Speciale/Nis shtrimi i pllakave e
gurëve në sheshin “Skënderbej”

Speciale/Nis shtrimi i pllakave e<br />gurëve në sheshin “Skënderbej”
Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, e ka përdorur monumentin e kalit të Skënderbeut si pikë referimi apo vend takimi. Sot, përveç tij do të përdoret i gjithë sheshi.

Ai mbahet mend jo vetëm për punimet dhe imazhin si kantier ndërtimi, por edhe për imazhin që pritet të përfitojmë në fund të tyre duke e parë sheshin “Skënderbej” si pedonalen më të madhe në të gjithë vendin.

Kanë mbetur vetëm pak muaj nga momenti kur ky shesh do të jetë i aksesueshëm nga qytetarët. Në një përshkrim të detajuar të projektit nga vetë koordinatori i këtij projekti Gentian Agolli, do të njohim detajet e këtij projekti të madh.

Gurët, pjesa e mozaikut e cila do të zerë një sipërfaqe prej 23 mijë katrorë do të sigurohet nga të gjitha trevat shqiptare. Mozaiku do të ketë 4 ngjyra bazë. 

"Ne jemi në fazën kur do të fillojë shtrimi i gurëve, besoj javën që vjen. Kemi bërë shumë testime në shesh për mënyrën e vendosjes, dimensionet, trashësia. U është bërë provë laboratorike gurëve, e rezistencës, fërkimit, absorbimit të ujit. Janë aprovuar rreth 24 gurë të ndryshëm që janë marrë nga treva të ndryshme të Shqipërisë, nga Kosova e deri në Manastir. Janë gurë të gjithë me prejardhe shqiptare. Janë katër grupe në bazë të ngjyrës së gurëve, kemi ngjyrën jeshile, gri, bezhë dhe të kuqe. Secila prej këtyre ngjyrave ka 4, 6 dhe 8 modele. Të gjitha këto do të bashkohen me njëra-tjetrën dhe do të përfundojnë këtu në mes, që do të jetë një mozaik i këtyre katër gurëve. Dimensioni është 40x45, me trashësi 9 cm dhe me një fugë 6 mm. Me këta gurë dekorativë është një moazik prej 23 m2 dhe më pas vjen pjesa e kopshteve, pemëve frutore dhe lule. Sheshi është kodratik, i rrethuar i gjithi me gjelbërim. Pjesa e pallatit të kulturës do të jetë e mbushur me gjelbërim, kopshti mes Xhamisë dhe Pallatit të Kulturës, pas monumentit do të ketë pemë të larta. Edhe te Muzeu, sa mbaron pjesa e pllakave fillon direkt gjelbërimi. I gjithë projekti është 89 mijë m2, vetëm sheshi është 23 mijë m2, pjesa tjetër është sipërfaqe e ngurtë dhe e gjelbëruar. Sheshi gradualisht do t'u jepet qytetarëve, sheshi kryesor përfundon në pranverë, ndërsa pjesët e tjera do të përfundojnë deri në vjeshtë", u shpreh Agolli. 

Detaji tjetër i këtij sheshi janë edhe shatërvanet, të cilët jo vetëm që do të jenë të shumtë por edhe të lëvizshëm. Agolli shpjegon me detaje se si do të funksionojë i gjithë sistemi i qarkullimit të ujit dhe menaxhimi i tij.

"Në shesh janë rreth 100 burime të cilat e hedhin ujin në shesh, i cili rrëshqet në pllaka dhe grumbullohet te kanalina. I gjithë sheshi ka një kanalinë gjatësore dhe nga kjo kanalinë grumbullohet me sistem kanalesh dhe shkon prap në depon qendrore që është rreth 800 m3 dhe me pompa sillet prap në shesh. Ka edhe 330 shatërvane me presion, me dy pika, një te pisha dhe një te cepi ku është parkimi"

Gjysma e sipërfaqes së sheshit do të jetë e gjelbër.

Projekti do të sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Sipërfaqet e gjelbërta do të mbillen me 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh.

Por si do të ruhet sheshi Skënderbej nga dëmtimet e ndryshme?

"Do të krijohet një ekip menaxhimi që do të marrë në dorëzim sheshin, i cili do të merret me menaxhimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e sheshit. është ky grup menaxherial që do të kujdeset për sheshin", thotë koordinatori i këtij projekti Gentian Agolli.

Një risi tjetër për vendin tonë e këtij projekti është këndvështrimi ekologjik i tij duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve.

Pas këtij investimi të madh, vjen dhe premtimi se sheshi nuk do të çahet më, nuk do të ketë kanale pas përfundimit të punimeve. 

"Të gjitha punimet infrastrukturore në shesh kanë përfunduar. Nuk do të hapet më sheshi". 

Parkingu, me një kapacitet prej 300 makinave si dhe përdorimi i hapësirave të tij edhe për aktivitete të tjera, është një tjetër pjesë e pazëllit të këtij projekti.

"Parkimi ka 300 vende. është i organizuar në dy kate, kati kryesor është rreth 6 000 m2 dhe një ballkon me 2 000 m2. është parashikuar që të mos jetë vetëm parkim, por edhe për aktivitete të tjera të bashkisë së Tiranës, p.sh një treg për fundjavën. Pra, është organizuar të jetë me dy aktivitete", thotë Agolli. 

Po çfarë do të ndodhë me cilësinë e ajrit në parkingun në qendër të Tiranës? 

"Ajri është parashikuar sipas normave me katër ndërrime ajri në ditë. Ka një oxhak që del jashtë sheshit dhe me ventilim kalon të gjithë tymrat dhe gazrat që janë në parkim. Nga 300 makina që janë në parkim, në raport me makinat që lëvizin në Unazë është e papërfillshme ndotja e ambientit"

Objektivi i Bashkisë së Tiranës është që parkingu në sheshin qendror të Tiranës të jetë gati që në muajin mars. 

"Në kontratë, firma ka afat që ta mbarojë deri në 11 qershor, por besoj se do ta dorëzojë shumë më përpara. Kemi dëshirë që ta realizojmë në fund të marsit. Ky është objektivi", thotë Agolli. 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nëse SPAK-ut i rruhet për Ilirin dhe Monikën, ka 11 banjo tek një vilë në Gji të Lalëzit

Nëse SPAK-ut i rruhet për Ilirin dhe Monikën, ka 11 banjo tek një vilë në Gji të Lalëzit