POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Stoltenberg paralajmëron Prishtinën: Pasoja serioze nëse transformoni FSK-së në ushtri

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se Kosova “do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj”

Ai i bëri këto komente në përmbyllje të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar edhe për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

Parlamenti i Kosovës pritet të miratojë më 14 dhjetor ndryshimet ligjore që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë dhe shndërrimit të saj në ushtri të Kosovës.

Sekretari Stoltenberg tha se ky proces po ndodhë në një “periudhë të papërshtatshme. Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s, dhe, mund të ketë pasoja serioze për integrimet e ardhshme euroatlantike të Kosovës”.

Ai tha që nëse Kosova përmbyllë transformimin e Forcës së Sigurisë, atëherë “NATO-ja do ta shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”, por për këtë tha ai, duhet të vendosë Këshilli i Aleancës Veri-atlantike.

Më 18 tetor, parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjet për zgjerimin e përgjegjësive të Forcës së Sigurisë, duke shmangur ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës, ndryshime që u pamundësuan për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe deputetëve serbë.

Haradinaj: Ushtria nuk po bëhet kundër serbëve

Paralajmërimi i votimit më dhjetor ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, zyrtarët e të cilit thonë se "formimi i ushtrisë së Kosovës mund të rrezikojë paqen e qëndrueshmërinë dhe mund të çojë në pasoja tragjike". Zyrtarët serb kanë ngritur shqetësimin që autoritetet e Prishtinës do të përdorin ushtrinë e ardhshme kundër qytetarëve serb në Kosovë.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha të mërkurën se shpreson që Serbia nuk do të ketë nevojë të përdorë ushtrinë e saj, pas themelimit të ushtrisë së Kosovës.

"Shpresoj se nuk do të kemi nevojë kurrë të përdorim ushtrinë, por, në këtë moment, një gjë e tillë është një nga mundësitë në tryezë, sepse nuk mund të shohim pastrim të ri etnik dhe stuhi të reja, edhe pse [kryeministri i Shqipërisë] Edi Rama bën thirrje për të tilla", tha ajo në një takim me gazetarë në qeverinë e Serbisë, por pa e saktësuar se për çfarë komentesh të kryeministrit Rama bëhet fjalë.

Por, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha të mërkurën se krijimi i ushtrisë nuk po bëhet për të shqetësuar banorët serb në veri të Kosovës, por për të ndihmuar forcat e NATO-s në luftërat aktuale.

“Së pari ne nuk e kemi ushtrinë për veriun e Kosovës, kjo është një gënjeshtër, ne ushtrinë e kemi për Afganistan dhe Irak për të ndihmuar NATO-n, por nuk kemi plane për veri, i ftoj serbët e Kosovës që të shërbejnë në Forcën e Sigurisë që do të quhet edhe me tutje. Asnjë plan për destabilizim as të veriut as të një zone tjetër, Kosova është shtëpia e të gjithë neve dhe banorët në veri janë në shtëpinë e tyre edhe ata në jug edhe ne kudo që jemi, nuk e ka Kosova qëllim në asnjë mënyrë që të shqetësoj banorët serb”,tha ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj shkroi në rrjetet sociale se “Serbia po vazhdon me propagandën e saj agresive kundër Kosovës, përmes medieve të saj të kontrolluara, për të krijuar panik. Këto kërcënime janë veprime të dëshpëruara me qëllim të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Si anëtare e ardhshme e NATO-s, transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur vetëm sa do të garantojë paqe dhe qëndrueshmëri”, shkroi ai.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u tensionuan kohët e fundit pasi që qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj fushatës së saj kundër shtetësisë së Kosovës.

Sekretari i NATO-s tha të mërkurën se masat e vendosura nga Prishtina kanë krijuar ndarje të reja dhe po i vështirësojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Duke i cilësuar bisedimet si rrugën e vetme për paqe të qëndrueshme në rajon, ai bëri thirrje që të dyja palët të tregojnë vetëpërmbajtje, të veprimet dhe deklarimet provokuese.

Vitin e ardhshëm mbushen 20 vjet nga ndërhyrja e NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Nëntë vjet pas asaj ndërhyrjeje Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, si kusht për integrimin në Bashkimin Evropian. VOA

 

 

 

 

rr.zh/r.k.
Komento

Komente

  • Fredi: 06/12/2018 16:11

    Pse ç far duan këta , një kosovë si breshkë kokëulur? Përse nuk duan një Kosovë të fortë? Kush është ky tu tregojë shqiptarëve që ushtria e Kosoves, pra fuqizimi i saj mund të përbëjë rrezik nderkohë që shqiptarët kurrë në histori nuk i kanë sulmuar të tjerët? Perse nuk do ky fuqizimin e ushtrisë se Kosovës? Kujt dhe ku jep llogari ky?

    Përgjigju
  • Blenard: 05/12/2018 20:08

    Kjo esht nje marrezi qe ju bejn shqiptareve ! Ne duhet menjeher te bashkohemi te bejm nje ushtri te forte e ti shkaterroim kush na do te na mbaj nen kthetra

    Përgjigju