POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Krelan me miell misri dhe Fërgesë me patëllxhana

Receta e parë : Krelan me miell misri

Përbërësit : 

400 -450 gr miell misri

250 gr djath

3 vezë

1 gotë vaj ulliri (200 ml)

1gotë kos

3 lugë krem kosi (sipas dëshirës)

1 pako pluhur pjekës

1 lugë çaji kripë

Fara susami

Përgatitja:

Bashkojmë në një tas përbërësit e lëngshëm. Rrahim vezët duke shtuar kripën e më pas vajin. I përziejmë mirë duke shtuar kosin dhe 3 lugët e kremit të kosit nëse kemi( pasi e bën më të butë).

I përziejmë të gjitha mirë dhe i lëmë mënjanë. Në një tas tjetër përziejmë miellin me pluhurin pjekës ose 1 lugë çaji sodë buke.

Shtojmë pak nga pak miellin tek tasi me vezët dhe kosin duke i përzier me tel ose lugë druri. Pasi ta kemi përzier mirë brumin( një brumë pak më i trashë se brumi i kekut), shtojmë djathin e thërrmuar dhe e përziejmë me lugë. Lyejmë një tav me vaj dhe e vendosim të nxehet në furrën e parangrohur në temperaturën 250 °C. Në momentin që hedhim brumin në të, vaji duhet të jetë i nxehtë. E nivelojmë brumin dhe e spërkatim sipër me fara susami. E vendosim tepsinë në furrë në temperaturën 250°C për 20 minuta. E lëmë 5 minuta të kullojë në furrë të fikur dhe pasi të ftohet pak, e shërbejmë.

Receta e dytë : Fërgesë me patëllxhana

Përbërësit : 

800 gr patëllxhana

3 qepë të vogla

300 gr selino

400 gr domate

1 lugë sheqer

2-3 lugë gjelle pure domate

80 gr ullinj jeshil

30 gr stika pishe

1 lugë gjelle kaperi

2 -3 lugë gjelle uthull vere

2 thelpinj hudhër

Borzilok

Përgatitja:

Fillimisht qërojmë qepët dhe i presim ato në feta të holla ( si për sallatë). Patëllxhanët i lajmë, i pastrojmë nga bishtat dhe i presim në kubikë me brinjë 2 cm. I spërkasim me pak kripë dhe vendosim një peshë mbi ta me qëllim që të nxjerrim të hidhurën prej tyre. I lëmë 20 minuta kështu. Më pas i kalojmë në letër kuzhine dhe i vendosim në një tigan duke shtuar 2 lugë gjelle vaj. Vendosim kapakun dhe i lëmë të zbuten në temperaturë mesatare me qëllim që të mos skuqen. Sipas dëshirës edhe mund ti skuqni.

Në një tigan tjetër kaurdisim qepën, 2 thelpinj hudhër, selinonë e prerë në trashësi 0, 5 cm, ullinjtë dhe i trazojmë së bashku me kaperin  e larë mirë e stikat e pishës. I kaurdisim për 3 -4 minuta, duke shtuar më pas domaten pa lëkurë të prerë në kubikë si dhe purenë e domates e sheqerin duke i lënë të ziejnë për 5 minuta. Ndërkohë patëllxhanët janë pjekur (jo skuqur). Fikim sobën duke shtuar tek patëllxhanët 2 lugë gjelle vaj. I vendosim kapakun që të djersiten dhe shtojmë patëllxhanët tek tigani me qepë dhe domate. Rregullojmë me kripë, piper të zi, borzilok e uthull dhe i lëmë të ziejnë për 5 minuta. E sheshojmë duke e spërkatur në fund me vaj ulliri të freskët.

Ju bëftë mirë!

a.ko./b.ha.
Komento