Incident në protestë, një grup studentësh i heqin megafonin pedagogut/ Zbardhet letra me kërkesat e reja drejtuar Ramës

TIRANE-Studentët prej orës 10:00 kanë rinisur në ditën e gjashtë protestën përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për plotësimin e kërkesave. Rreth orës 11:00 situata është tensionuar, pasi një grup studentësh i kanë hequr megafonin pedagogut të Shkencave të Natyrës Jani Marka duke e larguar nga podiumi i improvizuar. Pas incidentit, pedagogu ka akuzuar për dhunë eksponentët e Partisë Demokratike. "Më dhunuan me grushte" tha ai.

Ndërkohë që studentët sot i kanë dërguar një letër me kërkesat kryeministrit Rama, kryetarit të Kuvendit Ruçi dhe ministres Nikolla. Në listë janë shtuar kërkesat për; Ndërtimin e bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkimi shkencor i pedagogut të bëhet online dhe verifikimi i titujve akademikë të pedagogëve.

Në ditët e kaluara studentët kanë kërkuar që ministrja të zbresë në shesh dhe ti dëgjojë, por dje kur ministrja e bëri një veprim të tillë u refuzua. Nikolla reagoi dje në rrjetet sociale pas daljes dhe refuzimit (lexo këtu) në protestën e studentëve përpara zyrës së saj. Sipas ministres së Arsimit, ajo doli për të dialoguar për kërkesat që kanë shtruar këto ditë studentët, por këta të fundit, sikurse tha ajo, në mënyrë të pabesueshme kanë vendosur të vazhdojnë protestën dhe të mos pranojnë komunikimin me të. 

Kërkesat e para të studentëve (lexo këtu)
Kërkesat e dyta të studentëve (lexo këtu)
Kërkesat e tretë/ Letra drejtuar Ramës, Ruçit e Nikollës nga Këshillat Studentorë/ Datë 9 Dhjetor

1. Rritja e buxhetit në 5% e GDB me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për cdo nivel studimi, përmirësim e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).
2.Transparence me buxhetin nga ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online
3.Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe cdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5.Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6.Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19
7.Ndërtimi i bibliotekave me starndarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8.Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.

Kërkesat e studentëve drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (kliko këtu që të shikoni dokumentin)

Ne do të vazhdojmë bojkotimin e mësimit dhe protestën deri sa këto kushte të plotësohen. Kushtet janë të panegociueshme

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:23
Studentët refuzuan ftesën për bashkëbisedim, Rama: Po kërkoj dialog, jo negociata. Kush po i pengon?

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një statusi në Twitter pasi studentët refuzuan ftesën e tij për bashkëbisedim nesër në orën 11:00 live në Facebook. Kreu i qeverisë shton se një frikë të tillë nga dialogu e ka ndeshur te politikanët, ndërsa ngre pikëpyetjen se dikush po i pengon studentët duke bërë megafonin e prishur me telefon. "Negociata? Kush po kërkon negociata se unë kërkoj Dialog, jo negociata. Frikën nga Dialogu e kam parë tek politikanët që sot presin t'i nxjerrin gështenjat nga zjarri duke mos treguar duart. Mos vallë kush po i pengon studentët me megafon kundër Dialogut bën telefonin e prishur?", shkruan Rama.

Ora 18:16
8 kërkesat e studentëve, Rama: Të ngrejmë një mekanizëm bashkëqeverisje, nesër në 11:00 dialog në FB

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur protestës së studentëve ku i ka ftuar për dialog dhe ngritjen e një strategjie qeveri-student. Në rubrikën “Përgjigjja ime” në Facebook, kryeministri Edi Rama njofton se ditën e hënë do të këtë një dialog për Universitetin duke nisur nga ora 11:00. "Pikërisht tani duhet tentuar një strategji e përbashkët student-qeveri. Për ta vënë në jetë këtë duhet një bashkim i qeverisë, studentëve dhe pedagogët që duan dalje nga qarku vicioz dhe jo zgjidhje nga qarku vicioz për të dalë nga korrupsioni dhe keqadministrimi i universitetit. Studentët nuk e bëjnë këtë nga poshtë pa qeverinë, sepse nuk kanë autoritet vendimmarrës, ndërsa qeveria nuk e bën dot nga lart pa ata. As qeveria nuk është pa kusure në këtë moment", u shpreh Rama. (Lexo të plotë deklaratën)

Ora 16:20
Ftesa e Ramës për dialog, studentët refuzojnë sërish: S'ka negociata, plotëso kërkesat

Studentët i janë përgjigjur negativisht ftesës së dytë të kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar një bashkëbisedim live në rrjetin social Facebook të hënën në orën 11:00 (Lexo këtu). Menjëherë pas kësaj ftese të kreut të qeverisë, studentët e mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit kanë refuzuar, duke i kërkuar kryeministrit që të plotësojë kërkesat e tyre. "Nuk pranojmë as dialog dhe as negociata. Edi Rama duhet të miratojë kërkesat tona. Kryeministri nuk na pyeti kur miratoi buxhetin. S'ka për çfarë të na pyesë as tani. Kërkesat tona janë të panegociueshme", kanë thënë studentët të cilët vijojnë të protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit prej orës 10:00.

Ora 15:54
Rama i fton nesër në 11:00 në bashkëbisedim live në Facebook, studentët refuzojnë: Jo negociata, plotëso kërkesat

Kryeministri Edi Rama ka ftuar publikisht studentët protestues për dialog me qeverinë. Në rrjetin social “Facebook”, Rama shkruan se nesër në orën 11:00 do të zhvillojë një bashkëbisedim live me studentët, me qëllim diskutimin e kërkesave të tyre, të cilat artikulohen prej 6 ditësh në protestat e zhvilluara para Ministrisë së Arsimit, por edhe në qytete të tjera. Studentët kanë paraqitur tetë kërkesa në adresë të qeverisë dhe vazhdimësia e protestave, sipas tyre, do të varet nga lëvizja e qeverisë.  

Postimi i Ramës në Facebook

Kjo është thirrja e dytë e Ramës drejtuar studentëve, pasi edhe ditën e dytë të protestës së tyre i ftoi të negocionin, por studentët refuzuan. Pas apelit të kreut të qeverisë, ka ardhur edhe reagimi nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit. Ata janë shprehur se nuk duan as negociata dhe as dialog me qeverinë, duke i lënë si detyrë dhe kusht plotësimin e 8 kërkesave (Lexo këtu). Në një reagim të dytë më pas, kryeministri sqaroi se nuk kërkon të negociojë me protestuesit, por të dialogojë me ta (Lexo këtu). Kujtojmë se ditën e martë, studentët kanë paralajmëruar një protestë edhe më masive, të cilës do t’i bashkohen studentë nga të gjitha rrethet.

Ora 15:34
Plotësimi i tetë kërkesave, studenti: Ministria e Arsimit, afat deri të martën

Një student ka bërë me dije për gazetarin e Report Tv, Dricim Caka se afati që do t'i lihet Ministrisë së Arsimit për plotësimin e tetë kërkesave të parashtruar nga ato, do të jetë dita e martë (11 dhjetor).

Ai u shpreh se kërkesat janë lehtësisht të plotësueshme për Ministrinë e Arsimit. Sa i takon përfshirjes së politikanëve në protestë, ai tha se studentët kanë përjashtuar cdo kënd që ka tentuar të ushtrojë propagandë politike në protestë dhe se ato konsiderojnë si simbol lidhës mes tyre, vetëm flamurin shqiptar.

"Kërkesat janë lehtësisht të plotësueshme nga Ministria e Arsimit. Madje, është turp të diskutohen. Ju e keni parë edhe vet, besoj se keni qenë i pranishëm që prej ditës së parë të protestës, cdokush që është mundur ta politizojë këtë protestë është larguar, ne marrim parasysh vetëm simbolin e vendit, flamurin kuqezi, jo politikanë", u shpreh studenti për gazetarin e Report Tv.

Ora 14:46
Studentët nxjerrin një tjetër listë me kërkesa te Ministria e Arsimit: Duam WIFI falas

Ndërkohë që një letër me tetë kërkesa i është drejtuar kryeministrit Rama dhe ministres Nikolla, një tjetër listë me kërkesa është vendosur në hyrje të Ministrisë së Arsimit. Në listë janë të përmbledhura kërkesat e ditëve të fundit, ndërkohë që përpos të tjerave, studentët kërkojnë edhe WIFI falas në cdo fakultet.

Ora 14:43
Zbardhet letra me kërkesat që studentët i dërguan Ramës, Ruçit dhe Nikollës

Këshillat Studentorë i kanë dërguar sot një letër kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe ministres Nikolla ku paraqesin kërkesat e tyre të reja për një arsim cilësor. Në listën me tetë kërkesa që i është dërguar sot Ramës, Ruçit dhe Nikollës janë shtuar kërkesat për; Ndërtimin e bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkimi shkencor i pedagogut të bëhet online dhe verifikimi i titujve akademikë të pedagogëve. Në fund të kërkesës së tyre studentët theksojnë se “Ne do të vazhdojmë bojkotimin e mësimit dhe protestën deri sa këto kushte të plotësohen. Kushtet janë të panegociueshme”.

Ora 14:41
Studentët protestues vijojnë me publikimin e emrave të pedagogëve që marrin ryshfet

Studentët protestues kanë nisur operacionin “Fshesa”, ku edhe kanë demaskuar pedagogët që sipas tyre marrin ryshfet për ti kaluar në provime. Sipas banderolës së studentëve, më kryesori është Thanas Nushi, pedagog në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës.  

Studentët denoncojnë pedagogët  

Edhe ditën e djeshme studentët akuzuan me emra pedagogët në Universitetin e Tiranës, Gjirokastrës dhe të Elbasanit. Për më shumë detaje (LEXO KËTU)

Ora 14:27
Incidenti me pedagogun, Këshilli Studentor: Tentoi politizimin, por distancohemi nga dhuna

Këshilli Studentor ka reaguar duke u distancuar nga incidenti dhe dhuna ndaj pedagogut Jani Marka paraditen e sotme. Këshilli thotë se pedagogu u largua pasi tentoi që të politizonte protestën. “Jani Marka që është pedagog, por edhe anëtar i organizatës politike, me orientim politik neo-komunist. U largua nga studentët për arsye se ka ditë që tenton ta politizojë. Ne  jemi kundër përfshirjes së partive në protestë. Ne duam plotësimin e kushteve tona dhe asnjë ndikim. Kërkesat e studentëve janë të qarta. Distancohemi nga përdorimi i dhunës dhe thirrjet për dhunë” thuhet në reagimin e Këshillit Studentor.

                      Deklarata e Këshillave Studentore
Ora 13:30
Incidenti në protestë/ Lëvizja ‘Për Universitetin’ thirrje Bashës: Tërhiqu nga dhuna dhe përçarja

Lëvizja Për Universitetin ka reaguar sërish në faqen e Facebook pas incidentit me pedagogun Jani Marka. Lëvizja shprehet se janë regjistruar 12 sulme kundër tyre, ndërsa akuzojnë se “Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, agresorët kanë qenë të forumeve të Partisë Demokratike”. Lëvizja ka edhe një thirrje për Lulzim Bashën. “U bëjmë thirrje strukturave drejtuese të PD-së, si dhe kryetarit Lulzim Basha, që të tërhiqen nga aktet e dhunës dhe metodat e tjera që synojnë intimidim dhe përçarje”.

“Lëvizja Për Universitetin u bën thirrje të gjitha partive politike që të ndalin veprimet përçarëse ndaj studentëve. Edhe më fort se nga ne, thirrja për mospërfshirjen e partive vjen nga mijëra studentë njëzëri. Janë ata që e kanë kuptuar se partitë kanë vetëm një interes: përçarjen e studentëve dhe instrumentalizimin e protestës për agjendat e tyre. Përmes shpifjeve të përhapura nga disa kanale dhe në disa nivele është tentuar të përhapet edhe gënjeshtra sikur Lëvizja ka penguar protestues të "Astirit" që t'u bashkoheshin protestës. Jo vetëm që kjo gënjeshtër u zbulua nga mungesa e fakteve që lidhin studentët e Lëvizjes me rastin në fjalë, por edhe vetë akuzuesit kanë pretenduar më vonë përmes fotove se bëhej fjalë për ndonjë veprimtar partiak që nuk e lidh asgjë me ne” thuhet ndër të tjera në deklaratën e lëvizjes.

Ora 13:11
Studenti: Nuk ka bir nëne dhe politikani që të futet dhe të na përçajë

Prej orës 10:00 studentët vijojnë protestën para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Një prej studenteve u shpreh “Nikolla mos na dil më përpara, nuk jemi ngelësa, e as shpellarë, por ekselentë dhe qytetarë”. Ndërsa një tjetër prej tyre theksoi se  “Nuk ka përçarës bir nëne dhe politikani që të futet dhe të na përçajë ne këtu. Ata që hanë byreqe te cepat nuk kanë për të na përçarë. Kam një kërkesë për të gjitha bizneset të na sjellin një zgjatues dhe bokset të kalojnë i bokseve dhe ti kalojnë te krahu matanë”.

Ora 12:53
Ndërpritet korrenti për foninë, studentët: U kërcënuan personat që dhanë energjinë

Studentët e Akademisë së Arteve kanë sjellë pajisjet për foninë për studentët që janë në protestë. Ndërkohë që studentët kanë akuzuar se personat që kanë dhënë energjinë janë kërcënuar duke sjellë ndërprerjen e korrentit. Studentët i kanë bërë një thirrje edhe biznesit që t’i ndihmojë me një kabull për të zhvendosur bokset në mënyrë që të ketë vetëm një megafon duke u organizuar më mirë.

Ora 12:19
FOTO/ Ja militantët dhe aktivistët e partive politike në protestën e studentëve

Protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit prej gjashtë ditësh nuk i kanë shpëtuar militantët e partive politike. Report Tv sjell pamjet e disa prej anëtarëve të forumeve politike që i janë bashkuar protestës në gjashtë ditët e fundit në Tiranë, por edhe universitetet në rrethe. Nga Kristina Tonaj, anëtare e FRPD Shkodër, Sekretari i Burimeve Njerëzore për LRI, Gaetano Doçi i njohur për mediat si ‘Bodyguard-i’ Monikës (lexo këtu), kryetari i LRI-së në Qarkun Lezhë, Andrea Gjini, por edhe një tjetër militant po të LSI i janë bashkuar tubimit të studentëve.

Ora 12:13
Incidenti/ Reagon Lëvizja “Për Universitetin”: Rrugaçët e partive ushtruan dhunë

Lëvizja “Për Universitetin” ka reaguar pas incidentit me pedagogun Jani Marka. “Rrugaçët e partive politike të infiltruar në protestë kanë ushtruar dhunë mbi pedagogun dhe aktivistin e Lëvizjes Për Universitetin Jani Marka. Dhunuesit do të marrin përgjigjen e merituar nga mijëra studentët protestues. Nuk do të lejojmë përçarjen e protestës as sot, as kurrë” thuhet në reagim.

