'Tirana, një Europë e vogël', Kryebashkiaku Veliaj inspekton punimet për parkingun e katërt nëntokësor (Foto)

Para tre vitesh, ndërtimi i një parkingu nëntokësor në kryeqytet ishte diçka e paimagjinueshme. Por, sot në Tiranë, përveç dy parkingjeve te sheshi “Skënderbej” dhe në hyrje të Bulevardit të Ri, të cilët kanë zgjidhur një pjesë të mirë të parkingut në qendër, po ndërtohen edhe dy të tjerë: ai te stadiumi dhe një tjetër në Rr. e “Elbasanit”. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen tek ky i fundit, një parking publik me dy kate nën tokë dhe 145 vende. Kurse, mbi sipërfaqen e tij është rikonceptuar këndi ekzistues i lojërave për fëmijë.

“Jam jashtëzakonisht entuziast për këtë projekt fantastik në Tiranë. Si çdo punë e bukur e Bashkisë, edhe kjo punë ngjalli histeri, lajme të rreme, protesta, sharje, shpifje. Ja ku jemi sot! Është kati minus 2 i parkimit, do të ketë edhe një kat më sipër, kurse mbi sipërfaqen e parkimit rikthehet këndi i lojërave i “7 Xhuxhave”. Nga një hapësirë publike e keqshfrytëzuar, e dhënë në privat, sot nuk e kemi luksin të shpërdorojmë asnjë centimetër katror, sidomos në një zonë që ka nevojë ulëritëse për parkim”, tha Veliaj.

Parkimi publik është projektuar me 2 kate nëntokë dhe ofron 145 vendparkime në total, plus 2 vende parkimi për PAK-un. Lëvizja në parkim realizohet me anë të shkallëve dhe një ashensor. Parkimi përmban sistem ventilimi dhe sistem të mbrojtjes kundër zjarrit, ndërkohë që është i pajisur me sistemin e ndriçimit emergjent dhe me tualete. Kreu i bashkisë nënvizoi se në përfundim të punimeve, do të zgjidhet përfundimisht edhe shqetësimi për parkim për automjetet në kryeqytet.

“Është në kryqëzimin kryesor të Unazës me Rr. e Elbasanit, pranë Liceut dhe shkollës së re “Kosova”, institucione që kanë nevojë për parkim. Ndaj, sigurimi i mbi 145 vendeve parkim në ish-këndin e lojërave “7 Xhuxhat” dhe më pas rikthimi i këndit të lojërave mbi parkim, na zhbllokon një nyje shumë të vështirë për Tiranën. Partneriteti që kemi edhe me Xhaminë, në anën tjetër të Lanës, ku edhe ata po bëjnë po aq vende parkimi, zgjidh përfundimisht çështjen e parkimit”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se edhe në mandatin e dytë, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shtimit të vendeve të reja të parkimit nëntokësor në zona të tjera të kryeqytetit.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ajduteri: 22/09/2018 12:52

    Po cfar evrope o pluhur igjalle

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet