POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Teatri “Maskuar”, tragjedia që vjen nga lufta

Posteri i shfaqjes Maskuar

Kur tragjediani i antikitetit grek Euripidi shkroi tragjedinë “Trojanët”për shkatërrimin e Trojës me pabesinë e atdhetarëve të vet dhe doli kështu kundër tyre në këtë kasaphanë të tmerrshme shfarosëse, Qytetari i ndershëm Athinas nuk mundej të pranonte atë dhune lemeritëse të rrafshimit me tokën të njerëzve të pafajshëm  e të tempujve të lashtë në kohe paqeje, kur zjarri i luftës përcëllonte të madh e të vogël e një Mbretëreshë e mbetur vetëm, do të qante të vdekurit e të gjallët. Por luftrat do të vazhdonin deri ne ditet tona! Shkrimtari-dramaturg nga Izraeli Ilan Hatsor bën të njejtën gjë, kur lufta për Palestinën s’ka mbaruar akoma dhe të vrarët nuk llogariten. I marrë si pretekst ky konflikt i ashpër nënkuptohen të gjitha luftrat mbi dhe si fatkeqësi për njerëzimin, me efekte tragjike për këdo njeri. Dhe toka e ajri janë helmuar nga zjarret e armëve shfarosëse, shtepitë po digjen dhe vrasjet e vetvrasjet i ke në cdo hap që të hedhësh! Dhe kur ekuilibri i së drejtës  ende nuk është gjetur, apo nëse do të zgjidhet në të ardhmen. Bota e njeriut është vënë kështu në dilema tronditëse e pa rrugdalje, sikundër ndodh realisht ne dramën-tragjike të Hatsorit nga Izraeli, rrezatimi i së cilës, alarmon e përgjithëson që të gjitha konfliktet ushtarake.

Po shkrimtarët , dramaturgët, artistët do të ndahen kështu nga politikanet. Ata duhet të jenë gjithmonë të paanshëm e të mëvetshëm për ta thënë flalën e tyre me ndershmëri në të gjitha “valët e nxehta” të  Globit, ku “ziejnë vullkane” të tilla shkatërruese mbi kokat e njerëzve të pafajshëm, grave e fëmijëve të tyre. Regjisori ynë Milto Kutali, njëherësh edhe pedagog i arteve të bukura, pa qenë asnjëherë indiferent në të tilla zhvillime, e sjell në skenë këtë temë problematike (të vjetër e të re!), si një çështje ende të pazgjidhur, për një nacionalitet që meriton të jetojë në paqe e qetësi shpirtërore. Pa u kthyer dramat kombëtare në drama familjare, aqsa vëllai t’i kundërvihet, të spiunojë e mandej ta vras të vëllanë, kur çështja e varfërisë, e qënies dhe e egzistencës së mëtejshme, bëhen kërcënuese. Ky është edhe misioni i kujtdo artisti.

Autori e vendos ngjarjen në Bregun Perndimor të një fshati palestinez, gjatë vitit 1990.  Po mundet të jetë a të ndodhë kudo e kurdoherë, duke “mbjellur frikë” edhe kur nuk ka ende luftë! Prandaj regjisori e vendos subjektin e një të këtillë drame brenda një kasaphane, ku varen nëpër çengela mishrat e therura, po edhe fatet e njerëzve, të personazheve që veprojnë në terrenin e ngjashëm të karakterit psikologjik. Dhe krijon aty një atmosferë të akullt frigoriferi, ku të dy vëllezërit palestinezë vërtiten të shqetësuar me thika nëpër duar, flasin vazhdimisht për vëllanë e tyre, që është afruar me pushtuesit e që, sipas tyre, bashkëpunon me ta. Është pikërisht kjo, edhe ngjarja qendrore që u “gërryen shpirtin nga brenda” e që do të zbulojë gradualisht të vërtetën rrëqethëse kur  vëllai tjetër do të sakrifikojë për mbijetesën e tij e të familjes, jo vetëm çështjen kombëtare të lëvizjes çlirimtare, po edhe të vëllain që militon në të si udhëheqës shpirtëror. E, pikërisht këtu autori, regjisori e personazhet do të zhvillojnë njëfarë hetimi të tensionuar për të vërtetën, mandej edhe të një vetëgjyqësie, për ta dënuar fajtorin. Milto Kutali si regjisor, e trajton me dhimbje të madhe këtë akt tensioni ndërkombësh që zbret deri në embrionin e familjes, derisa ta detyrojë vëllanë e vogël t’i ngulë thikën vëllait të madh, sepse ka denoncuar çështjen e madhe të Kombit të vet e, me të bashkë, edhe vëllanë e mesëm që vepron aty  për ideale më të larta të egzistencës.

Mandej është një meritë fort e ndjeshme e regisorit Kutali “futja” në konturet e një dhome e atmosferës së jashtme të kësaj lufte shkatërruese, e cila duket sikur vjen deri tek dera. Me shtjellimin e ngjarjes në fjalë, regjia e sheh konfliktin egzistues në të dyja krahët, si një fatkeqësi, edhe për policinë sekrete që rekruton parreshtur agjentet e vet, për ta “futur zjarrin” nga brenda, si edhe për ata persona që thyhen e ia “shesin shpirtin shejtanit” për një favor a pak para më shumë, apo për të “shpëtuar” diçka më tepër se veten në rrethanat shrënguese të luftës.  Në fund të fundit, efekti tragjik, do të tingëllojë pa rrugëdalje, si një pështjellim i dhimbshëm, i dyzuar e vdekjeprurës. Dhe morali i njeriut bie për toke. S’ka më moral, as filozofi. Njeriu zhbëhet, bie në zgrip e shitet perfundimisht , përbrenda kësaj kasaphane të ndërtuar prej skenografit  Ilir Martini, kur njerëzit janë të zhveshur e të varur kokëposhtë nëpër çengelat e thertores botërore si të ishin bagëti! I ndihmuar edhe  nga muzika e Mark Lulit, efektet zanore, mizanskenat koncize e dinamike, regjia do ta sjellë në mesin e personazheve, po atë tragjedi e tension alarmi, sikundër është edhe jashtë tyre. Simbolika përmes një flamuri e të një fëmije që do ta mbyllë spektaklin, pë të rrëfyer të ardhmen, edhe pse në trajtën demostratuese të njëhershme të pllakatizmit, e kryejnë aktin emocional të një mbylljeje aktuale politizuese për t’i thënë NDAL çdo lloj lufte.

Këtë pështjellim tronditës e shpreh me emocione të mëdha, aq sa i bllokokjnë edhe frymën, aktori Arben Derhemi, një artist me profilin e heroit, që po i imponohet skenës dhe ekranit tone ngaherë e më tepër. Se Naimi i Arben Derhemit është personazhi kryesor që e ndjen dhe e vuan këtë dramë të thellë, mbi supet e mbi shpirtin e tij, kur tradhtia e të  vëllait të madh i kalon caqet njerëzore, kur gjaku do t’i shprishet, kur helmi i “ngec në fyt” dhe i mbrrin deri në palcë e i “bluan kockat”. Janë pasojat tronditëse të tradhtisë, është akti fundor i spiunimit të vellait për të vëllanë, duke kaluar kështu në “bregun e kundërt” të idealeve më të shenjta për lirinë e kombit. Acarimi rrëqethës është i tillë, sa që Naimi i tij humbet ekuilibrin e brendshëm të këtij njeriu konseguent dhe do të arrijë deri në atë pikë kulmore, sa nga vlimi i egërsisë për ndëshkimin pa gjyq, të përfundojë në atë stepje bllokuese, kur mendja e zemra “bien në gjumë” e shterrin edhe fjalët.

Aktori Derhemi, si të ishte një ujk i “zënë në kurth”, do të vuajë tashmë situatën komplekse midis jetë-vdekjes , kur monologu i tij i brendshëm flet përmes heshtjes ogurzezë më shumë se fjalët dhe kur  rrethana shtrënguese që e bëri të vellanë të tradhtojë për ta shpëtuar atë, i kthehet po atij vet si një torture e pashmangshme. S’ka më hero, s’ka më njeri ne shpirtin e këtij ujku-njeri-hero. Në sytë e aktorit të shquar lexohet fundi i botës! Atëhere do të hyjë në veprimin e mëtejshëm, ai që nuk ka besuar në aktin tradhtor, vëllai i vogël Khalid i aktorit të ri Ismail Shino, që do të ndodhet rishtazi midis të dyve, pas luhatjes së dhimbshme. Mjerisht aktori ne fjalë nuk eshtë në vendin e rolin e duhur. Jo thjesht si interpretues, po edhe si “krijues” i një dizonance marrëdhëniesh e të njëfare uljeje të ritmikës së spektaklit me pauza boshe, te pajustifikuara. Po, nëse karakteri i të dy vëllezërve është e mbetet i kthjellët e i drejtpërdrejt, tek i treti, Dauti, që është edhe më i madhi i vëllezërve, tek i cili rëndon sa nje mal dyshimi i tradhtisë dhe vet tradhtia mizore, fshihet “mina shpërthyese”, deri atëhere e panjohur mirë, që do të zbulohet “petë-petë”, njerapastjetrës, përderisa do të vihet me “shpatulla në mur” e do të përfundojë në “majën e thikës” prej të vëllait më të vogel, që ka heshtur më tepër!

E këtë rol nuk mundej ta luante më natyrshëm se aktori Alfred Trebicka, i cili e përjashton kategorikisht “maskën” e nje spiuni tradicional, duke hyrë aq me vërtetësi në hullinë e dhimbshme të egzistencës vetiake, kur i privohet jeta deri në qelizën e vet. Ky aktor mjaft interesant në profilin e vet të aktrimit, me tiparet e një artisti plastik, që di aq mirë të ndryshojë veteveten nga roli në rol, pa asnje shtirje, me dhuntinë e pamjes fizike e të brendësisë shpirtërore të roleve që i besohen, me zërin e plotë, plasticitetin e trupit dhe vërtetësinë e levizjeve kurdohere të sakta, di aq bukur ta mbajë të pakuptueshme të fshehtën e jetës së vet, të ndrydhur brenda, si brengë gërryese. Vetëm kur do të vihet para së vërtetës së dhimbshme, Dauti i Trebickës, do të përpëlitet midis fajit dhe nderit, midis armikut te tij e vëllezërve të tij, në atë pështjellim tragjik të vetvetes kur “unaza e hekurt” e rrethanve e ka shtirë kundër vetvetes.

Dallga që do të përplaset  tek ky njeri i mjerë, është njëherësh tragjedia, jo vetëm e vetvetes, e të vallait Naim, që donte ta shpëtonte nga mënxyra e vdekjes dhe e të gjithë këtij populli të nëpërkëmbur, pa shtet e tokë të sigurt, pa jetë të garantuar. Dhe ne shohim bindshëm pasojat e mëdha ndërluftuese të shteteve, se si zbresin në “oborrin” e çdo shtëpie, për të “thyer trarët” e për të “shuar vatrat” me anën e “Kalit të Trojës”, që këtu e merr përsipër Dauti i aktorit Trebicka në një trajektore të përkryer e të dhimbshme aktrimi. Po pikërisht atëhere jeta nuk vlen më dhe koka do të varet mbi shpatullat e gjithsejcilit që e kupton ndjenjën e fajit dhe peshën e rëndë të tradhtisë. Në këtë dyzim të tmerrshëm të njeriut, jo vetm që krijohet keqardhja, po edhe faji kryesor kapërxehet përtej personazhit, pikërisht tek politikbërësit e këtyre luftrave shfarosëse, që vijnë deri këtu, ku përdhoset NJERIU I VARFËR!

f.g.
Komento