Taksa 100% ndaj Serbisë, Haradinaj u dërgon letër të gjitha shteteve të BE-së

Taksa 100% ndaj Serbisë, Haradinaj u dërgon letër të gjitha shteteve të BE-së

Ramush Haradinaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ua ka nisur një letër të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, e cila ndërlidhet me vendimin e Qeverisë së tij për taksën prej 100 përqindësh ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, shkruan Gazeta Express.

Në këtë letër kryeministri Haradinaj ka treguar se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka respektuar në plotësi të gjitha marrëveshjet (CEFTA-n) dhe të gjitha obligimet, mirëpo të njëjtën gjë nuk e kanë bërë Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Haradinaj në këtë letër ka thënë se Serbia e Bosnja së bashku kanë shkelur detyrimet e CEFTA-s, kanë ndërhyrë në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe kanë kërcënuar sigurinë dhe politikat publike të Kosovës.

“Përderisa Kosova i zbatonte plotësisht obligimet e saj, ajo vazhdimisht përballej dhe raportonte për mos respektimin nga Republika e Serbisë dhe Bosnjës së Hercegovinës të obligimeve që dilnin nga CEFTA dhe ligjet e tjera të zbatueshme ndërkombëtare. Të dy këto shtetet kanë bërë veprime të cilat shkelin detyrimet e CEFTA-së, ndërhyjnë në rendin e brendshëm kushtetues, dhe kërcënojnë sovranitetin, sigurinë dhe politikat publike të Kosovës. Në rastin e Republikës së Serbisë, këto veprime janë në kundërshtim edhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, republika e Serbisë ka shkelur Kapitullin 35 të BE-së për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila kërkon “angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën”, thuhet në këtë letër.

Përveç tjerash, Haradinaj ka treguar edhe për pengesat që kanë bizneset kosovare për eksportimin e mallrave në këto dy shtete.

Në këtë letër, gjithashtu, janë renditur edhe shkeljet që Serbia dhe Bosnja kanë bërë sa i përket marrëveshjes së CEFTA-s.

“Neni 1 [Objektivat] – shih paragrafin 15 (xi) më poshtë,Neni 3 [Kufizimet sasiore] – shih paragrafin 15 (xii) më poshtë, Neni 12 [Masat sanitare dhe fito-sanitare] – shih paragrafin 15 (x. a.) më poshtë, Neni 13 [Barrierat teknike në tregti] – shih paragrafin 15 (x) më poshtë, Neni 21 [Ndihma shtetërore] shih paragrafin 13 më poshtë, Neni 25 [Vështirësitë në bilancin e pagesave] – shih paragrafin 14 më poshtë,Neni 30-32 [Nenet që ndërlidhen me investimet] – shih paragrafin 15 (xiii) më poshtë”, shkruhet në këtë letër.

Si përgjigje ndaj këtyre shkeljeve dhe në mbrojtje të rendit kushtetues, Haradinaj thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendimin për taksë prej 100 përqindësh.

Vendosjen e taksës e ka kundërshtuar edhe Bashkimi Evropian, megjithatë Qeveria e Kosovës mbetet e vendosur për vendimin e marrë para pak kohësh.

Për këtë taksë serbët në veri janë duke organizuar protesta prej ditësh, ndërsa dje për të njëjtën çështje në Kosovë ka qëndruar komisionari Johannes Hahn, i cili ka kërkuar vazhdimisht zhbërjen e vendimit për taksën. Express

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Berisha me zë Gazi!

Berisha me zë Gazi!