‘Të palarat’ e drejtësisë/ Prokurori që bleu dyqan 132 m² me paratë e fituara në lloto

‘Të palarat’ e drejtësisë/ Prokurori që bleu dyqan 132 m² me paratë e fituara në lloto

Luan Kaloçi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka shkarkuar nga detyra prokurorin në Prokurorinë e Apelit Tiranë, Luan Kaloçi, me arsyetimin se nuk justifikon pasurinë me burime të ligjshme financiare si dhe për deklarim të rremë. Në 8 qershor të këtij viti, prokurori Kaloçi i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK dhe konfirmimin e tij në detyrë. Në 23 tetor po të këtij viti, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK, duke përjashtuar përfundimisht prokurorin Luan Kaloçi për 15 vite nga drejtësia. Në vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit reflektohen shpengimet e prokurorit Kaloçi për të justifikuar blerjen e pasurive të paluajtshme.

Dyqan me para bixhozi
Përpos të tjerave, prokurori i Apelit në Tiranë, Luan Kaloçi, pretendon se në vitin 2003 ka blerë një hapësirë për dyqan në Tiranë, me paratë e fituara në lloto sportive nga djali i tij, në atë kohë vetëm 17 vjeç. Ambienti është deklaruar me vlerë 5,8 milionë lekë dhe me sipërfaqe 86 m² në atë kohë. Si burim, prokurori ka deklaruar vetëm paratë e fituara nga djali i mitur në bixhoz. Ndërkaq, në deklaratën për Vetingun, prokurori, për të njëjtën pasuri të paluajtshme, e deklaron me sipërfaqe 132 m², por me vlerë 5 milionë lekë. Ndërsa në kontratë dyqani rezulton si dhurim. Gjithashtu, prokurori ka dhënë versione të ndryshme në ILDKPKI dhe para KPK për këtë pasuri. “Dyqani nuk është i regjistruar në ZVRPP Tiranë. Dyqani është blerë në fazën karabina në shumën 5.800.000 lekë dhe është përfunduar me shpenzimet e mia në shumën rreth 1.200.000 lekë, shpenzime të bëra në vitin 2003. Si burim për kryerjen e shpenzimeve kanë shërbyer të ardhurat e mia nga paga dhe të bashkëshortes. Ndërsa vlera e dyqanit si karabina është mbuluar nga fitimi në lotari sportive, për të cilat kam paraqitur mandatpagesat në kontrollet paraardhëse”, ka deklaruar prokurori.

Përgjigja për KPK
Prokurori Luan Kaloçi ka modifikuar versionin për këtë pasuri para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ai thotë se ndryshimet mes deklaratave janë lapsuse. “Sa i takon burimit të blerjes së kësaj pasurie, që në fillim dua t’ju bëj me dije se ai është i ligjshëm dhe për këtë mjafton të shikohen të ardhurat nga paga ime dhe e bashkëshortes, të ardhurat nga shitja e shtëpisë në Elbasan apo edhe nga lotaria e fituar nga djali im, E. K. Pasaktësitë në deklarimin e burimit duhet të vlerësohen si lapsuse apo pakujdesi të miat dhe duhet të kihet parasysh edhe koha e kaluar nga deklarimi i bërë në vitin 2003 me deklarimin e bërë në vitin 2017, për efekt Vetingu. Në lidhje me çmimin e shitjes, dua të them që në momentin e blerjes paraprakisht është biseduar që ai të ishte 5.800.000 lekë, shumë e cila do të jepej pjesë-pjesë. Në momentin e deklarimit për efekt të Vettingut, unë kam deklaruar shumën që kam paguar prej 5.000.000 lekësh për blerjen e kësaj pasurie. Diferenca prej 800.000 lekësh është lënë me marrëveshje që do të likuidohej me marrjen e certifikatës së pronësisë, gjë e cila edhe pse kanë kaluar 15 vjet nga kontrata, akoma nuk është bërë”, ka sqaruar prokurori. Por, sipas KPK “Ky shpjegim nuk është i besueshëm sepse është i pabazuar. Gjithashtu, është e vështirë të besohet se subjekti nuk e ka parë çmimin e gabuar në kontratë dhe nuk është e kuptueshme, pa shpjegime të mëtejshme, se pse ai nuk kërkoi korrigjim”.

Konkluzioni i Kolegjit
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka hedhur poshtë pretendimet e Luan Kaloçit për të justifikuar blerjen e dyqanit. “Në deklaratën e pasurisë të vitit 2003, subjekti i rivlerësimit deklaron si burim të ardhurash për blerjen e kësaj pasurie vetëm të ardhurat nga lotari sportive, për të cilat ankuesi pretendon të jenë fituar nga djali i tij E. K., i cili ka qenë i mitur në momentin e fitimit (17 vjeç), por në atë kohë nuk ka pasur një ligj për lojërat e fatit dhe në këtë mënyrë nuk ka qenë e ndaluar për fëmijët e mitur që t’i luanin ato. Lidhur me këtë pretendim në ankim, theksojmë se subjekti i rivlerësimit i ka deklaruar këto ardhura nga lotaritë sportive si të ardhura të krijuara nga vetë ai në deklaratën e pasurisë të vitit 2003, duke konfirmuar të njëjtin deklarim në deklaratën e pasurisë “Veting” 2017, ndërkohë që në ankim ai pretendon se këto të ardhura janë krijuar nga lotaritë sportive të fituara nga i biri, E. K. Gjithashtu, duke qenë se biletat e lotarive sportive nuk kanë gjeneralitete, nga të cilat të mund të identifikohet fituesi, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë përkatësinë dhe ligjshmërinë e këtyre të ardhurave. Për këtë arsye, nuk qëndron ky pretendim i ankuesi”, arsyeton Kolegji i Apelimit.

Konkluzionet e Kolegjit të Apelimit
-Trupi gjykues vlerëson se provat që janë administruar në dosje, janë analizuar në mënyrë të tillë që nuk është shkelur asnjë dispozitë e Aneksit të Kushtetutës. Provat janë trajtuar në harmoni me njëra- tjetrën dhe Komisioni ka dalë në konkluzion të drejtë.

-Trupi gjykues vlerëson se është e vërtetë që dispozitat që përmend ankuesi si më sipër u njihnin të drejtën subjekteve deklaruese që të ndreqnin gabimet apo lapsuset në deklarime, por në rastin konkret subjekti i rivlerësimit në asnjë moment,  duke nisur nga deklarimi i pasurisë “Veting” 2017, si dhe në asnjë nga deklarimet periodike apo në deklarimet para ILDKPKI-së ndër vite nuk i ka ndrequr këto “gabime njerëzore” apo “lapsuse”, siç pretendon ai, porse me dashje ka lejuar që ato të qëndrojnë të tilla në deklarimet e tij, duke sjellë pasojat përkatëse. Kjo formë e dashjes së subjektit shfaqet si dashje eventuale (indirekte - dollus eventualis). Për sa më sipër, nuk qëndron ky pretendim i ankuesit.

Lidhur me pretendimin e subjektit se gabimet në deklarimet e tij, në çmim dhe në sipërfaqe, për pasurinë në fjalë(apartament banim me sipërfaqe 145 m2) , janë lapsuse, trupi gjykues çmon se këto pasaktësi kanë pasur qëllim që subjekti të fshehë pasuritë e deklaruara. “Lapsus”, siç pretendon subjekti, nuk mund të quhen pasaktësitë e përsëritura në çdo pasuri të deklaruar në deklarimet e tij periodike dhe në deklaratën e pasurisë “Vetting” 2017.

Për gjithë sa më sipër, është i drejtë vendimi i Komisionit kur konkludon se, referuar nenit 61, pika 3 e ligjit nr. 84/2016, subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për vlerësimin e pasurisë sipas nenit 33 të ligjit nr. 84/2016, pasi subjekti i rivlerësimit nuk ka shpjeguar në mënyrë të besueshme origjinën e ligjshme të kësaj pasurie, si edhe ka bërë përpjekje për të fshehur ose pasqyruar në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi të tij në përputhje me nenin D, pikat 3 dhe 5 të Aneksit të Kushtetutës.

( Kliko këtu ) për vendimin e plotë të Kolegjit të Apelimit për gjyqtarin Luan Kaloçi

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • miri: 05/12/2018 14:44

    po ku luante te taivani?

    Përgjigju
  • Arber: 05/12/2018 07:59

    Te gjith prokuroret e horrat e sistemit te drejtsis te zhduken jo vetem nga drjtsia por dhe tu sekustrohet pasuria e ktyre maskarenjve qe blejn shtepi me qindra mijra e uro e kan nga 3 shpija e gjasme marrin kredi per te mashtruar kto mostra duhen zhdukur kto lek te marra njerzve hallegjij do i paguajn shum shtrejt.prandaj mallkojn Edi Ramen kto plehra se po shofin fundin e vet.keshtu ndodh gjithmon kur nuk e ke me djers pasurin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nju Jork, një person i vë zjarrin vetes para gjykatës ku mbahet gjyqi ndaj zotit Trump

Nju Jork, një person i vë zjarrin vetes para gjykatës ku mbahet gjyqi ndaj zotit Trump