Tradita e baletit dhe ripërtritja me arritjet e koreografisë botërore pas ’90-s

Tradita e baletit dhe ripërtritja me arritjet e koreografisë botërore pas ’90-s

Baleti Ana Karenina me Anna Laudere dhe Edvin Revazovin

“Nuk më intereson se si lëvizin njerëzit, por se çfarë i bën ata të lëvizin, - thotë P.Bauch.

Koreografët edhe sot kërkojnë dhe gjejnë motive të reja për të krijuar mbi muzikën e Çajkovskit, Berliozit, pianistikën e Shopenit dhe dritën e Moxartit, deri dhe muzikën operistike, për baletet e tyre postmoderne. Me shumë finesë dhe guxim në të njëjtën kohë ata shprehin situata dhe gjendje psiko-filozofike të cilat  ngjizen nga këto inde muzikore, që vetëm ata i dallojnë. Kërcimi sipas Bezharit “përfaqëson jetë, sepse jeta është ritëm si rrahjet e zemrës, kërcimi është i pandarë nga të gjitha ritmet dhe pulset njerëzore”. Koreografia që krijohet mbi këtë pasuri të zbuluar e bëjnë këtë art më të prekshëm, më të ndjerë, më të afrueshëm me shikuesin i cili vlerëson tashmë emocionet që sjell ky qëndrim dhe raport i ri. Ai heq çdo dyshim që kishte më parë, nëse kjo muzikë do të mund të kompozohej në koreografi.

Provat dhe arritjet e koreografisë botërore në pasqyrimin e këtyre ideve janë të shumta, që nga autorët e parë modern të fillim shekulli të XX Fokin, Nizhinski(novator i madh), Graham dhe të tjerë gjer tek Moris Bezhar, Balanshin, Juri Kelion, Naço Duato, Bausch (krejtësisht e veçantë), Prelocaj, Malandain, Maillot, autorë rus e të tjerë në botë në gjysmën e dytë të shekullit të XX e këtej. Ky fenomen ka ndodhur dhe akoma është vazhdimësi në krijimtarinë e baletit bashkëkohor. Kjo dukuri shkëlqen dhe përfaqësohet nga autorë të cilët gjatë aktivitetit të tyre kanë akumuluar në këtë përshtatje kreative eksperiencë të madhe në skenat e vendeve me kultura të ndryshme . Ata  në këtë sfungjer kanë bashkëngjitur edhe diturinë e fituar në jetë nga përballja e pikëpamjeve dhe koncepteve të tyre ndaj koncepteve të vjetëruara që mbart historia e baletit të para një shekulli, kur nuk guxohej ti qaseshe (afroheshe) skemave dhe strukturave, leksikut dhe fenomeneve të konsideruara tabu.

Qëllimi i koreografëve nuk ishte mohimi krejtësisht i trashëgimisë koreografike të baletit klasik. Muzika të frymëzon që  të abstragosh dhe të rrit adrenalinën për të përftuar imazhe të jetës në tokë, mbi tokë  lart në qiell, gjer në qetësinë e yjeve, por edhe në kthetrat e bishave që jetojnë në mes njerëzve të cilët mundohen të prishin lumturitë. Ata me këto vepra i japin rëndësi kërcimit, nga se në kohët e sotme kërcimi është edhe një mjet komunikimi.

E tëra kjo duhet theksuar që performohet me gjuhen e trupit dhe gjymtyrëve të njeriut “sa mirë do ishte pra nëse vetë trupi të mendonte” – thotë koreografi francez Moris Bezhar. Kjo ngjan me emocionet që merr kur dëgjon tingujt dhe tërësinë e veprës muzikore, posi fjalët në poezi  apo  prozës të krijuesëve gjenial. Kështu ka ndodhur dhe me shkruesin e këtij shkrimi kur për herë të parë pa në ekranin televiziv baletin mbresëlënës “Ana Karenina” nga dy trupa baleti  që do të përshkruaj me modesti në vazhdim.

Në baletin “Ana Karenina” të realizuar në dy trupa baleti më në zë të Rusisë, kompania Eiftman dhe trupa e baletit të Teatrit Marinski të Peterburgut është pa dyshim muzika e Çajkovskit dhe e Shçedrin që ka frymëzuar koreografët Boris Eiftman dhe Aleksej Osipoviç Ratmanski të krijojnë shfaqjet e tyre mbi historinë e Ana Kareninës në romanin e Leon Tolstoit .

Dallimi në mes dy shfaqjeve (baleteve) është qëndrimi dhe fokusi që kanë zgjedhur autorët të mbajnë ndaj romanit dhe muzikës kur ndërtuan strukturën dhe formën e zgjedhur, për të përcjellë idenë dhe dramën që përjeton Ana kur dashuron dhe njeh anën tjetër të jetës para se të bëhet viktimë e dashurisë së saj.

Në shfaqjen e Kompanisë Eiftman në trajtimin e formës bien në sy e dominojnë blloqe të mëdha koreografike të alternuara me pjesëmarrjen e personazheve brenda tyre.Ballot e mëdha të aristokracisë, jeta familjare , përditshmëria e mjedisit ushtarak janë skema që përsëriten me frekuenca herë dramatike dhe herë lirike, ku ndjehet mirë prezenca e personazheve që jetojnë dhe meditojnë atje ku nis dhe zhvillohet historia e të dashuruarëve dhe shterimi i lidhjes së Anës me bashkëshortin e saj.

Ndërsa në variantin tjetër struktura e shfaqjes ngjan me atë që është vepruar dhe ka qënë e dallueshme në periudhën romantike të baletit në fund të shekullit XIX . Baleti është ngritur në këmbë si një tregim koreografik i suzhetit  të dalë nga romani . Autori nuk shkon përtej kësaj forme, por i jep rëndësi dhe hapsirë këtyre situatave që të shprehen edhe me anën e koreografisë. Ai është përqëndruar në tregimin e ngjarjeve dhe situatave që përbëjnë suzhetin. Në shfaqjen e Petërburgut baleti ruan formën pothuajse tradicionale të mënyrës së shprehjes së saj dhe përmbajtjes.

Dallimi që bie në sy në realizimin e dy shfaqjeve është tek kërkimi, fantazia dhe krijimi i mjeteve shprehëse të kërcimit. Në shfaqjen e Eiftman të impresionon pashtershmëria e një gjuhe të pasur, dinamike, mjaft ekspresive  dhe është burim ku merr jetë e zhvillohet gjendja shpirtërore e personazheve, ngrohtësia dhe ndjenjat e të dashuruarëve, por edhe racionaliteti e ftohtësia si dhe presioni psikologjik i anës tjetër që nuk pranon ftohjen që ka ngrirë marrëdhëniet në mes tij dhe Anës.

Në shfaqjen tjetër të trondit tregimi dhe detajimi i historisë që mbart libreti.

Këtij zhvillimi dhe përshtatje që ndodh me baletin botëror dhe shqiptar mbi vepra të frymëzuara nga muzika simfonike dhe koncertore e gjenialëve të muzikës në shekuj, i janë afruar shumë koreografë të tjerë në botë dhe tek ne. Që në vitin 1952 deri në vitin 1966 në skenën tonë janë vënë në skenë mjaft balete të kohës klasike romantike. Koreografë si Panajot Kanaçi, Skënder Selimi, Agron Aliaj, dhe më të rinj më vonë si Pëllumb Agalliu, Arjan Sukniqi, Enada Hoxha, Gjergj Prevazi, Tan Ibërshimi, janë frymëzuar edhe nga muzika sinfonike e Çajkovskit, Rahmaninovit, Rimski Korsakovit, Shtraus, Shopen, Carl Orff, Debysi, List. Janë realizuar shfaqjet “Romeo e Zhuljeta” (uverturë nga Çajkovski), “Françeska da Rimini” (poemë simfonike nga Çajkovski), “Paganini” (rapsodi për piano dhe orkestër e Rahmaninovit), “Shehrezade” (Rimsi Korsakov), “Jeta e artistit” (Shtrauss) Njësi më të vogla baleti nga Shopen (Etude Nocture), po ashtu nga Liszt.

Në vitet ‘90 e më tutje, janë krijuar balete të frymëzuara nga Debysi, Ravel dhe jeta e Shopenit (Shopen), Carmina Burana ( Carl Orff) etj. Në skenat botërore bien në sy vepra të shumta të koreografëve të shquar modern, të frymëzuara nga kolosë të tjerë si Bethoven, Grig, Çajkovski, Starvinski të tilla si: “Evgjeni Onjegin” “La grand fuga”, Pranvera e shenjtë” dhe koncertet për piano dhe orkestër të Çajkovskit, Rahmaninovit në Njeë York nga Balanshin.

Kjo është me pak fjalë dëshira dhe përpjekja për mbijetesë, përshtatje dhe “shprehje ndryshe” , që përdoret shpesh në bisedat dhe debatet kur duam të shpjegojmë se si mund të perceptojmë një shfaqje, një balet bashkëkohor të krijuar dhe mbi muzikën e pastër simfonike të autorëve gjenial të një epoke të shkuar. Koreografisë nuk i kanë munguar kurrë vizionarët që nga shekulli XVII, sidomos ata që e fituan këtë status gjatë shekullit të XX, veçanërisht në gjysmën e dytë të këtij shekulli. Ata guxuan të shkonin më tej statukuos dhe dritë-hijeve që pengonin zhvillimin e ideve të reja, me qëllim që arti i baletit, krijuar shekuj më parë të mund të shprehej dhe shikohej me admirim në kohët e sotme. Ata krijuan vepra që përfshinin një gamë të madhe e të gjer tematike, zhanre të reja e mbi të gjitha intuita e tyre parashikoi shkëputjen nga standartet e arritura dhe krijoi më vonë hapsirë të jashtëzakonshme për krijime të vazhdueshme të veprave të llojeve të ndryshme dhe të shumta, ndonjëherë deri në mohimin e baletit klasik.

II RIPËRTËRITJA DHE RIFRESKIMI NE BALETIN KLASIK DHE ROMANTIK

Në fillim të dekadave të para të shekullit XX, trupa e baletit rus e Diagilevit në Paris drejtuar nga koreografët e shquar Fokin  dhe padyshim Nizhinski, krijuan shfaqjet e para që shprehnin qartë rebelimin e dukshëm dhe largimin pothuajse fare nga sistemi tradiciona i baletit klasik. Njëkohësisht koreografë të tjerë vazhduan të mos i ndërpresin krejtësisht marrëdhëniet me traditën,  me baletin klasik dhe romantik. Atyre iu kishte mbetur në mendje vazhdimësia, përmirësimi dhe ripërtëritja e repertorit të veprave të baletit të krijuara shekuj më parë dhe jo vetëm guximi e dëshira për të krijuar siç po veproghej me muzikën simfonike dhe koncertore të kompozitorëve gjenialë.

Në vitet 1940-1950 të shekullit të XX, me shumë kujdes, disa nga koreografët filluan të ndërhyjnë në këto balete, për të përmirësuar episode te kërcimit divertiment (dëfryes) , kur ndryshuan rradhitjen e numrave koreografik e muzikor në kërcimet e karakterit. Kjo u vu re në baletet “Bajadera” dhe “Liqeni i Mjelmave” kur Cibukjan   dhe K.A. Sergejev në Rusi ndërhyjnë në vallen indiane dhe atë spanjolle. Ata bënë rrokadën me mazurkën të krijuara më parë nga Ivanov dhe Petipa. Ata vepruan si me ndroje kur ndërmorën të redaktonin dhe të pasuronin kërcimin në këto pjesë, duke u mbështetur më shumë në kërcimin popullor të vendeve nga buronin këto kërcime si Spanja, India.

Të tjerë koreografë ndërhynë dhe redaktuan me shumë kujdes edhe në skenat e kërcimit klasik në baletet “Liqeni i Mjelmave” dhe të tjera vepra. Burmeister tek baleti “Liqeni i mjelmave” rishikoi disa nga këto skena dhe njëkohësisht modifikoi në aktin e tretë kërcimet divertemente. Ndërsa të tjerë tentuan dhe forcuan personazhin e Pothbart( zogu grabitqar) në këtë shfaqje, me ngarkesë më të madhe e më të përsosura kërcyese, në mënyrë që veprimet e tij intriguese të ishin më të arsyetuara, kur ai mundohej të çorodiste princin Sigfrid.

Që në gjysmën e parë të shekullit të XX koreografët në Rusinë Sovjetike kanë tentuar që në shfaqjet e baletit klasik dhe romantik ti japin kuptim më të dukshëm kërcimit popullor në vallet e divertimentit e më gjerë në përmbajtjen e tërë shfaqjes. Në vitet në vazhdim në perëndim, në Grand opera të Parisit dhe gjetiu koreografëve ju shtua dëshira për të ringritur baletet e repertorit klasik duke redaktuar dhe rifreskuar atë që mund të përmirësohej në këto vepra.

U rifreskuan situata dhe episode pa e deformuar suzhetin, por duke e pasuruar mjetin shprehës(gjuhën), në skenat ku zhvillohej dhe dominonte kërcimi klasik dhe jo vetëm në vallëzimin e valleve të karakterit ato divertuese. Në Rusi siç thamë e kishte filluar Burmeister dhe Llapunov, të cilët i hapën rrugë koreografit të shquar Juri Grigoreviç. Ai me trupën e “Balshoi Teatër” mbajti qëndrim më krijues kur vuri në skenë “Liqenin e mjelmave” dhe të tjera vepra , kur i shikoi ato në një fokus të veçantë dhe të ndryshëm.

Gjithashtu koreografë dhe mjeshtrat të mëdhenj M.C.Millan, Ashton, Rudolf Nurejev, Barishnikof në perëndim, ofruan shumë ide për të ndryshuar mjaft aspekte të formës që atyre i dukej e domosdoshme.

Në fokusin e këtyre dy grupimeve në lindje dhe perëndim të Evropës e më gjerë (nëse do ti konsiderojmë të tillë) dallohet qëndrimi ose vështrimi i ndryshëm që mbajnë ata ndaj formës, përkryerjes së saj si pjesë më e rëndësishme e përmbajtjes në një shfaqje baleti. Të parët në lindje të Evropës, janë kujdesur më shumë në qëndrimet e mbajtura në dallimin klasor që vihet re në përmbajtjen kur përcaktojnë prejardhjen e personazheve. Ndërsa në grupimin e dytë dallohen idetë e reja në trajtimin e skemave të rinovuara me koreografi, ku shkëlqen një stil dhe paraqitje në kërcim më aristokratik. Mbi të gjitha në mjetet shprehëse të stilizuara dhe të frymëzuara, dallohet një këmbëngulje dhe kërkesë jo vetëm estetike por ato të tingëllojnë më ekspresive dhe të veshura me sharm dhe përsosmëri të admirueshme.

Në të dy rastet fillojnë e dallohen hapat e sigurta të kërcimit neoklasik e cila pasi kish marrë formë mori .patentën në baletet dhe krijimet e koreografit Balanshin në Neë York.

Në të dy grupimet ju vu rëndësi organizimit të situatave dramatike fatit, dhe vazhdimësisë së personazheve sipas vështrimeve dhe qëndrimeve të tyre. Ky fenomen u ndikua nga mjedisi i krijuar dhe imponuar gjatë kohës kur bota përjetonte luftën e ftohtë, kur vendet e lindjes në Evropë njerzia ropatesh të ndërtonte utopinë komuniste.

Baletet “Arrëthyesi” me koreografi të Rudolf Nurijev, “Liqeni i mjelmave” me koreografi të M.C.Millan  dhe “Don Kishoti” i vënë në skenë nga Barishnikof në ripërtëritjen e tyre, siç thamë,  kanë fituar shumë në veçoritë e stilit dhe zhvillimeve të tjera. Dominon larmia e madhe e figurave dhe pasuria e mjeteve shprehëse, veçanërisht gjuha koreografike, pa mohuar tërësisht koreografinë e autorëve që i krijuan këto vepra më parë. Ata ju shmangën me shumë kujdes disa lëvizjeve dhe shprehjeve klishe dhe të ezauruara, tashmë të konsumuara.Ata me rivënien në skenë të këtyre baleteve krijuan një lum lëvizjeshHedhje të mesme dhe të vogla, pozicione dhe modelim të pozave të trupit. U përkryen përdorimi i duarve, shpejtësia dhe kryqëzimi, bateria, apo siç përdoret në gjuhën frënge “antërshat” e këmbëve, ndërrimi i pozicionit të tyre në ajër dhe në tokë. Po ashtu, rrotullimet në ajër dhe në dysheme, deri tek lehtësia e kalimit nga një figurë në një tjetër.

Mbi të gjitha u insistua në metodikën e rreptë të mjeshtërisë së kërcimit gjatë përsëritjes (repeticionit) në provat e përditshme, për interpretimin e materialit koreografik. Kjo kërkesë e vazhdueshme u bë me qëllim të arritjes së përkryer të stilit dhe formës që përshkruhet në këto shfaqje, për një performancë të një niveli të lartë.

Koha e re sipas autorëve kërkonte një përjetim dhe skalitje të cilësdo pjesë për të përçuar një formë të përkryer duke u mbështetur mbi një shtresë  kulturore dhe estetike bashkëkohore e cila gjithësesi  ishte vazhdimësi logjike e asaj kulture që mbart arsenali i artë i baleteve klasike dhe romantike në shkollat e mëdha të baletit klasik ajo ruse, franceze dhe angleze.

Ripërtëritja dhe freskimi i këtyre veprave nuk ka ndikuar dhe nuk ka frenuar  koreografët në idetë e tyre për tu përshtatur dhe krijuar “ndryshe” dhe për të hapur dritare të reja në zhvillimin e artit koreografik deri në redaktim të thellë të kërcimit klasik. Ata patën kohën dhe zhvillimin e tyre progresiv për perceptime të ndryshme, për performancën e shfaqjeve të ardhshme. U vu re zhvillimi i shumë formave të reja si :“Danc Theater”, ku zhduken pothuajse kufijtë e kërcimit dhe dramës të teatrit të fjalës, me themeluesen dhe përfaqësuesen më të shquar të saj Pina Bausch që në një intervistë është shprehur  se “nuk më intereson se si lëvizin njerzit , por  se çfarë i bën ata të lëvizin”. Jo rrallëherë këto koreografi huazojnë  një sens të dallueshëm teatral, të mbushur me episode ndoshta absurde (thonë analistët) që duken si pa lidhje, por që janë shumë koherentë nga ideja  stili dhe emocioni  artistik që sjell së bashku kërcimi dhe fjala.

Mjaft nga koreografët e shquar të shekullit të XX ndër ta dhe koreografë shqiptarë nuk e lanë baletin klasik, romantik të zbehej në vlerat dhe të humbiste të drejtën për të jetuar. Ata bënë shumë që vlerat e traditës të mos humbasin dhe bënë çmos që këto balete të shikoheshin në një perceptim të ri konceptual. Bënë atë që kërcimi të realizohej në skenë pas arsyetimit që : përse arti i baletit të performohet vetëm me një gramatikë dhe fjalor tepër matematik dhe tabu, kur trupi i njeriut ka shumë aftësi të pa treguara e të pashtershme të flas nëpërmjet kërcimit dhe jo skemave të vjetra dhe pantonimës së tepërt, për të transmetuar temën dhe idenë , fabulën e këtyre shfaqjeve? Pse të mos vjelin edhe nga pasuria e folklorit siç u zhvillua edhe tek ne për shumë vite? Këtu fillon përpjekja e krijuesëve për mbijetesën e baletit klasik-romantik. Pse jo edhe për rilindjen më vonë të kësaj gjinie si shfaqje e madhe skenike/dramatike/muzikore. Në repertorin e baletit shqiptar janë pothuajse 20 vepra kombëtare ku bëjnë pjesë edhe ato për moshën e vogël, të krijuara në një epokë kur arti i baletit komandohej për kriteret se si duhej të krijohej. Kur liria e të shprehurit ishte shumë e kufizuar dhe performancës sado të një niveli të lartë interpretative, i mungonte apo e kishte të zbehtë pamjen dhe formën kaq të domosdoshme për afrimin e publikut. Kur koreografët provuan mbi kurrizin e tyre trysninë dhe kërcënimin e ideologjisë. Gjithsesi ato vepra janë bazament i fortë me vlera të jashtëzakonshme që presin dhe është e mundur të rinovohen, të rifreskohen dhe të rishfaqen, pa cënuar identitetin e tyre, integritetin solid. Ato vepra janë dhe duhet të mbeten si dëshirë e një kulture të lartë kombëtare dhe të mendohet për lançimin e tyre në jetën artistike të vendit, të cilit mund ti mungojnë gjini të krijuara nga autorët tanë. Duhet thënë me plotë gojën që dhe autorët e këtyre veprave që nuk jetojnë më, do të dëshironin që kjo gjë të ndodhte. Ata vuanin shumë kur shikonin veprat e tyre dhe konstatonin me dhimbje që në krijimin e tyre mungonte shpirti i vërtetë, i ndjesive dhe ndjenjave të tyre. Ata i kishin aftësitë për të bërë këtë gjë. Të rinjtë e shumtë që gëzojnë titullin koreograf, të ulen të mendojnë dhe të bëjnë për këto vepra atë që koha e shkuar jua mohoi dhe e sotmja jua ofron. Institucionet që drejtojnë artin dhe kulturën të mendojnë dhe menaxhojnë me rigorozitet me shumë kujdes dhe nikoqirllëk, kohën e mjaftueshme për ti rivënë dhe ripërtërirë këto vepra. Të bëjnë ndoshta të pamundurën për një buxhet të veçantë dhe të mos kursehet për të arritur atë që dëshirojnë të gjithë artëdashësit dhe publiku. Veprat tona kombëtare të shfaqen kudo dhe kurdoherë dhe për realizimin e tyre të mos vihet re kohëzgjatja e vënies në skenë. Gjithçka tjetër, duke filluar që nga skenografia, kostumet dhe komponentët që përbëjnë shfaqjen të organizohen dhe të krijohen nga artistë që kanë shfaqur kualitete dhe aftësi të lartë në artin e tyre. Të tjerë koreografë të mendojnë dhe të krijojnë vepra të reja e mos të ketë ndikim dekurajues në krijimtarinë e tyre nga trajtimi që do ti bëhet repertorit ekzistues, ripërtëritjes dhe freskimit të veprave kombëtare. Ata të jenë të lirë të mendojnë për të krijuar sipas preferencave dhe vështrimeve të ndryshme në stil, mendim dhe performancë dhe që të arrijnë atë që dëshirojnë. Ripërtëritja dhe freskimi të fillojë me vepra si “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Halili dhe Hajria”, “Cuca e maleve”, “Joniada”, baletet për fëmijë. Balete që në përmbajtjen e tyre kanë talentin, dedikimin, punën krijuese të autorëve të muzikës dhe baletit; Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Çesk Zadeja, Panajot Kanaçi Fehim Ibrahimi, Agron Aliaj, Aleksandër Peçi të cilët nuk duhet të lihen mënjanë. Koha kërkon që vlera të kulturës kombëtare të shfaqen në publik.

*Autori i këtij shkrimi është koreograf dhe mban titujt Mjeshtër i Baletit, Artist i Merituar. Shkrimi është botuar me shkurtime.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Kryebashkiaku Beci inspekton punimet e molos tek ura e Bunës: Projekti përfundon në qershor

Shkodër/ Kryebashkiaku Beci inspekton punimet e molos tek ura e Bunës: Projekti përfundon në qershor