Tatimet kontrollojnë qiratë, ja sa paguhet sipas referencave zyrtare

Tatimet kontrollojnë qiratë, ja sa paguhet sipas referencave zyrtare

Foto ilustruese

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi dje se është duke verifikuar tatimpaguesit të cilët janë aktivë, por nuk janë të regjistruar në përgjegjësinë tatimore të Tatimit në Burim, tatimpaguesit që janë të regjistruar, por nuk paguajnë Tatim mbi Qiranë, si dhe tatimpaguesit të cilët e paguajnë këtë tatim, por vlera e tyre duhet të përputhet me metodologjinë e parashikuar në VKM nr. 469, datë 3.6.2015. “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”.

Referuar të dhënave, deri tani 2.574 tatimpagues janë regjistruar në përgjegjësinë tatimore të Tatimit në Burim, ndërsa 1.024 tatimpagues që e kishin këtë përgjegjësi dhe deklaronin me zero, tashmë e paguajnë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, inkurajon tatimpaguesit të cilët ende nuk janë subjekt i pagesës së Tatimit mbi Qiranë të regjistrohen dhe të paguajnë detyrimin sipas legjislacionit në fuqi, përfundon njoftimi i Tatimeve.

Problemet

Pak javë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përfunduar analizën e pagesës së detyrimeve tatimore për Tatimin mbi Qiranë nga tatimpaguesit e regjistruar. Lidhur me verifikimin e pagesave në shtet për qiratë, administrata tatimore verifikon nëse ambientet në adresat e deklaruara ku zhvillohet aktiviteti janë pronë e shoqërisë (vërtetuar me aktet e pronësisë); ambientet ku zhvillohet aktiviteti janë me kontratë qiraje dhe vlera e qirasë sipas kontratave të lidhura paguhet me faturë tatimore, (vërtetuar nga fatura tatimore për qira, qoftë kjo me TVSH apo e përjashtuar); ambientet ku zhvillohet aktiviteti janë me kontratë qiraje dhe nuk janë regjistruar për të deklaruar e paguar Tatimin mbi Qiranë. Në këto raste, tatimpaguesit duhet të regjistrohen në përgjegjesinë tatimore të Tatimit në Burim për të deklaruar e paguar Tatimin mbi Qiranë.

Problemi i parë për Tatimet në këtë mes lind nga fakti se në Shqipëri ka një normë shumë të lartë evazioni në këtë fushë. Edhe në ato raste kur dikush deklaron qiranë, konstatohet se shumë herë ajo është mjaft e ulët. Logjika thotë se, sa më e ulët të jetë qiraja, aq më i ulët do të jetë edhe detyrimi që duhet të paguhet në shtet (15% e shumës).

Sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, që është në fuqi, vlera e dhënies me qira të ndërtesës duhet të përcaktohet në një kontratë të noterizuar të qirasë, sipas legjislacionit të fushës. Në kontratë, veç të tjerave, duhet, detyrimisht, të përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja, në meter katror, dhe vlera mujore e qirasë së objektit.

Në asnjë rast, vlera e dhënies me qira të ndërtesës nuk mund të jetë më e vogël se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në këtë Vendim. Pra, pavarësisht se sa e deklaron një person apo një subjekt tregtar qiranë në kontratë, shteti e njeh atë në përputhje me vlerat e caktuara në VKM: Vlera minimale mujore, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira, është e barabartë me 0.3 për qind të çmimit të shitjes së saj, e përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.

Referencat

Sipas VKM-së, për 1 m2 sipërfaqe të ndërtesave të privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës.

Sa u përket objekteve tregtare, për dhënien me qira të ndërtesave që nuk janë apartamente banimi, në qytetin e Tiranës, vlera minimale e qirasë mujore, për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet, si më poshtë vijon:

Për 1 m2 sipërfaqe për dyqan mallrash apo shërbimesh, vlera minimale e qirasë mujore është dy herë më e lartë se vlera minimale e qirasë mujore për 1 m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës;

Për 1 m2 sipërfaqe për garazh të mbuluar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës;

Për 1 m2 sipërfaqe për zyrë dhe magazinë, vlera minimale e qirasë mujore është e barabartë me vlerën minimale të qirasë mujore për 1 m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës;

Për 1 m2 sipërfaqe parkim të hapur, vlera minimale e qirasë mujore është 30 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës;

Për 1 m2 sipërfaqe bodrumi, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës.

Shembuj

Supozojmë se çmimi i shitjes/metër katror të një apartamenti banimi në qytetin e Tiranës është 190.000 lekë dhe sipërfaqja e këtij apartamenti është 70 m2. Vlera minimale e qirasë mujore, për çdo metër katror, në këtë rast, është: 190 000 x 0.3% = 570 lekë për metër katror. Vlera minimale e qirasë mujore, për këtë apartament të dhënë me qira, është: 70 m2 x 570 lekë për metër katror = 39.900 lekë.

Ndërkohë, në rast se çmimi i shitjes/metër katror të një apartamenti banimi në periferi të qytetit të Tiranës është 81.000 lekë dhe sipërfaqja e këtij apartamenti është 70 m2. Vlera minimale e qirasë mujore, për çdo metër katror të këtij apartamenti, është: 81 000 x 0.3% = 243 lekë për metër katror. Vlera minimale e qirasë mujore, për këtë apartament të dhënë me qira, është: 70 m2 x 243 lekë për metër katror = 17.010 lekë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet