Tregim i shkëputur nga “Antologjia për Skënderbeun”, 1968

Tregim i shkëputur nga “Antologjia për Skënderbeun”, 1968

Skënderbeu

O, ky nuk është një idil. Është vetëm një çast i lumtur paqeje e qetësie pas betejës, kur prijësi i madh, Gjergj Kastrioti, po çlodhej e,pa e kuptuar, po ëndërronte. Ishte çliruar nga veshja e hekurt aty buzë detit dhe në kurriz ndiente lagështinë e shkëmbit ku ishte mbështetur.

Fytyra e mprehtë e si e gdhendur i dukej si një copë e atij shkëmbi me leshterikët e varur që kishte hedhur furtuna një ditë më parë. Dallgëzat me shkumën e bardhë shtriheshin në zall pranë këmbëve të tij,sikur i pëshpërisnin me një fshehtësi e monotoni qetësuese: paqe, paqe...

Ai ishte i lodhur e një dremitje e ëmbël e bëri t’i dukej sikur po i shkrihej tërë trupi. «Këto muajt e fundit sikur po lodhem shpejt», i shkoi nëpër mënd. «Sa shumë po ma kërkon qetësinë ky trupi. Menjë-
herë më vajti mendja te kështjella, te shtrati, dhe Mehmeti gjithmonë e më shpesh po dërgon ekspedita kundër nesh, kurse Europa hesht, hesht si kryq varri... Po mbaju, o Gjergj!” - i doli një zë nga thellësia e gjoksit.

Sytë e picëruar i vezulluan si teh shpate; mjekra e gjatë,e dendur iu drodh. “Është e vërtetë që ujët e detit dhe ushtria e turkut nuk mbarohen kurrë. Është e vërtetë që ata nuk mund t’i zhdukësh,
por turkut mund t’i thyesh hundët, mund ta gozhdosh atje ku do!” Befas ndjeu një dhimbje të mprehtë në shpatullën e majtë. U kujtua se gjatë përleshjes së ditës një ushtar turk e kish goditur keq me
topuz në shpinë, mbi këmishën e hekurt.

Atë çast ai ndjeu vetëm një tronditje; e goditi ushtarin në fytyrë me pjesën e gjerë të shpatës, ngriti kalin kas përpjetë dhe, bashkë me kalorësit e gardës së tij, çau përpara. “Mbase është vetëm një shembje e lehtë”, — mendoi. — Të paktën mirë që s’e ka marrë vesh njeri që jam plagosur. Prijësi hodhi vështrimin mbi faqen ngjyrë plumbi të detit që valëzonte lehtë. Tej, në horizont, dergjeshin vargmale resh. Dielli, si një plagë e gjakosur, lëshonte mbi det një fashë rrezesh të kuqërremta, si lumë gjaku. Pranë bregut, një grup grash vendëse po thurnin të heshtura një tog rrjetash. Nga kampi, në sheshin buzë detit, vinin të qarta hingëllimat e rralla të kuajve. Ndihej e fortë era e shkurreve që digjnin ushtarët.

Një tym i zi notonte mbi kamp. Po afrohej muzgu e ushtarët po rregulloheshin për të kaluar natën, për të çlodhur ndopak kockat, për të qenë të lehtë në marshimin e nesërm. “Ushtarët i kam të lodhur e të uritur, pa gjumë, — mendoi Gjergji.  — Ato pak ushqime që i zumë si plaçkë lufte dhe ato që na dërgoi Mbreti i Napolit nuk dalin as për të plagosurit. Fshatarët? Fshatarët kanë zënë shpellat; na kërkuan ne pak miell e na dhanë ca qumësht. Po si nuk erdhi vallë një ushtar të më ankohej? Jo, Gjergj, ata janë vëllezërit e tu, djemtë e tu. A qahem, a ankohem unë? E pra, dhe ata s’janë më të këqij se unë, dhe ata kanë një zemër e një besë si unë”.

Thellë nga kampi u ngrit si petrit zëri i një dukagjinasi dhe, menjëherë pas tij, një zë tjetër e shoqëroi. Prijësi mbylli sytë. Ishte një këngë “pas krahi”, një këngë e vjetër, me nota të larta, të zgjatura. Kjo
këngë kishte një harmoni pak të egër, një shpërthim të papërmbajtur ndjenjash. Ajo ushtonte si jehonë zemër më zemër, mal më mal, shekull më shekull, sikur përcillte lavdinë e atyre trimave, e atyre viteve.
Fjalët nuk kuptoheshin, po prijësi e dinte kuptimin.

Ajo këngë e bënte t’i mbetej fryma e t’i rrëqethej shtati. Lufta, mizëria e turqve, vërshimi i tyre mbi fushat e Arbërisë, përleshjet trup me trup, lufta asgjësuese e maleve, uria e kështjellave të rrethuara, shqiptimi mjaltë i fjalëve helm të venecianëve, tërheqjet e turpshme të turqve, buçitja e gazit të fitores; të gjitha këto iu shfaqën rrufeshëm para syve prijsit të madh, ndërsa kënga e dukagjinasve fluturonte lart e më lart... Pak nga pak po e pushtonte gjumi. Koka po i varej ngadalë mbi gjoks, por menjëherë u përmend si ta kishte prekur diçka e ftohtë. “Sonte më duhet t’i kontrolloj vetë rojet”, - u kujtua. Dielli kishte kohë që ishte falur. Muzgu po ndizte yjet e parë, kurse tej, nga perëndimi, mbi horizont skuqnin disa copëra resh. Erë s’frynte. Deti ishte ishte qetësuar e bërë vaj.

“Sikur gjithë ky det të ishte tokë e gruri të valëzonte pa fund në vend të ujit”, — mendoi ai turbull. “Gruri, kalliu i grurit...” Kjo  kujtoi një çast nga beteja e ditës: Në mes të përleshjes, thirrjeve, hin-
gëllimave të kuajve, zhurmës metalike të shpatave, i zuri syri mburojën e një himarjoti. Në të ishin gdhendur të kryqëzuara një shpatë e një kalli gruri. Ushtari, një djalosh flokëverdhë, i pakët nga trupi, i skuqur e tërë djersë në fytyrë, po luftonte me shpatë të thyer përgjysmë kundër dy turqve. Në kohën kur ky, me një lëvizje të papritur, e goditi në kokë nga lart poshtë njërin nga turqit, tjetri e përshkoi tej për tej me shpatë. Mbas betejës, ndërsa po shikonte të vrarët e të plagosurit, prijësi dalloi shpatën e kallirin në mburojën që kishte mbuluar gjoksin dhe fytyrën e himarjotit. Si një dhembje e përmbajtur psherëtinte deti aty në breg, tek këmbët e tij.

“ S’do të lutesha për gjë tjetër, veç të më jepej një vdekje e tillë” pëshpëriti ai. Fytyra iu zbut, sytë iu lagën e zemrën ia përshkuan dridhshëm ndjenja dhembshurie e dashurie atërore. Atë çast ai nuk i
ngjante më atij «xhindit kryqali» që mbante të shkëlqyer shpatën e zjarrtë të lirisë. Një baba plak mbi kokën e të birit të vdekur nuk do të ndiente aq dhimbje sa ai, i cili provonte njëherësh dhimbjet e qindra e qindra baballarëve. Mbrëmja e qetë dhe e ngrohtë e bregdetit ra ngadalë mbi tokë e mbi det. Në kamp zhurmat pothuaj ishin shuar. Prushi i zjarreve digjej përgjumshëm. “Tash im bir, — u kujtua Gjergji, — fle i qetë.” Befas Gjergji u hodh vrik më këmbë e shpatulla e majtë i theri. Trupi I ishte mpirë nga të ndenjurit ulur. Rrotulloi krahët si të kishte shpatën në dorë, po shpatulla përsëri i theri. U kthye me fytyrë nga kampi e mes errësirës dalloi siluetat e disa çadrave. “Ushtarët po flenë. Dhe ata, si unë një zot e di ç’ëndërrojnë. Apo ndoshta bëjnë një gjumë të rëndë! Gjithmonë ushtari pas betejës ëndërron. Ndonjëri shikon zjarrin e vatrës së kasollës ose kullës së tij; dëgjon rrahjen monotone të dybekut që i tingëllon si isua e këngës së familjes. Fëmijët e shumtë rreth sofrës hanë përshesh me qumësht. Pali i vogël me pite mjalti në dorë qan me të madhe se e ka pickuar arrëza. Një djalë i ri shikon dasmën, krushqit e pafund, buzët e freskëta e sytë pyetës të nuses. Një bari ndjell qentë e u thërret dhenve të tij që zbardhin gjithë faqen e malit; dehet nga tingëllimat e zilkave e kumborëve... Zhurmë këmbësh u dëgjuan në zall. Gjergji dalloi siluetën e oficerit të rojes.

—  Kryezot! Ka ardhur një lajmëtar.

—  Le të vijë.

Lajmëtari, me një veshje të çuditshme, gjysmë shqiptare, gjysmë turke, nga vrapi që kishte bërë me kalë, po merrte ende frymë me zor. Gjergji i shtrëngoi dorën. — A, qenke ti Mirash Marku i Mark Nikës!
A je burrë? Ç’të reja po na sjell? — Një ushtri turke, e përbërë në pjesën më të madhe prej jeniçe-
rësh, — filloi të fliste me një frymë Mirashi. — Numri i tyre i saktë nuk dihet. Po udhëtojnë për tërë natën nëpër rrugën e vjetër gjatë lumit të Lekës e, me sa duket, kanë ndërmend të zënë Qafën e Zezë.

Balli i prijësit u vrenjt. Solli para syve atë qafë, që më shumë ishte një grykë e verbër e rrethuar nga të tri anët me faqe të thikta shkëmbinjsh të lartë, e tha me vete: “Në qoftë se do të çlodhemi sonte dhe ata
do të zënë grykën para nesh, kjo do të thotë që ne, në këtë gjendje që jemi, të luftojmë ballë për ballë në luginë. Edhe sikur të fitonim, kjo do të na kushtonte shumë”.

— Jo, ne do të ndeshemi përpara se ata të arrijnë Qafën ë Zezë, —  foli me zë. — Si thua, Mirash?

—  Por duhet të ecim dy herë më shpejt se ata, kryezot!

— Edhe më shpejt. Do t’i dalim ditës përpara me vrap.

Zëri i tij tingëllonte metalik. Fjalët ishin të prera si goditje shpate. Gjithë trupi i tij ngjante me një hark të ngrehur kërcënueshëm. Në çadër e prisnin oficerët dhe krerët e fiseve. Një bishtuk në majë të një ushte u jepte forma të çuditshme hijeve të tyre në faqet e çadrës.

— Me gjithë gjendjen tonë, të lodhur, pa gjumë, pa ngrënë, mendoj të ngrihemi e t’u biem befasisht turqve para se ata të arrijnë Qafën e Zezë. Në betejën e nesërme më shumë do të humbasim se do të fitojmë, edhe sikur të harrojmë mundësinë se turqit i dërgojnë një ndihmë tjetër kësaj ushtrie.

— Ne jemi me ty në jetë e në vdekje, o Gjergj! — foli një plak i zbardhur, i veshur me gozhup.

Në sytë e të gjithëve vetëtinte besimi.

— Të nisemi, — thanë ata.

— Jo vetëm me trupat tona, por dhe me hijet tona duhet të luftojmë, — foli përsëri plaku me gozhup.

—   Le t’i shqyejmë, pra, dhe këtë herë mushkëritë e natës me shpatat tona! — ngriti zërin tingëllues prijësi i madh. Kushtrimi i mbrëmjes le të ndjellë agimin!

Ushtria vraponte nëpër natë, ndërsa errësira përreth tërhiqej e trembur   nga flakërima e pishtarëve të ndezur.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet