Thimi Nika, njeriu i bukurisë shpirtërore

Thimi Nika, njeriu i bukurisë shpirtërore

Thimi Nika

Kur kërkon te një Njeri i dashur, te një mik i sapo-ikur, i mirë në plot kuptimin e fjalës, cilësitë e larta të një karakteri fisnik, një mori epitetesh të dalin nga shpirti i lënduar para lajmit të papritur: “Na la Thimi Nika, na iku me mirësinë dhe qetësinë e tij”.

Sepse ishte dhe mbetet në kujtesë të gjithkujt që e ka njohur veç Njeriu gojëmjaltë si Ai, i përmbajtur, i përkorë, i thjeshtë e dashamirës, që dinte veç të Mirën ta bënte mirë e bukur, pa kursim.

Jo, veç vdekja nuk i shkonte aq shpejt atij njeriu me një jetë të përplotë e të arrirë, i kudogjendshëm e i kujdogjendshëm, që për profesion të vërtetë kishte Artin e të Jetuarit gjithë dinjitet e thjeshtësi me të tjerët e mes të tjerëve, si një profesor e profesionist i këshillës së mirë, në çdo hall e hallakatje të jetës.

Gazetar, diplomat, koleksionist, filatelist e artdashës i njohur, me buzëqeshje në sy e maturi fjale në gojë, Thimi ynë i dashur ishte dhe mbetet Njeriu i bukurisë shpirtërore, Njeriu që të ngjallte emocione gjithë origjinalitet e besueshmëri, larg meskiniteteve e mediokriteteve, përherë realist e largpamës, që dinte aq mirë të përmbante emocionet e veta, dhe aq thjesht të ndante shapin nga sheqeri, pa stërhollime e teprime. Mbi të gjitha, ishte njeriu që nuk e honepste bardhë e zinë, frymën konfliktuale, fjalën e ligë, shpifjen dhe të shpifurit. E donte dhe e përqafonte Jetën në krejt bukurinë dhe ëmbëlsinë e saj, në baraspeshë e tolerancë të plotë mirëkuptimi e harmonie shoqërore. I dha bukurisht Jetës përmasë të gjerë dhe përmbajtje të thellë, në kuptimin e plotë të fjalëve “I veçantë”, “I admirueshëm”.

Kishte ar dhe art në botën e tij shpirtërore dhe një bashkëshorte Artë me vezullim ëmbëlsie në gjirin e vatrës familjare gjithë ngrohtësi. Si trashëgues koleksionesh nga i ati, gjithë meraku i tij ishte të gatiste sa më denjësisht ai vetë, si gjysh me pasuri shpirtërore, trashëgimtarë për koleksionet e tij të pasura. Për vite të tëra, qëndroi në krye të detyrës shoqërore si kryeredaktor i revistës prestigjioze “Koleksionisti”, organi i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, dhe la një kryevepër botimore në llojin e vet, librin “Historia e Filatelisë shqiptare”, për të cilin u nderua në vitin 2014 me Medaljen e Artë të Ekspozitës filatelike ballkanike.

Takimi im i fundit me Thimin, mik për kokë, siç thotë shprehja jonë e bukur, ishte në një bilardo të qendrës së Tiranës, kur pas një kafeje një orëshe, e shoqërova deri te salla e lojës, ku dha atë mëngjes, goditjen e parë të fortë mbi gurët e grumbulluar nga trekëndëshi, që u hapërdanë gjithë krisje e përplasje. Kishte qëlluar në shenjë, siç kishte ditur gjithë jetën të godiste bukur fort në shenjë duke i dhënë krejt jetës kuptimësi, plotësi, mirësi e fisnikëri.      

Që larg, në parkun Oranzhëri të Strasburgut, këtë çast fatal të lajmit të hidhur, sytë i kam të mbushur me lot, pa i zbrazur dot, kur vetë shpirti më loton dhe gjethet e vjeshtës vallëzojnë në ajri. Shi gjethesh vjeshte që puthin tokën me ëmbëlsi, kur trupi i tij po puth në paqe tokën këtë çast dhe shpirti i tij po puth përjetësisht ajrinë.

Thimi i dashur, na ike shumë i ri, në rininë e moshës së tretë gjithë pjekuri, por në kujtimin tonë ti mbetesh i përjetshëm. E shembullor.  

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë