur nga sundimi pesëqindvjeçar otoman. Herën e dytë, më 28 nëntor 2012, populli u shfaq një hap para shtetarëve. Jo se këta të fundit nuk e dinë çfarë ka në kujtesën e shenjtë të rracës, por ua do puna të jenë të matur dhe t'i bëjnë llogaritë në logjikën që dikton partneriteti me aleatët strategjikë dhe politika e fqinjësisë së mirë. Sidoqoftë, plebishiti mbarëkombëtar në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë vendosi një kufi, caktoi një kurs. Që mund të mos jetë aktiv në një të ardhme të afërt-zhvillimet e reja gjeopolitike përfshijnë si rregull shumë aktorë.

Por asgjë nuk mund ta anullojë si të tillë. Sa më shumë shkon koha, sa më përpara shkojnë demokracia dhe proceset integruese, aq më e vjetëruar dhe e pakuptimtë duket ndarja e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është fakt se gabimin apo krimin e fuqive të vjetra, tashmë të zhdukura si të tilla, vendet e NATO-s me SHBA në krye e kanë korigjuar ndjeshëm me veprën e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. Sot populli shqiptar, i përafërt me fqinjët e vet serbë dhe grekë për nga numri, është i vetmi popull me dy Republika në Europë: atë të Shqipërisë dhe Kosovës. Madje me dy Republika e gjysëm, po të mbajmë parasysh faktin se shqiptarët etnikë të Maqedonisë janë një komunitet shtetformues.

Duket se historia ka zgjedhur këtë formë për të kompensuar padrejtësitë e së kaluarës për vendin tonë. Në rrafshin e përsiatjeve dhe shijeve intelektuale kjo gjë duket si një hakmarrje ndaj fatit të keq, pra duket mirë. Por pasi kanë prekur lirinë dhe demokracinë, popujt e këtyre shteteve, që janë i njëjti popull, po ndjejnë thirrjen e bashkimit, duke përceptuar me shqisën e vetedijës kombëtare se, si çdo vend tjetër, Shqipëria do të bëhët kur të bashkohet. Kjo është e natyrshme, e përligjur. Mendimi i popullit rrjedh i kulluar, i sinqertë dhe i drejtë në fushë të hapur, pa u përthyer në lentet apo pengesat e gjeopolitikës ku maturohet mendimi i politikaneve. Politikanët, sidoqoftë, janë thirrur në kauzë të gjejnë rrugët më të mirë për të sendërtuar aspiratat e popullit. Përndryshe, bien. Në lidhje me aspiratën e bashkimit mendimi politik shqiptar na tregon një spekter qëndrimesh dhe idesh, të cilat mëtojnë t'u përgjigjen pyetjeve kush të bashkohet, ku të bashkohen dhe si.

Kush të bashkohet?
Bashkimi nënkupton parasëgjithash Shqipërinë dhe Kosovën, dy republika të pavarura, që do të mund ta shtronin këtë çeshtje në aulat e tyre më të larta të politikbërjes dhe vendimarrjes politike, përfshirë referendumin popullor, që më duket i shkëshillueshëm ngaqë është i panevojshëm. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën e ka përgjigjen në vetë integritetin e Shqipërisë natyrale, në vetë aktin e Pavarësisë së vitit 1912. Bashkimi është i argumentuar dhe i zgjidhur si aspiratë e shqiptarëve.

Në pamje të parë, tani që Kosova po merr atributet e plota të një shtetit të pavarur, bashkimi në një i dy shteteve shqiptare, pasi të gjendej një zgjidhje e pranueshme për Mitrovicën e Veriut dhe për çeshtje të tjera më pak sensitive të palës serbe, duket gjithnjë e pak shqetësues edhe për fqinjët tanë ballkanikë. Gjithsesi, sendertimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë mbetet një çështje sa e shqiptarëve aq edhe e bashkësisë ndërkombëtare dhe varet mjaft edhe nga trendi i zhvillimeve politike rajonale e me gjerë.

Bashkimi i Shqipërisë me pjesën shqiptare të Maqedonisë nënkupton shpërbërjen e kësaj Republike. Në skenarin e shpërbërjes, nëse do të kishte një skenar apo një zhvillim të tillë, pjesa shqiptare e këtij vendi do të bashkohej vetvetiu me trungun amë. Por jashtë këtij konteksti, Tirana punon për fqinjësinë e mirë dhe është e interesuar për një Maqedoni të integruar në NATO dhe në BE. Ky është një qëndrim i drejtë. Shqiptarët e Maqedonisë janë në të drejtën e tyre të luftojnë për të forcuar statusin e tyre në republikën multietnike, por nuk kanë arsye të bëhen protagonistë të ngërçëve apo, për më tepër, të shpërbërjes së vendit. Kjo tezë ka mbështetës, sikurse ka mbështetës edhe teza e kundërt. Por unë mendoj se teza e parë është më e urtë.

Përtej këtij kuadri, qoftë Tirana, qoftë Prishtina kanë detyrimin t'u kushtojnë shqiptarëve në Mal të Zi, në Preshevë- Bujanovc e gjetkë vëmendjen e plotë që u kushtohet minoriteteve etnike , me qëllim që ata të gëzojnë të gjitha të drejtat e njohura nga kartat ndërkombëtare. Çështja "çame" është një çështje e madhe e së drejtës së mohuar të shtetësisë dhe pronësisë së një popullsie të dëbuar me dhunë nga tokat e shtëpitë e tyre në Republikën e Greqisë. Pra është një çështje që s'ka të bëjë me rivendikime territoriale apo ndryshim kufinjsh.

Ekuivoket apo qëndrimet gjoja nacionaliste në lidhje me minoritetet apo me çështjen e pazgjidhur çame kompromentojnë zhvillimet e mbara mbarëshqiptare në rajon dhe vetë kursin e ri të Vlorës, domethenë kursin e bashkimit, për të cilin folëm në krye të këtij shkrimi. Bashkimi i së bashkueshmes minohet duke përfshirë në të të bashkueshmen.

Ku të bashkohemi?

Deri më sot mendimi i partive më të votuara, në qeveri apo në opozitë, e ka lidhur agjenden e bashkimit me atë të integrimit në BE, duke e parë bashkimin si derivat të integrimit. Në këtë bashkërenditje aspiratash, popullore që të dyja, integrimi ka patur e ka përparësi , ndërsa ka qenë dhe është komode për të gjithë politikanët të flasin për një bashkim të gjithë shqiptarëve në Europë.

 E "përkthyer" në realitetin konkret të gjerave, kjo do të thotë që Shqipëria të hyjë në Europë, Kosova të hyjë në Europë, Maqedonia të hyjë në Europë dhe brenda konceptit të Europës pa kufinj shqiptarët të ndihen të bashkuar. Nga një anë ky lloj bashkimi duket pa shije në kuptimin nacionalist të fjalës, pasi brenda omrellës së BE-së Shqipëria do të bashkohet me Kosovën njëlloj si me vendet e tjera të BE-së dhe shqiptarët do të bashkohen mes vedi po aq sa do të jenë të bashkuar me grekët, bullgarët, rumunët, belget e kështu me radhë.

Por nuk ka dyshim se hyrja në Europë do të bënte automatikisht të tepërt ekzistencën e dy shteteve shqiptare. Vetë Europës nuk do t'i interesonte që faktori shqiptar të kishte dy vota apo me shumë se dy vota në aulat e vendimarrjes europiane. Bashkimi ynë kombëtar në Europën e Bashkuar është i sigurt. Në këtë rrafsh energjitë e harxuara për integrimin janë energji të harxhuara njeherësh për demokracinë dhe vetë bashkimin. Aspirata e integrimit duhet të mbetet e të shërbehet si përparësi e përparësive.

Nga ana tjetër, askush, asnjë politikan apo parti politike nuk mund të injorojë tashmë faktin se ka një akselerim popullor të dëshirës për bashkim. Populli nuk e merr zvarrë vendimarrjen politike, por as vendimarrja politike nuk mund t'i kundërvihet kursit të publikut. Në këtë sens çështja e bashkimit nuk mund t'u lihet deklaratave spontane apo emotive, ca më pak deklaratave për qëllime të mirëfillta elektorale. Kërkohet një reflektim intelektual dhe politik i nivelit të lartë, gjithpërfshirës patjetër, për të përcaktuar qëndrimet më të drejta e më të urta, që do të mund të gjenin mbështetje ndërkombëtare dhe zbatim në kohën që jetojmë.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

DiCaprio do të luajë Frank Sinatrën në filmin e ri

DiCaprio do të luajë Frank Sinatrën në filmin e ri