POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Rosto me mish viçi dhe Spinaq me speca e vezë

Receta e parë : Rosto me mish viçi

Përbërësit :

800 gr rosto viçi

1 kokërr qepë

3 lugë gjelle pure domate(sipas dëshirës)

2-3 karrota

2 degë selino

1 lugë çaji niseshte ose miell

1 thelp hudhër

15 ml verë e bardhë

Sherebelë

Rozmarinë

Kripë dhe piper i zi

Pure patate

500 gr patate

2 të verdha veze

2 lgj gjalp

1 thelp hudhër

Arrë moskat

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja :

Mishin siç e kemi copë të paprerë, nëse rostoja është e trashë, e lidhim me fije kuzhine që të mos deformohet gjatë gatimit. Më pas e marinojmë me kripë dhe piper të zi. Nëse dëshironi , mund ta shponi në mes me një thikë dhe të vendosni një karrotë të hollë , por mund të lihet edhe ashtu siç është. Vendosim në tigan 3 lugë gjelle vaj dhe pak gjalpë dhe skuqim reston deri sat ë marrë një ngjyrë të kuqerremtë nga të gjitha anët.

Presim perimet në kubikë dhe i vendosim në tigan, bashkë me erëzat e i kaurdisim deri sat ë mos ketë lëng në tigan. I shuajmë me verë dhe sapo vera të avullojë vendosim mishin në një tavë , e mbulojmë atë me alumin dhe e vendosim në furrë për 30 minuta në temperaturë 200 °C.

Perimeve i shtojmë pak ujë ose lëng perimesh , ose mishin e lëmë të ziejë pak duke holluar 1 ose 2 lugë çaj niseshte  me ujë të ftohtë , e trazojmë me perimet duke e rregulluar me kripë dhe më pas e kalojmë në blender dore, e kullojmë në kullesë dhe e lëmë për të marrë dhe një valë , për të parë apo rregulluar kosistencën.

Nxjerrim reston, e lëmë atë të mbuluar me qëllim që të rrijë e ngrohtë.

Përgatitja e Puresë :

Ziejmë patatet e prera në kubikë dhe i kalojmë në shtypësen e puresë. Shkrijmë gjalpin me pak hudhër për të aromatizuar dhe e përziejmë me perime. Shtojmë në të 2 të verdha veze për 500 gr patate, kripë , piper të zi e  arrë moskat dhe i trazojmë mirë. Nëse rezulton e trashë mund ta hollojmë me 2 lugë gjelle qumësht. Nëse dëshironi mund ta kaloni në xhep pastiçerie , ti jepni formën që dëshironi në një tepsi ku kemi shtruar letër pjekje. Pasi e pjekim në furrë për 20 minuta e shërbejmë së bashku me reston.

Receta e dytë :Spinaq me speca dhe vezë

Përbërësit :

700 gr spinaq

1 kokërr qepë

2 speca të kuq

8-10 kokrra vezë

200 gr mozzarella

Vaj ulliri

Arrë moskat

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja :

Fillimisht qepën dhe specat i presim në kubikë të vegjël. Spinaqin e lajmë dhe të paprerë e vendosim në ujë të valuar për 1-2 minuta. Më pas e kullojmë dhe e presim trashë.

Në një tigan me pak vaj ulliri kaurdisim qepën deri sat ë zbutet mirë , shtojmë specat dhe përsëri i kaurdisim për 2-3 minuta. Shtojmë spinaqin, kripë, piper të zi e arrë moskat. ( nëse spinaqin nuk e valojmë, e vendosim në tigan deri sat ë ulë volumin e tij, më pas shtojmë kripën dhe erëzat).

Në një tas të madh hedhim vezët dhe i përziejmë mirë. Më pas shtojmë në tasin me vezë spinaqin e gatuar dhe i trazojmë mirë. Lyejmë një tavë me vaj dhe shtojmë masën e përgatitur . Spërkatim me djath mozarela të grirë , e mbulojmë me letër alumini dhe më pas e vendosim në furrë në temperaturën 180 °C për 20 minuta.

Ju bëftë mirë!

 

a.ko./b.ha.
Komento