Teatri/“Princi i vogël” me Yllka Mujon shfaqet në Parkun e Orikumit

 Teatri/“Princi i vogël” me Yllka Mujon shfaqet në Parkun e Orikumit

Posteri i shfaqjes 'Princi i vogël' që do vihet në parkun e Orikumit dhe aktorja Yllka Mujo

Kryevepra botërore “Princi i vogël” e shkrimtarit Antoine de Saint-Exupery vjen për artdashësit nga aktorja e mirënjohur Yllka Mujo, regjisori Armand Bora dhe kompozitori Aulon Naci në një vend sa alternativ aq dhe të veçantë, në Fontanën Monumentale të parkut arkeologjik të Orikumit.

Tashmë monumentet e kulturës po shndërrohen në skena arti duke tërhequr publikun vendas dhe turistët e huaj që të prekin historinë dhe njëkohësisht të përjetojnë artin.

Ky spektakël teatror do të zhvillohet ditën e sotme më datë 17 Gusht, ora 19:00, dhe organizohet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Bashkia Vlorë dhe “Format Plus”, në bashkëpunim me “Baza Detare Pashaliman”, “Toena” dhe “Creative City”.

“Princi i vogël” arrin të prekë tema e çështje jo thjesht konkrete, jo thjesht e rëndomtazi praktike, madje pragmatike, por të tilla, që sjellin thellimin në mendime të lexuesit, që e shtyjnë këtë të fundit të përjetojë ndjesinë e përgjegjësisë së të qenit njeri i qytetëruar.

Përmes një stili të thjeshtë deri në nivele fëminore, përtej një tejpashmërie të kristaltë të shtjellimit të subjektit, ne befas ndjejmë fuqinë rrëmbenjëse të një arti çuditërisht të thellë, të një arti që na vë përpara pikëpyetjesh, mprehtësia e të cilave mund ta gjejë shumëkënd të papërgatitur për t’u përgjigjur.

Në kohën kur botohej “Princi i vogël”, në Evropë sidomos, por edhe në Azi e pjesërisht në Afrikë njerëzimi ndodhej në mesin e Luftës II botërore, ndodhej i përfshirë në gjirin e një përleshjeje – sot pothuaj të papërfytyrueshme – midis tërbimit të forcave të vdekjes dhe heroizmit e përkushtimit të ndershëm deri në fund të forcave të jetës.

Leximi i një vepre si “Princi i vogël” mund të bëjë të vetëdijshëm cilindo së paku për dy gjëra: për nivelin e aftësive të tij gjykuese dhe për rrugën që ka përshkuar në këta dhjetëvjeçarë njerëzimi. Natyrisht mund ta bëjë të vetëdijshëm lexuesin edhe për atë që e vërteta është e bukur dhe e bukura është e thjeshtë.

Dhe kjo është shenjë e një letërsie të mirëfilltë, pikërisht e asaj letërsie, për të cilën kemi aq shumë nevojë dhe që na mungon.

Posteri i shfaqjes 'Princi i vogël' që do vihet në parkun e Orikumit

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Dasmë në Big Brother, Heidi dhe Romeo do të martohen

Dasmë në Big Brother, Heidi dhe Romeo do të martohen