Trajneri Mërxhushi: Arbitrat tanë janë me dy standarde

Mbeten edhe dy javë në Kategorinë Superiore në futboll, ku thuajse tashmë janë dhënë verdiktet, me pak enigma për t’u zgjidhur. Report Tv ka intervistuar trajnerin e mirënjohur Artan Mërxhushi, i cili pohon se pak a shumë skuadrat kanë marrë atë që kanë dhënë në fushën e lojës, që nga Skënderbeu kampion e deri te Lushnja që ka rënë nga kategoria.

“Megjithë problematikën që mund të ketë pasur i gjithë kampionati, ajo që është për t’u vlerësuar për mendimin tim, është se verdiktet e dhëna deri tani janë të sakta, qoftë për titullin kampion, megjithtëse nuk janë përcaktuar të gjitha verdiktet e tjera për në Evropë apo për rënien nga kategoria, qoftë për skuadrën e parë që është mësuar që do të bjerë nga Superiorja” – shprehet trajneri Artan Mërxhushi.

Trajneri i disa skuadrave në Superiore, që nga Dinamo, Besa, Kastrioti, Apolonia apo Korabi, thotë që arbitrat gjykojnë me dy standarte.

“Për mendimin tim, nëse do t’i shohim gjyqtarët si një skuadër, janë skuadra për të rënë nga kategoria bashkë me Lushnjën. Në shumë raste gjyqtarët veprojnë me dy standarte, godasin aty ku nuk duhet, falin atje ku u duhet” – shton Mërxhushi.

Kohët e fundit ka pasur polemika për trajnerët shqiptarë që drejtojnë në Kosovë, por Mërxhushi thotë se nuk duhet të ketë xhelozi.

“Ka një farë xhelozie dhe ambicie që nuk duhet të jetë. Ne jemi një komb, jemi një vend, nuk është aspak e ndaluar që edhe trajnerët kosovarë të drejtojnë në Shqipëri. Nuk është se janë më të zotë këta nga Shqipëria që shkojnë atje, por thjesht janë më me eksperiencë” – përfundon trajneri Artan Mërxhushi.

Të shtunën, në orën 16:00, do të luhen të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore, që përkon më javën e parafundit.

d.co.
Komento