POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Si vrau Edi Harizaj Erjon Ahmetin dhe plagosi 2 të tjerë në Vlorë në 1999

Viktima Edison Harizaj, ka qënë i dënuar me 19 vite burgim nga gjykata e Vlorës për akuzën e vrasjes me paramentim të Erjon Ahmetit dhe plagosjen rëndë të Ferdinand Deda dhe Neritan Rama. Në këtë krim të ndodhur në 22 korrik 1999, Harizaj ka bashkëpunuar dhe me dy persona të tjerë të quajtur Alfons Merkaj dhe Skerdilajd Pashaj.

“Shqiptarja.com” mëson se fillimisht Harizaj është dënuar për këtë ngjarje me 25 vite burgim, por ky vendim është prishur nga Gjykata e Lartë, e cila ka vendosur të rikthejë dosjen për rigjykim. Harizaj, më pas ka proceduar me gjykim të shkurtuar, duke përfituar ulje dënimi dhe dënimi i tij përfundimisht ka qënë 19 vite burg. Në dokumentacionin që ka siguruar gazeta, rezulton se në datën 22 korrik 1999, Erjon Ahmeti dhe shtetasi Ferdinand Deda po udhëtonin me një makinë tip “Benz” me ngjyrë të bardhë me targa VL 3634 A në drejtim të “Skelës” dhe në afërsi të Xhamisë, tek pallatet e quajtura “Kullat”, kanë ndaluar në anë të trotuarit ku ndodhej Neritan Rama.

Breshëria e automatikut

Pikërisht në këtë moment drejt tyre kanë shtirë me një breshëri automatiku persona që po udhëtonin në drejtim paralel, në një automjet tip “BMË” me ngjyrë të bardhë, me targa të huaja. Si rezultat i të shtënave ka mbetur i vrarë Erjon Ahmeti dhe janë plagosur rëndë shtetasit Ferdinand Deda, i cili ka qënë në makinë me viktimën dhe Neritan Rama që ka qënë në lokal pranë vendit të ngjarjes. Alfred Merkaj që ka qënë me taksi pas makinës së viktimës, ka ndaluar në vendngjarje menjëherë për të dhënë ndihmën e parë, duke kryer transportimin për në spital të viktimës dhe dy të dëmtuarve.

Gjatë kqyrjes së vendngjarjes së datës 22 korrik 1999, janë gjetur 7 gëzhoja dhe automjeti i braktisur tip BMË me të cilin po udhëtonin vrasësit, si dhe një automatik kallashnikov, pa qytë e pa rrip, me dy krëhëra. Sipas akt-ekspertimit balistik ka rezultuar se arma ishte e rregullt teknikisht dhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje janë qitur prej saj.

Në lidhje me ngjarjen e sipër përmendur janë akuzuar Skerdilajd Pashaj dhe Edison Harizaj për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim”, të kryer në bashkëpunim, “Vrasjes me paramendim”, në bashkepunim, e mbetur në tentativë, “Plagosjen e rëndë me dashje” të kryer në bashkepunim. Për veprën penale të "Vrasjes me paramendim" të kryer në bashkëpunim të shtetit Erion Ahmeti, "Vrasje me paramendim", të kryer në bashkëpunim të mbetur në tentativë ndaj Ferdinand Deda si dhe "Plagosje e rëndë me dashje" e kryer në bashkëpunim ndaj shtetasit Neritan Rama.

Pyetja e Harizaj për zhdukjen e Xhaferit e Troqes

Edison Harizaj,njeriu më i përfolur në Vlorë, një biznesmen kontravers dhe pronar i një lokali të njohur në Vlorë me emrin “Oslo”, rezulton të ishte një nga personat e dyshuar për zhdukjen e Albano Xhaferit dhe Ervis Palla (Troqe).

Emri i Harizaj është përmendur në dëshminë e një të penduari në Vlorë, i quajtur Gazmend Merkaj, dëshminë e të cilit “Shqiptarja.com” e ka publikuar ekskluzivisht në datën 19 tetor 2018. Në dobi të hetimit dhe me shpresën për të zbardhur zhdukjet misterioze në Vlorë, prokuroria e Vlorës, në muajin korrik 2018 ka marrë në pyetje personin e përmendur në këtë dëshmi, shtetasin Edison Harizaj. Pyetja e këtij personi është realizuar nga prokurori i çështjes, ndërkohë që Harizaj u është shmangur të gjitha pyetjeve të bëra nga përfaqësuesi i organit të akuzës.

Përgjigjet e Harizaj, kanë qënë ironike, duke pohuar se nuk ka asnjë lidhje me zhdukjet e ndodhura në muajin qershor dhe korrik në Vlorë. “Nuk kam asnjë dhe nuk i njoh Albano Xhaferin dhe Ervis Palla Troqe”-mësohet të ketë deklaruar për herën e fundit kur ka qënë në prokurori Edison Harizaj. Për më tepër ky i fundit është përgjigjur ironikisht se “…në Vlorë më akuzojnë për çfarëdo lloj krimin…”. Harizaj mësohet të ketë vijuar me ironitë e tij në prokurori se: “…edhe një pulë të vidhet, i përflasin emrin lart e poshtë nëpër lokale…”. Këtë dëshmi ironike, Harizaj e ka dhënë duke marë shkak nga dëshmia që Gazmend Merkaj ka dhënë për llogari të grupit hetimor.

ke.mu./r.k.
Komento