POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Strategjia e re e punësimit/ Angjeli: Në fokus të rinjtë dhe teknologjia

Një draft i ri për punësimin, për evidentimin e problemeve të tregut dhe gjetjen e zgjidhjeve për krijimin e vendeve të punës. Ekspertët po hartojnë një dokument të rëndësishëm, që do t’i shërbejë qeverisë për Strategjinë e rë të Punësimit për periudhë 2018-2022.

Lajmin e bën të ditur Anastas Angjeli, anëtar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe drejtues i grupit të punës, që po harton dokumentin në fjalë. Pjesë e grupit të punës janë edhe deputetë të tjerë, si dhe ekspertë dhe akademikë. “Qeveria ka ndjeshmëri të lartë për punësimin dhe kërkon ta zgjidhë këtë çështje në afatmesëm dhe afatgjatë. Kryeministri ka ngarkuar një grup pune që po përgatit një dokument për strategjinë e re të punësimit. Dokumenti fokusohet në disa drejtime, për prioritetet e strategjisë në afatmesëm dhe rekomandime për hapjen e vendeve të reja të punës nëpërmjet instrumenteve të politikave të zhvillimit, por edhe instrumenteve financiarë”, ka shpjeguar Angjeli.

Ish ministri i Financave ka argumentuar se duhet një përqendrim më i madh i vëmendjes tek punësimi i të rinjve dhe kjo do të reflektohet te dokumenti që po hartojnë ekspertët. “Në fokus është punësimi i të rinjve, që është problem për vendin tonë. Sot teknologjia po ecën me hapa të shpejtë dhe duhen orientuar të rinjtë drejt teknologjive të reja”, është shprehur Angjeli.

Dokumenti do t’i nënshtrohet diskutimit publik me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces. Takimi i parë u bë me gazetarët e ekonomisë, të cilët dhanë opinionet e tyre për përmirësimin e draftit. Të tjera takime dhe tryeza diskutimi janë parashikuar në disa rrethe të Shqipërisë, me përfaqësues të biznesit, pushtetit vendor dhe aktorë të tjerë. “Do të bëjmë një analizë të kostove-përfitim. Pra, sa lek kushton një vend pune në Shqipëri. Gjithashtu, do të propozojmë një ristrukturim të institucioneve për punësimin, me qëllim që të ulet diferenca mes rritjes ekonomike dhe punësimit”, ka shpjeguar Angjeli.

Niveli i papunësisë në Shqipëri është ulur vitet e fundit, megjithëse ky mbetet një problem shumë i madh për vendin. Pasi, rritja ekonomike relativisht e lartë kundrejt rajonit, në rreth 3.7% nuk reflektohet në krijimin e vendeve të reja të punës, shqetësim i ngritur edhe nga misioni i fundit i FMN-së në Shqipëri pak ditë më parë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se niveli i papunësisë për vitin 2017 shënoi 13.7 % nga 15.3% që ishte një vit më parë.

 

 

/g.n.
Komento