Të dhunuarit: Policët na
rrahën me shkopinj hekuri

Të dhunuarit: Policët na<br />rrahën me shkopinj hekuri
TIRANE- Avokati i Popullit rekomandoi fillimin e hetimeve ndaj disa punonjësve të Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë për veprën penale të "Torturës" e kryer në bashkëpunim. Në një shkresë drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe prokurores së përgjithshme Ina Rama, institucioni I Avokatit të Popullit kërkon ndëshkimin e disa policëve të komisariatit që kanë dhunuar disa shtetas të dnaluar në Tiranë. Sipas rekomandimit institucioni i Avokatit të Popullit, ishte njoftuar në 18 shkurt për një rast keqtrajtimi të katër shtetasve nga disa punonjës të Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë. Shtetasi i shoqëruar nga policia M.F. ndodhej në Spitalin Ushtarak Tiranë, për marrje të ndihmës mjeksore, ndërsa shtetasit G.F., I.L. dhe L.T. ndodheshin në dhomat e shoqërimit të policisë, pasi do të bëhej arrestimi i tyre në flagrancë, për kryerjen e disa veprave penale, si "Kundërshtim i punonjësve të policisë së rendit", "Goditje për shkak të detyrës" dhe "Shkatërrim i pronës", parashikuar nga nenet 236/1/2, 237 e 150 të K.Penal.

Sipas policisë së Komisariati nr.2 Tiranë, rreth orës 03.00 të dt.18.02.2012, dy patrulla policie të këtij komisariati kanë marrë informacion nga Salla Operative e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë se në lokalin "Makuba", me adresë rrugica e KESH-it, kishte zhurmë. Menjëherë shërbimi i patrullave të përgjithshme ka shkuar në drejtim të lokalit ku ndodheshin disa shtetas, të cilët janë pyetur nëse ka patur zhurma në lokal. Shtetasit e lartpërmendur kanë reaguar ndaj policisë me fjalë fyese me qëllim largimin e tyre nga lokali. Policia ka kërkuar identifikimin e tyre, por asnjëri nuk është identifikuar. Më pas policia ka kërkuar të bëjë shoqërimin e këtyre shtetasve në Komisariatin e Policisë Nr.2 me qëllim identifikimin e tyre, por personat e mësipërm kanë kundërshtuar ndaj policisë me forcë duke i shtyrë me duar dhe goditur me gur. Ndodhur në këto kushte punonjësit e patrullave të policisë kanë kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera policore. Brenda pak minutash aty kanë ardhur disa patrulla të policisë së rendit, të cilat janë urdhëruar nga Komandanti i Togës F.S. që të merrnin e dërgonin në komisariat katër shtetasit që kanë kundërshtuar punonjësit e policisë. Meqënëse këta të fundit nuk i janë bindur urdhërit të policisë për t'i çuar në komisariat, punonjësit e policisë kanë përdorur forcë ndaj tyre duke i futur në makinat e policisë. Pas verifikimeve të bëra në komisariat është mësuar se shtetasit e shoqëruar janë M.F., G.F., I.L. dhe L.T. Në komisariat punonjësit e policisë kanë bërë raportin e shërbimit dhe kanë dhënë deklarime para OPGJ-së L.F. Veprimet proceduriale lidhur me këtë ngjarje, si dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve M.F., G.F., I.L. dhe L.T. janë kryer nga OPGJ A.N.

Ekspertët tanë pyetën të gjithë punonjësit e policisë që kishin kryer veprimet me të arrestuarit, si Komandantin e Togës së patrullave të përgjithshme F.S., punonjësit e policisë së rendit (patrullës së përgjithshme) që kanë bërë dërgimin e tyre në komisariat A.T., A.B., N.K. dhe Ndihmësspecialisten e Sallës Operative të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë Znj.D.S.

Avokati i Popullit dhe ekspertët e këtij institucioni morën takim dhe pyetën të arrestuarit në dhomat e sigurisë të Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë si dhe të arrestuarin që ndodhej për ndihmë mjeksore në Spitalin Ushtarak Tiranë. Tre nga të arrestuarit bënë ankesë me shkrim duke pretenduar për keqtrajtim fizik nga punonjësit e policisë të komisariatit nr.2 Tiranë. Sipas ankuesve, rreth orës 02.45 të datës 18 Shkurt 2012, pasi ata kishin dalë nga një lokal, në afërsi të pallatit me shigjeta në Tiranë, i quajtur "Makuba", janë keqtrajtuar fizikisht nga disa policë të patrullës së përgjithshme, efektiv të Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë, duke u goditur në kokë, fytyrë e në pjesë të ndryshme të trupit me sende të forta. Si pasojë e goditjeve, të arrestuarit M.F. dhe G.F. u janë shkaktuar disa plagë të dukshme në pjesën e prapme të kokës, fytyrës etj, disa prej të cilave kishin patur hemoragji, hematoma e dërmishje. I arrestuari G.F. pretendonte se, nga goditjet e forta i ishin shkaktuar dhimbje të forta, plagë të dukshme si dhe i ishte dëmtuar shikimi. Për shkak të plagëve e dëmtimeve të pësuara të arrestuarit kishin kërkuar ndihmë mjekësore dhe policia i kishte dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë. Nga të katër të arrestuarit u pretendua për ushtrim dhune fizike çnjerëzore prej punonjësve të policisë. Dy prej ankuesve, M.F. dhe G.F., kishin shenja të dukshme dhune, të cilat janë fiksuar edhe me fotografi nga ana jonë. Shenjat e dhunës të konstatuara tek të dëmtuarit dhe vendet ku ishin shkaktuar dëmtimet krijojnë bindjen se ata janë keqtrajtuar e dhunuar në mënyrë çnjerëzore nga punonjësit e policisë.

Pretendimet e ankuesve për ushtrim dhune fizike nga punonjësit e policisë u provuan edhe nga deklarimet e dëshmitarve J.J. dhe P.Gj., të cilët e kanë parë ngjarjen nga afër. Këta dëshmitar në procesverbalet e pyetjes së tyre në datat 24 dhe 27 Shkurt 2012, ndërmjet të tjerave kanë deklaruar se, në datën 18.02.2012 rreth orës 03.00 ndodheshin brenda në lokalin "Makuba". Meqënëse kanë dëgjuar zhurmë dhe të bërtitura kanë dalë menjëherë jashtë lokalit dhe aty kanë parë disa policë që po godisnin me shqelma, grushta dhe shkopinj hekuri mbi shtetasit M.F. dhe I.L. edhe pse këta të fundit ishin të shtrirë në tokë. Pas kësaj skene shtetasi J.J. i ka bërë thirrje policisë për të mos qëlluar dhe është afruar në ndihmë të M.F. dhe G.F., por sapo ka shkuar tek vendi ku ata ndodheshin është goditur nga prapa kokës me një send të fortë dhe ka mbetur pa ndjenja.
Pretendimet e punonjësve të policisë se, kanë shkuar në lokalin "Makuba" pas informacionit të marrë nga Salla Operative e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë nuk janë të vërteta. Këto pretendime rrëzohen për faktin se operatorja e sallës operative të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë znj.D.S. në procesverbalin e datës 18.02.2012 ndër të tjera deklaron se, nuk është e vërtetë që ajo i ka dhënë informacion patrullës së përgjthshme se, kishte telefonata për zhurmë në lokalin "Makuba". Ajo në shpjegimet e saj sqaron se, kishte dëgjuar zhurmë në radiot e patrullave të policisë dhe mënjëherë kishte komunikuar në telefon me Komandantin e Togës zotin F.S. duke e pyetur se çfarë problemi kishte. Ky i fundit i ka shpjeguar se, po shoqëronin në komisariat katër persona. Nga këqyrja e Libër Shërbimit për situata emergjente i sallës operative të kësaj drejtorie nuk rezulton e regjistruar asnjë telefonatë se, në lokal "Makuba" ka patur zhurmë dhe asnjë shënim lidhur me informacionin që patrullat e policisë pretendojnë se kanë marrë nga kjo sallë. Në libër ka vetem një shënim i cili është bërë nga operatorja e sallës D.S. pas telefonatës me zotin F.S., për shoqërim të katër personave, por ky shënim ka të bëjë me kohën pasi kishte ndodhur ngjarja.

Avokati i Popullit rekomandoi fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të punonjësve të policisë, për veprën penale të "Torturës" të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 86 dhe 25 i K.Penal, të ndryshuar. (Në foto: Forcat e policisë duke dhunuar qytetarët, foto ilustruese)
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'betejë' me SPAK, gazetari në 'Repolitix': I ka kallur datën! Galdini: Po bëhet drejtësi e negociuar

Meta në 'betejë' me SPAK, gazetari në 'Repolitix': I ka kallur datën! Galdini: Po bëhet drejtësi e negociuar