Ora 12:13
‘Nxiti dhunë’/ ‘Lëvizja Për Universitetin pro nesh’/ Studentët qëndrime të ndryshme për pedagogun

Studentët janë të ndarë për qëndrimin në lidhje me pedagogun Jani Marka, pjesë e lëvizjes Për Universitetin, i cili u largua nga podiumi. “Këtu nuk ka mbështetje por përçarje. Të shporrim ata që erdhën për ta na përçarë, mos bini pre e dhunës. Profesori që larguam bëri thirrje për përçarë, nxiti dhunë për forumet partiake. Profesori kërcënoi me jetë njëri nga studentët dhe ai do të shkojë që ta denoncojë. Nëse lëvizja vjen për kauzat tona le të vijë nëse jo  nuk e pranojmë” tha njëra nga studentet. Ndërsa një tjetër studente, ishte kundër duke shprehur mbështetjen për pedagogun, pasi sipas saj ka qenë pro kauzave të tyre. “Nuk është e vërtetë që Lëvizja për Universitetin mbështet Veliajn. Lëvizja është një lëvizje e cila ka iniciuar reformën kur këta nuk ishin fare në shesh”.
 

Ora 11:50
Qetësohet situata, pedagogu vijon që të jenë në protestë

Ndërkohë që pavarësisht se një grup e largoi për disa minuta para ministrisë së Arsimit duke i hequr megafonin, grupi tjetër e ka mbështetur pedagogun Jani Marka. Pas qetësimit të situatës, pedagogu vijon që të jetë pjesë e protestës.

Ora 11:50
Studenti për Report Tv: Pedagogu është me ne, po na përçajnë militantët e partive

Një student në protestë ka reaguar pas incidentit me pedagogun Jani Marka duke i dalë në mbrojtje, ndërsa ka akuzuar se një grup prej 20-30 personash po përçajnë protestën. “Pedagogu është i Biologjisë te Shkencat e Natyrës ka bërë dhjetëra protesta për të na mbrojtur ne. Nuk e dimë se çfarë ndodhi aty. Pedagogu ka ardhur dhe ka mbajtur fjalime, nuk e ka përmendur asnjëherë lëvizjen Për Universitetin. Ne kemi në parulla ftesën për pedagogun, ndërkohë që ata vijnë, disa përçarës aty e largojnë. Kjo lëvizje na mbështet ne, ndërsa partitë mundohen që të na përçajë. Është një grup prej 20-30 vetash që mbajnë megafonin në dorë dhe nuk lejojnë që të flasin të tjerët. Këta janë të verbër nga informacionet e gabuara dhe thonë që kjo lëvizje është kundër nesh” tha ai.

Ora 11:24
Pedagogu që u largua nga një grup studentësh në lot: U dhunova, PD të tërheqë eksponentët, po përçan protestën

Pedagogu Jani Marka ka folur pas incidentit në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit. Teksa po fliste para gazetarëve ai ka shpërthyer në lot, ndërsa ka akuzuar për dhunë ndaj tij dhe i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të tërheqë eksponentët që sipas tij po përçajnë tubimin dhe e kanë goditur me grushte. “Unë jam pedagog. Në 1992 kam qenë 12 vite, nga ajo ditë deri sot mund të kem ndërruar disa herë bindjet, por duke u pjekur forcohen idealet.

Unë kam shumë ideale, por ajo që nuk është partiake, është ajo që kanë studentët. Arsim cilësor. Studentëve u duhet të paguajnë 2 mln lekë tarifë. Unë doja të flisja kundër dhunës. Kjo ishte e paparashikueshme, kjo protestë u ka dhënë shpresë shqiptarëve. Po ushtrohet dhunë e vazhdueshme ndaj nesh. Janë hedhur mbi ne sulme të jashtëzakonshme. Na akuzojnë se jemi pjesë e një organizate tjetër, jam krenar që jam pjesë e saj. Unë kam protestuar kundër Veliajt, ndërsa na akuzojnë se jemi vegël e tij. 

Unë jam dhunuar dhe dola të flas atje kundër dhunës. Na akuzojnë për përçarje, por do ta merrni vesh ku janë. Forumet partiake po përçajnë protestën, por ne do i demaskojmë. Janë këtu forumet e tyre, partitë. Pse nuk më lanë të flisja, çfarë kam bërë, çfarë kam bërë unë, çfarë dëmi i kam sjellë që zbohem? Do të flisja për problemet e universitetit. Ne nuk jemi parti. Kemi katër vite si lëvizje për Universitetin, kemi qëllim vetëm universitetin. Protesta uroj që të vijojë, dhe ftoj PD që të tërheqë eksponentët nga protesta” tha ai.

Ora 11:24
Incidenti/ Studenti: Pedagogu është me ne, distancohemi nga dhuna

E ndërsa disa nga studentët e larguan pedagogun, njëri prej studentëve i ka dalë në mbrojtje. “Këta të dhunshmit nuk janë studentë, distancohemi nga dhuna, profesori është me ne. Ftoj cdo profesor që të na bashkohet, distancohemi nga dhuna, këto janë shkasa për ta prishur këtë frymë lirie” deklaroi njëri nga studentët.

Ora 11:11
Incident në protestë, studentët i heqin megafonin dhe largojnë pedagogun e lëvizjes “Për Universitetin”

Tensionohet situata te protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Në një moment pedagogu i Shkencave të Natyrës Jani Marka nuk është lejuar që të flasë nga studentët, ata i kanë hequr megafonin duke e larguar me forcë nga podiumi i improvizuar, pasi e kanë akuzuar si pjesë e lëvizjes ‘Për Universitetin’. “Po jetojmë në një ditë dhune, jemi në dhunë. Madje dhunë është edhe fakti që këtu rreth meje ka njerëz që...” këto ishin fjalët e pedagogut që sollën reagimin e disa studentëve, të cilën reaguan me fjalët “Ik, Ik, Ik...” ndërsa Jani Marka vijonte që të shprehej “Dhunë, dhunë, dhunë”. Një pjesë e studentëve janë shprehur kundër tij në protestë, ndërsa një pjetër tjetër e kanë pranuar duke theksuar se 'pedagogu është me ne'. Pas disa minutash situata është qetësuar. 

Momenti kur studentët i heqin megafonin dhe largojnë pedagogun Jani Marka
Ora 10:58
Studenti: Na ka ardhur në majë të hundës! Grevë? Do të vendosin studentët

Një tjetër student që po proteston para MAS është shprehur për mikrofonin e Report Tv se është tentuar disa herë të përçahet protesta. “Përpjekje mund të ketë për të na përçarë, por kjo nuk është gjë e mirë. Ka ndërhyrje të tilla, shoqëria është e brishtë, secili kërkon të marrë autorësinë e protestës. Bisedimet janë këtu. I miratuan vetë pa na pyetur, grupet e interesit, tani ti rrëzojnë vendimet. Do të vijojë rezistenca, kjo është një frymë e ndezur, si frymë edhe për shoqërinë. Tani do të vijojë rezistenca. Grevë urie? Do të vendosin studentët” tha ai.  

Ora 10:52
Gjirokastra i bashkohet protestës pas 5 ditësh, studentja: Më mirë vonë sesa kurrë

E ndërsa në pesë ditët e para nuk ka pasur asnjë tubim, sot në Gjirokastër për herë të parë është zhvilluar një protestë nga studentët para universitetit. Si studentët në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Durrës dhe Korçë, edhe në Gjirokastër kërkesat janë të njëjta. “Jemi vonë, por më mirë vonë sesa kurrë. Gjirokastra nuk mund të jetë pasive me gjithë kulturën që ka. Nuk do të pranojmë asnjë politikan. Përsa i përket kushteve, unë nuk jetoj në konvikte, por janë skandaloze” është shprehur njëra nga studentet.

Ora 10:37
‘Lindita ik po deshe, ne këtu na ke’/ Studentët thirrje dhe brohoritje para MAS

Studentët pas mbërritjes para ministrisë së Arsimit kanë rifilluar thirrjet dhe brohoritjet kundër Lindita Nikollës. Ata shprehen se nuk do të largohen deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.

Ora 10:28
Studentët mbërrijnë para Ministrisë së Arsimit, nis protesta
Ora 10:17
Në protestën e sotme para MAS edhe studentë nga Shkodra

Ora 10:11
Studenti: Ky është vetëm fillimi i Dhjetorit të Dytë, cdo gjë do të ndryshojë

Një tjetër studentet thotë për Report Tv se protesta do të vijojë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, ndërsa shton se ‘Ky është vetëm fillimi. Ky është Dhjetori i Dytë, cdo gjë do të ndryshojë’.

Ora 10:11
“Po tentojnë të na përçajnë”/ Studenti pankartë kundër pedagogut Arlind Qorri

Arlind Qorri, pjesë e lëvizjes “Për Universitetin” është njëri nga pedagogët pjesë e protestës së studentëve. Por njëri nga studentët sot kishte një pankartë në duar teksa shkruante “Arlind Qorri nuk na përfaqëson, largohu nga protesta jonë”. Report Tv e pyeti studenti për arsyen e kësaj pankarte, ndërsa ai u shpreh se ‘Iu drejtohet neo-komunistëve që tentojnë të përçajnë protestën. Protesta jonë duhet zhvendoset para kryeministrisë, pasi atje mund të zgjidhen problemet tona. Lëvizja për Universitetin një levë e Veliajt, u përpoq ta shtyjë vëmendjen për të martën. Neo-komunistët e rinj i larguan banorët e Astirit, bashkëvuajtës si ne. Protesta jonë do të përshkallëzohet”. Ai sqaroi pse u larguan dje Nikolla nga studentët kur doli ti takojë. “U mendua se ajo dje ishte inskenim i FRESSH-istëve” tha ai.

 

 
Ora 10:02
Studenti: Presion! Mund të shtojmë kërkesat ndaj Ministrisë së Arsimit

Deri tani janë tetë kërkesat për Ministrinë e Arsimit, por studentët paralajmërojnë se numri mund të rritet. “Protesta do të vijojnë sërish te MAS deri të martën kur do të vijë edhe vala tjetër e studentëve. Mund të shtojmë kërkesat që të rrisim presionin ndaj qeverisë. Nuk pranojmë që të negociojmë, pasi do të thotë të pranojmë kushtet e atyre. Ne duam kushtet tona. Pa u plotësuar kushtet nuk mbyllet protesta. Sot do të rrimë si cdo ditë tjetër, por mund të rrimë edhe deri në darkë, pasi kjo na premton” tha njëri nga studentët.

Ora 10:00
Studentët nisen nga Korpusi drejt Ministrisë së Arsimit për të protestuar

Pasi janë mbledhur para Korpusit, studentët kanë nisur marshimin drejt MAS për të protestuar në ditën e gjashtë. Në protestën e sotme ka edhe studentë nga rrethet.

Nisja e studentëve nga Korpusi
//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Altin: 09/12/2018 17:23

    Rama po tall by...n me studentet ne face book PRITET DOHEHEQJA E TIJ MBAS PRESIONEVE TE POPULLIT

    Përgjigju
    • Dario: 09/12/2018 21:59

      Edhe sikur cdo student te kishte ndonje tank,nuk bie qeveria or cun! Nuk bie ne France lere ne Shqiperi. LOL

  • Toni: 09/12/2018 11:07

    Forca per te larguar pazaret nga universitetet,se po te mos kemi intelektual ne do ngelemi gjithmon njesoj sic jemi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Pjesë e një ekipi, Felipe Melo s'kursehet për Dani Alves e Robinho: Duhet të jenë në burg

Pjesë e një ekipi, Felipe Melo s'kursehet për Dani Alves e Robinho: Duhet të jenë në burg