Balla: Meta do dekretojë ministrat, ‘Zgjedhorja’ ka pëlqimin e PD-së, PS fiton mandatin e tretë

Kryetari i grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv u shpreh i bindur se Presidenti i Republikës Ilir Meta do të dekretojë ministrat e rinj që janë propozuar nga kryeministri Edi Rama. Balla  u shpreh se roli i kreut të shtetit është ceremonial duke mos parashikuar surpriza të pakëndshme, teksa Meta ka dekretuar vetëm 4 nga 9 ministrat dhe nuk ka shkarkuar ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati (lexo këtu). 

"Nuk dua të diskutoj këtë çështje, pasi besoj që Presidenti për të cilin unë kam votuar me të dyja duart, nuk do ta shkelë kushtetutën dhe nuk dua të prezumoj, që mik im, ish kolegu, Ilir Meta do të shkelë Kushtetutën. Unë mendoj dhe jam i bindur, nuk e shkel kurë Kushtetutën. Nuk ka nevojë për sinjale për një gjë kaq të qartë. Kam bindjen se Meta do të respektojë Kushtetutën, këtu mbaron. Është ceremonial i përcaktuar qartë”tha Balla.

Më pas Balla komentoi edhe protestën e studentëve dhe lëvizjet në qeveri duke shtuar se Partia Socialiste do të fitojë një tjetër mandat në vitin 2021. “Në 2021 PS do të rikonfirmohet për një mandat të tretë. Nga sot deri në 2021 kemi filluar, në 2015 kemi miratuar ligjin për arsimin e lartë, në dy vitet e para ka pasur vonesë na zbatim, ne e pranojmë, por është ndër ligjet më të mira”. Gjatë intervistës, Taulant Balla përsëriti akuzat e tij në drejtim të Berishës për eksplozivin e vendosur në shtyllën e tensionit të lartë (lexo këtu). “Sali Berisha u shfaq sot edhe me formën tjetër të protestës. Ka një formë tjetër Saliu proteste, vendos dinamit te shtylla e tensionit të lartë”.

Duke u ndalur te zgjedhjet vendore të qershorit dhe kandidatëve socialistë, Balla vlerësoi maksimalisht punën e Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës, por shtoi se vendimin final për emrat do ta marrë Kryesia e PS. “Ne kemi disa kritere vlerësimi dhe i kemi përcaktuar dhe i kemi bërë publike gjithmonë, para se kryesia të mblidhet për të dalë me vendimin, bëhet një vlerësim për ata që janë në detyrë, edhe për ata që vijnë nga pozicione të tjera. Erion Veliaj meriton të gjithë respektin jo vetëm të socialistëve, por të gjithë qytetarëve për një super sukses në mandatin e tij të parë në krye të Tiranës.  Erion Veliaj e ka justifikuar plotësisht jo vetëm besimin e PS dhe Ramës, por ka justifikuar besimin e 57% të qytetarëve”. Në fund të intervistës, Balla u shpreh se drafti i Reformës Zgjedhore që PS ka depozituar në Kuvend ka marrë edhe pëlqimin e PD-së, përpos pranimit të SHBA-së dhe BE-së. “Drafti që kemi në Kuvend jo zyrtarisht e ka pëlqimin e PD-së” përfundoi ai.

Intervista e plotë e kryetarit të grupit të PS, Taulant Balla te ‘5 Pyetjet nga Babaramo’

Si e gjykoni protestën e sotme të studentëve?
Së pari dua të bashkohem me një pjesë të madhe të studentëve, të cilët janë ndier keq ku ata që po përpiqen të marrin peng protestën bënë disa akte të turpshme në dyert e universiteteve, me çekiç, gozhdë dhe zinxhirë. Protesta e vërtetë ia ka arritur qëllimit të vet, tani jemi në fazën ku një pjesë e konsiderueshme kanë marrë zgjidhje, por nuk janë tetë, por më shumë që kanë filluar të zgjidhen. Të gjithë studentët janë informuar se prej sot dhe deri në fund të këtij viti shkollor asnjë student nuk do të paguajë më pjesën e mbetur të tarifës, pasi është reduktuar me 50%.

Nëse nuk ndodh që studentët të pranojnë këtë realizim dhe vijojnë protestën...
Kam bindjen me përjashtim të atyre që po përpiqen të marin peng protestën. Dje shikoja Kryemadhin që vraponte nga një qendër universitare në tjetrën për të takuar ndonjë student dhe bënte thirrje. Apo thirrjet e kryetarit të PD apo të Sali Berishës që u shfaq sot edhe me formën tjetër të protestës. Ka një formë tjetër Saliu proteste, vendos dinamit te shtylla e tensionit të lartë

Prezumimi i pafajësisë?
Nëse ti nuk je më ai Babaramo që kam njohur prej vitesh, të ka humbur nuhatja. Le të dalë të shprehet ai i pari. Është e turpshme gjithçka ka ndodhur nga PD dhe Sali Berisha. Kështu proteston Saliu. 

Kërkesat e studentëve, keni hyrë në vitin e gjashtë të pushtetit, mos jeni vonë?
Në 2021 PS do të rikonfirmohet për një mandat të tretë. Nga sot deri në 2021 kemi filluar, në 2015 kemi miratuar ligjin për arsimin e lartë, në dy vitet e para ka pasur vonesë na zbatim, ne e pranojmë, por është ndër ligjet më të mira

Pra nuk e ndryshoni?
Është ligji i arsimit të lartë, i cili do të forcojë maksimalisht universitetet publike në Shqipëri. I ka dhënë autonominë që universitetet kanë kërkuar. Është modeli më i mirë. Por sigurisht ne kemi sanksionuar përfaqësimin më të mirë dhe të denjë të studentëve. Studentët do të kenë përfaqësuesin e tyre me reputacion, i cili do të jetë syri, veshi, audituesi, i monitorimit financiar.

Kryeministri ndryshoni 70% të qeverisë me një të rënë të lapsit
Nuk ka lidhje protesta me ndryshimet në qeveri, të jemi të qartë më ketë. Sigurisht që qeverisja ka në një moment të caktuar, bën edhe ndryshime në përfaqësinë e vet, secili prej tetë ministrave meriton të gjithë respektin për kontributin për suksesin apo ndonjë mos realizimin brenda afatit. Ne kemi një raportim për performacën e cdo ministri në cdo 6-mujor. 

Ju thatë se Gent Caka është njeri i ditur, por unë hyra në google dhe e vetmja referencë ishte një apo dy emisione televizive...
Gent Caka do të jetë ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Kosova është shtet i pavarur ka ministrin e vet, Caka do të jetë ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Ne mbështesim vetëm dialogun e barabartë mes shtetit sovran të Kosovës dhe Serbisë.

Ju si PS, kë qëndrim mbështesni për kufijtë?
Qëndrimi i cdo shqiptari që realisht ia do të mirën Kosovës dhe shqiptarisë duhet të thotë ‘ne ia kemi arritur ditës së Kosova jonë e dashur të kenë autoritetet e veta dhe të mbështesim dialogun me Serbinë për një zgjidhje përfundimtare. Në harmoni me ata që bënë të mundur që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe në këtë harmoni, SHBA dhe BE do të mbështesin produktin e një paqe të qëndrueshme.

Ju jeni numri dy i PS, u konsultua Rama me ju para ndryshimeve apo i mësuat në asamble?
Kryeministri ka zhvilluar një serë takimesh me kryesinë, sekretarin e përgjithshëm, kryetarin e grupit dhe ministrat dhe më pas...Ndryshimet erdhën pas analizës. Në korrik do të ketë sërish një analizë dhe nëse këta që hynë apo që nuk u zëvendësuan sigurisht që....

Cfarë ndodh nëse presidenti nuk e dekreton shkarkimin e Bushatit
Nuk dua të diskutoj këtë çështje, pasi besoj që Presidenti për të cilin unë kam votuar me të dyja duart, nuk do ta shkelë kushtetutën dhe nuk dua të prezumoj, mik im, ish kolegu, Ilir Meta do të shkelë Kushtetutën.

E ka lënë të qartë të kuptohet, nuk shkarkoi Bushatin...
Për këtë pyesni zotin Meta. Unë mendoj dhe jam i bindur, nuk e shkel kurë Kushtetutën. Nëse ka ndryshuar nga 2017, tregon se ka ndryshuar....Nuk e ka presidenti të drejtën për të refuzuar një propozim. Ne jemi Republikë e pastër parlamentare. Autoriteti themelor në këtë vend është Kuvendi, mazhoranca përmes kryeministri ka propozuar këtë.

Ju si e lexoni, nuk e ka shkarkuar ministrin e Jashtëm Bushati?
Është ceremonial i përcaktuar qartë.

Nëse do të ishte kështu do të bënte vetëm betimin...
Kjo është e qartë, duke njohur Metën. Në 1998 ka qenë zv/ kryeministër pas ndryshimeve të shtatorit në qeveri, kur iku Nano dhe erdhi Majko, ka qenë njëri prej zërave më të rëndësishëm të PS asokohe që u bënë thirrje shqiptarëve që të votonin këtë kushtetutë.

Katër prej të propozuarve nuk janë nga PS, po kthehet PS në një Rilindje?
Kanë pranuar të marrin përgjegjësi në ministri me shumë rëndësi. Besa Shahini dhe Caka edhe në këtë orë janë në zyrë me atë që unë i njoh. Kanë kontribut të shkëlqyer në këto pak kohë. Sot zv/ ministra, nesër do të jetë ministra

Pse flisni me kaq siguri se Meta do i dekretojë?
Nuk ka nevojë për sinjale për një gjë kaq të qartë. Kam bindjen se Meta do të respektojë Kushtetutën, këtu mbaron.

Flasim për koalicionin, kush do të jenë partitë përbërëse?
Zgjedhjet lokale kanë një specifikë të vecantë, që do të thotë se në këshillat bashkiakë votohet... në 61 ne sot që flasim jemi në një aleancë me të zgjedhur nga parti të ndryshme. Në nivel vendor aleanca funksionon sikur më parë. Ne kemi plotë këshilltarë të një numër partish 32-33 me të cilët grupet e këshilltarëve të PS bashkëpunojnë dhe ky bashkëpunim do të vijojë edhe pas zgjedhjeve të 2019.

Çfarë u ofroni partive të vogla, Milo u shpreh i zhgënjyer se PS nuk ka mbajtur premtimet?
Në 2017 Milo nuk ka qenë në aleancë me PS, por me LSI. Kur të konfirmojmë këtë aleancë në nivel vendor do të jetë momenti. Në qeverinë qendrore kemi bashkëpunim me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Duhet të rikandidohet Erion Veliaj?
Ne kemi disa kritere vlerësimi dhe i kemi përcaktuar dhe i kemi bërë publike gjithmonë, para se kryesia të mblidhet për të dalë me vendimin, bëhet një vlerësim për ata që janë në detyrë, edhe për ata që vijnë nga pozicione të tjera. Erion Veliaj meriton të gjithë respektin jo vetëm të socialistëve, por të gjithë qytetarëve për një super sukses në mandatin e tij të parë në krye të Tiranës. Erion Veliaj e ka justifikuar plotësisht jo vetëm besimin e PS dhe Ramës, por ka justifikuar besimin e 57%

Cfarë ndodh me reformën zgjedhore keni rëndë dakord me PD-në?
Drafti që kemi në Kuvend është që jo zyrtarisht e ka pëlqimin e PD-së. Ajo që duhet është që PD të lerë mënjanë axhendat e ditës se kur flitet për kodin zgjedhor është libri bazë i rregullave të lojës


Cfarë ndryshon?
Luli në çadër kërkonte votim dhe numërim elektronik . Për herë të parë krijojmë mundësinë e testimit të teknologjisë në zgjedhje në rreth 200 qendra votimi pilot në tre komponentët bazë.

Pse nuk votohet drafti?
Unë nuk dua ta besoj që ende ka ndokënd me përjashtim të Berishës, se nuk është as për kod as për...tjetër në PD që të mendojë se duke bllokuar votimin në kuvend të reformës zgjedhore dhe duke qenë se në rekomandimet e KE të 28 qershorit të vitit të shkuar mos votimi i reformës të quhej detyrë e parealizura dhe Shqipëria të mos fillonte negociatat. Nëse në PD e besojnë këtë po u them se e kanë gabim. Rekomandimi ishte e qartë, që shumica të paraqite një draft. E kemi bërë me dy ekspertë të vlerësuar nga dy palët, të cilët dikur kanë milituar në PD në pozicione edhe më të lartë me asistencën e vyer të dy fondacioneve të njohura gjermane.

Brukseli dhe Uashingtoni e kanë pranuar këtë draft?
Po, po

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Gjykata Durrës pushoi hetimet për Elvis Roshin, GJKKO: SPAK të hetojë ish-kryetarin e Bashkisë Kavajë,

Gjykata Durrës pushoi hetimet për Elvis Roshin, GJKKO: SPAK të hetojë ish-kryetarin e Bashkisë Kavajë,