Speciale/'Odisea' 7-vjeçare e
përdorueses së drogës.Apeli

Speciale/'Odisea' 7-vjeçare e<br />përdorueses së drogës.Apeli
TIRANE-Aktualisht është 47 vjeç dhe gjen forcën për të treguar historinë e saj. Një histori që ka filluar kalvarin e vuajtjeve që në moshën 7-vjeçare kur familja e saj u internua dhe më pas prindërit dhe motrat e vëllezërit patën një rrugëtim të gjatë vuajtjesh. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, vëllai i saj më i vogël, ishte përdorues droge. Nuk ishte adoleshente. As nuk u gënjye nga të panjohur. Ishte 32 vjeç dhe duke parë vëllanë e saj që arrinte të flinte dhe të mos mendonte për vuajtjet u shty për të provuar drogën.
 
“Vëllai atëherë ishte përdorues, u i thoja mos, e shaja vëllain faktikisht e ofendoja i thoja mos pi drogë, ça është kjo që pi ti, por po shajte ta jep zoti në kaptinë. E shikoja vëllain si pinte me cigare, bënte me shiringë, e zinte gjumi, nuk mendonte, thashë ua po ky ça bën kështu, ta provoj edhe unë njëherë thashë”, thotë ajo.
 
Përdori heroinë për 7 vjet rresht. Në vitin e parë të përdorimit u njoh me partnerin e saj, edhe ai përdorues droge. Në përpjekje për të krijuar familje, sollën në jetë një vajzë. Kjo nënë, përdoruese droge, tregon që ka marrë heroinë përgjatë gjithë shtatzënisë.

“Gjeta një të dashur, u lidha, u bëra si gjithë të tjerët, krijuam familje. Që të dy përdorues, s’ishte jetë ajo. Bëmë një gocë. Punonim të dy, morëm një dhomë me qira. Heroina na vuri poshtë të dyve. Arrita bëra fëmijë. Kam marrë drogë kur isha shtatzënë. Edhe ditën që kam lindur vajzën kam marrë heroinë”, shprehet ajo.
 
Vajza u rrit në jetimore, sepse vetë nuk kishte mundësi ta mbante. Por arriti ta rimarrë kur një lypëse i shtriu dorën dhe i ofroi ndihmë, duke e pranuar në barakën e vet, ku edhe jeton aktualisht.
 
“Erdhi një nënë, kishte 2 vajza. Më shikonte shpesh se edhe kjo ishte egjiptiane si puna ime, lypte te 15-Katëshi me dy vajzat e vogla, njëra sa kishte lindur ndërsa tjetrën e kishte 2 vjeç. Më mori tha të kam pa shumë shpesh, ti je femër, pse je vetëm? Ia qava hallin, siç po ta tregoj ty historinë ia tregova dhe asaj edhe ajo më tha se do jesh goca ime e treta, unë kam nja barake do vish të jetosh me mua”, deklaron ajo.
 
Për të siguruar paratë e  heroinës ka prostituuar për disa muaj. Në këtë mënyrë solli në jetë fëmijën e saj të dytë, ku e humbi pa mbushur vitin e parë të lindjes.

“Kam punuar pak prostitucion, 7-8 muaj. Tinëz mamit se nuk kisha çfarë të bëja. Dilja punoja aty ku ka qenë “Gropa e Sejdinit”, aty nuk më shikonte asnjeri. Punoja aty, s’e dija ç’ishte prostitucioni. Nuk e dija çfarë ishte dhe ngela shtatzënë. E mbajta fëmijën, thashë është fëmija i zotit. Shkova prapë dhe linda çun. E mbajta nëntë muaj dhe më vdiq...”, thotë ajo.
 
Ajo sot ka 10 vjet që përdor metadon, madje ka gjetur forcën për punuar dhe ndihmuar përdoruesit e tjerë që të dalin nga kjo situatë e vështirë.
 
“Më mori kjo nëna më futi në metadon, më tha që ti do të heqësh të gjithë veset e këqija, do të heqësh gjithçka. Më tha mami ku të vdes unë, do të vdesësh edhe ti, unë nuk të lë më rrugëve. U futa në terapi që në 2016-n. Që nga 2006 deri sot unë jam në rregull”,  shprehet gruaja.
 
Tregon që ka njohur përdorues të heroinës në moshë fare të njomë, vetëm 8 vjeç. Thotë që përdoruesit janë të shumtë. Për këtë bën thirrje prindërve dhe shoqërisë për të ndihmuar fëmijët.
 
“Ka që 8-vjeç që pi drogë e sot ka rënë në burg i shkreti për një biçikletë të qelbur që edhe në plehra ta kishte gjetur nuk e dënonte policia”, thotë 47-vjeçarja.
 
Edhe pse pranë të 50-ve dhe një përdoruese prej vitesh e metadonit, ajo kërkon të punojë, dhe për këtë i drejton thirrje kryetarit të bashkisë si dhe presidentit të vendit. Jeton në barake. Kërkon një punë që të ushqehet dhe të ketë mundësi të shtrohet në spital, që të heqë dorë edhe nga metadoni.

“Dua ta bëj edhe një thirrje, të vënë dorën në zemër për ne që jemi rrugëve. Një punë për fukarenjtë, për romët dhe egjiptianët. Nuk kemi më moshë për me dalë nëpër kazanë, unë nuk kam më moshë për kazana. Dua t’i bëj thirrje Erion Velisë të vërë dorën në zemër, se jam femër 47-vjeçare edhe shtëpinë që e kam është një copë barake, të paktën një punë për mua”, deklaron ajo.

Por realiteti i përdorueseve të heroinës duket se është shumë i frikshëm. Në të gjithë vendin njihen 40–45 mijë përdorues , ose edhe që e kanë provuar një herë të vetme, ndërsa përdoruesit problematikë janë 6500 vetëm në Tiranë. Genci Muçollari, drejtor i Aksion Plus, për Report Tv,  tregon realitetin e përdoruesve në vend.
 
“Po të flasim për shkallë në rang republike bëhet fjalë për 40,45 mijë përdorues që kanë përdorur të paktën një herë në jetën e tyre heroinë, sipas shifrave. Por nëse flasim për përdoruesit problematik bëhet fjalë për 6500 persona që mund të jenë në situatë kritike. Nga këta ne përballojmë rreth 600 persona që janë në Tiranë plus 50 të tjera ku këtu shtohen dhe burgjet, policia, shërbimi i provës që ne i ndjekim në mënyra të ndryshme. Këta janë të gjithë përdorues të tipit heroinë dhe këta janë më të rrezikuarit. Ndërsa qendra e terapisë funksionon për një person që vjen merr ilaçin dhe pastaj vazhdon jetën e tij. Nga ky aspekt ka edhe shumë përmirësime në një kontekst familjar edhe personal patjetër, por edhe shoqëror sepse një person i tillë mund të punojë , nuk është i varur nga substanca që do marrë përditë dhe është një ilaç. Ne i quajmë si persona të sëmurë, si një diabetik apo si një me tuberkuloz kronik ky do një trajtim afatgjatë”, thotë Genci Muçollari.

Përdoruesit e drogës nuk janë veç të rinj që gënjehen nga të tjerë më të mëdhenj. Mosha e përdoruesve është e çuditshme. Madje edhe prindër mbi 50-tat e tyre bëhen përdorues të heroinës. Ndaj vëmendja duhet të jetë më e madhe, sidomos për rininë dhe fëmijët. Nëse kjo nënë që e filloi heroinën në moshën 32-vjeçare sot kërkon me ngulm që vajza e saj, e cila ka krijuar familjen e saj tashmë, të mos e marrë vesh që nëna është një ish- përdoruese, të mos kemi më histori të përsëritura. Të mos kemi më fëmijë të cilët lindin nga prindër përdorues të drogave të ndryshme. Dhe rrjedhimisht një shoqëri me më pak dhunë dhe më të mirë.

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët