Tregtia ndërkufitare Shqipëri-Kosovë, avancon strategjia për liberalizimin e shkëmbimeve

Tregtia ndërkufitare Shqipëri-Kosovë, avancon strategjia për liberalizimin e shkëmbimeve

Foto ilustruese

Qeveritë në Shqipëri dhe Kosovë po përgatitin një plan për të mundësuar hapa të reja në drejtim të lëvizjes së lirë të njerëzve e mallrave ndërmjet dy shteteve të banuara nga shqiptarët. Sipas procedurave të reja që janë në përgatitje e sipër, planifikohet që të mos kërkohen dokumente të panevojshme, por të njihen në mënyrë reciproke dokumentet e të dyja shteteve. Kështu ka deklaruar dje Lulzim Rafuna, ish-drejtor i Doganave të Kosovës, i cili aktualisht është këshilltar i ministrit kosovar të Financave, ashtu edhe këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për Doganat dhe Tatime.

“Liberalizimi ekonomik Kosovë–Shqipëri nënkupton eliminimin e gjithë burokracisë që ekziston në shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve. Po ashtu, edhe marrjen e të gjitha masave për të eliminuar dokumentacionin e tepërt – dokumentacion, i cili dyfishon punën dhe njëkohësisht rrit koston e biznesit, si te pala kosovare, po ashtu edhe te pala e Shqipërisë”, thotë Rafuna.

Kohët e fundit, zyrtarë të të dy qeverive kanë deklaruar se procedurat e reja për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Kosovës dhe Shqipërisë do të fillojnë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite që ka realizuar në fillim të këtij muaji në qytetin e Vlorës, deklaroi se nga “1 janari 2019, do të hiqet dogana në mes dy shteteve”.

Dyshimet

Por, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe afaristë kosovarë theksojnë se, ndërkohë që janë bërë disa përparime në këtë fushë, më tepër ka retorikë nga autoritetet e të dyja vendeve, se sa zbatim në praktikë. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha për Radion Evropa e Lirë se dyshon që në muajin janar të arrihet liberalizimi ekonomik në mes dy shteteve, pasi, sipas tij, ende ka paqartësi në procedurat kufitare. Problemet, thotë ai, ekzistojnë edhe në eksportin e produkteve kosovare në tregun shqiptar, si dhe te mosnjohja e dokumenteve të ndryshme. “Kur themi nuk kemi procedura, duhet të dallohet pjesa e mallrave dhe njerëzve që qarkullojnë. Te mallrat nuk besoj se është e realizueshme, sepse duhen shumë parakushte të kalohen, harmonizime të shumë dokumenteve dhe të cilat realisht mundësojnë një qasje tjetër. Por, prapë është pozitive që ka një iniciativë, që në kufiinfrastruktura të rregullohet dhe mos të pritet me orë të tëra”, thekson Rukiqi.

Një nga kompanitë nga Kosova që aktivitetin e saj e zhvillon edhe në territorin e Shqipërisë, është Pestova nga Vushtrria, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates. Pronari i kompanisë, Bedri Kosumi, tregon se në territorin e Shqipërisë posedon 40 hektarë tokë, ku bën kultivimin e patates së hershme. Po ashtu, ai eksporton produkte në Shqipëri, por edhe importon. Kosumi thotë se, me përurimin e pikës kufitare Vërmicë-Merdarë, pritjet për kalimet në kufi janë më të shkurta, por, sipas tij, janë procedurat tjera që pengojnë shkëmbimet tregtare. “Shqipëria e Kosova nuk e konkurrojnë njëra-tjetrën, mirëpo e plotësojnë njëra-tjetrën në treg. Por, deri më tani, në shumë tryeza, takime në mes qeverive, më shumë është folur, shumë pak është punuar për lehtësimet për biznese. Është e vërtetë që ka përmirësime, por nuk është ajo që duhet të jetë”, thotë Kosumi.

Kufiri

Muajin e kaluar është përuruar pika e përbashkët kufitare Morinë-Vërmicë që lidh Kosovën me Shqipërinë. Me këtë projekt, që është financuar nga Bashkimi Evropian me më shumë se një milion euro, është kryer edhe modernizimi i pajisjeve. Gjithashtu, këto ndryshime kanë lehtësuar transportin e mallrave në këtë pikë, pasi mjetet procesohen në një pikë të vetme të përbashkët.

Lidhjet

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë investuar tashmë miliarda euro në infrastrukturë rrugore nga të dy shtetet. Përveç kësaj, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, por edhe në fusha tjera. Megjithatë, vlerësohet se dy shtetet, gjatë shkëmbimeve tregtare, vazhdojnë të hasin në vështirësi dhe konsiderohet se nuk kanë arritur të kenë marrëdhënie tregtare në nivel të kënaqshëm. Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e importit të produkteve, të cilat importohen nga Shqipëria, në vit kapin vlerën më shumë se 99 milionë euro, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri është vetëm 15 milionë euro. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë