'U nis për shkarkim, përfundoi në… votëbesim'

'U nis për shkarkim, përfundoi në… votëbesim'

Ministri Fatmir Xhafaj

Dy javë më parë, pas disa paralajmërimeve “serioze”, zyra juridike e Shqup-it, shpalli zbulimin e saj: përgjimin e Agron Xhafës, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në bisedë me atë që fillimisht u quajt Bashkëpunëtori X.

Ishte një dalje e paralajmëruar. Kishte shumë javë e muaj, që kur zoti Xhafaj mori përsipër drejtimin e Komisionit për reformën jetike në sistemin e drejtësisë që opozita mendoi se kishte gjetur “thembrën” e luftës politike të saj: Vëllai i zotit Xhafaj ishte dënuar në vitin 2002 në shtetin italian për trafikimin e lëndëve narkotike.

Megjithëse që nga viti 2005 dhe deri në shtatorin e vitit 2013 kjo opozitë kishte qenë në pushtet, e për më tepër në disa muaj të vitit 2017 kishte pasur në duart e saj edhe ministrinë e Brendshme, edhe atë të Drejtësisë, çështja Xhafaj, vëllai, nuk ishte ngritur asnjëherë prej tyre. Kishte qenë një gjë e mbuluar, e lënë në heshtje, edhe nga vetë shteti fqinj, dhe, papritmas, si në luftërat politike, ku shkaku kthehet në sebep, u rihap.

Pas përgjimit, në entuziazmin e ankthshëm, i pari që u prononcua publikisht ishte zoti Berisha. Mbi të gjitha ai mori përsipër autorësinë e përgjimit, si një vepër e partisë së tij, kur gjërat dukeshin ende të mjegullta.

“Vëllain e Xhafajt e kemi përgjuar me kujdes, por nuk e nxjerrim dëshmitarin, se na e vrasin. Absolutisht në përgjim është Agron Xhafaj, i regjistruar me kujdes të plotë. Ai e meritonte 100 herë atë regjistrim. Burimi nuk nxirret. Kush është personi X? Personi X vinte nga Italia”.

Kjo ishte deklarata e parë futuriste e Berishës. Askujt nuk i lejohet të harrojë, aq më tepër duke ditur se si vazhduan gjërat. Në rrjedhën e deklarimeve do të futej dhe Basha, aspiruesi i përgjimit, së bashku me një treshe “musketierësh politikë”.

Dy ish-ministra dhe një tenderues seksi, por besnik deri ku nuk thuhet i Bashës, e shoqëruan atë. Ishte rëndësia maksimale që dëshmonte sulmi politik i shqupasve, por edhe tentimi që pas paraqitjes së ndjeshme politike të infektohej ideja se kishte diçka të vërtetë, në mos shumë të vërteta.

U kërkua koka politike e ministrit Xhafaj dhe, si e ka në natyrën e tij, Berisha shkoi edhe më tej: kërcënoi me hedhjen në lumin e Lanës të qeverisë shqiptare, ndërsa kokën e Ramës askush nuk e dinte se ku e shpinte. Një ëndërr e vjetër makabër, që në një emision TV shkoi në kufijtë e absurdit, si një epilepsi politike, duke vënë në duart e tij një snajper për të goditur.

Punët po shkonin drejt rrokullisjes. Njeriu i fshehur pas Bashkëpunëtorit X u bë i njohur. Si thotë vetë ai, u bë i njohur nga që Vlora ia kishte njohur zërin. Agron Xhafaj, pasi nënshkroi një padi penale, regjistroi zërin në prokurori, u vetëdorëzua dhe ndodhet aktualisht në njërin nga burgjet italiane.

Ndërkohë u bë e njohur se “personi që kishte ardhur nga Italia” sipas Berishës, ishte një banor i Vlorës, por jo vlonjat, i njohur si trafikant droge, i punëve të pista, sherrxhi e bixhozxhi, shpesh herë i papunë, por që na shfaqej edhe si biznesmen në protestat politike të PD-së.

Kishte hedhur alibinë e një hakmarrje ndaj Agron Xhafës, pasi nuk i kishte dërguar një paketë cigare kur kishte qenë në burg, çka ishte shkërmoqur shpejt. Thesi po grisej me shpejtësi. Shumë gjëra po dilnin prej tij dhe po nxirrnin një të vërtetë që po rrokullisej bashkë me përgjimin. Një natë të vonët, ende pa gdhirë, gazetari investigativ, Olldashi, i cili kishte nisur përgjimin, do të thirrej me urgjencë në selinë e PD-së.

Dëshmitari X, i njohur më pak si Albert Veliu dhe më shumë si babale, kërkonte të fliste. Thirrje shtrigash, ende natë. Më është kujtuar një dy vargësh “Të thërret kapidan Gjika, të do për punë të liga”. Përse kaq herët? Babale ishte nisur për rrugë të gjatë. Ai sipas zyrës juridike shqupase, do të bënte dëshminë dhe do të largohej. Ky do të ishte shpërblimi i dytë i tij.

Babale u shfaq më në fund i plotë. Italiani i Berishës u bë i njohur si babale i Vlorës. Lëvizja për rrëzimin e Xhafajt mori emrin si lëvizja babaliste.

Revolucioni francez që predikoi Basha mori emrin revolucioni babalist. Protestuesit e dhunshëm  u ngritën me flamurin e Babales. Një kauzë e ngritur mbi emrin e një trafikanti natyrisht të dërgon në trafikimin e ideve, të protestave dhe bëhesh i pabesueshëm.

Befas, me gjithë shpalljen e madhe, tani askush nuk i del më për zot përgjimit. Babale, duke ndjerë frikën dhe duke mos mundur të arratiset bashkë me familjen në një vend europian, ku mendonte se si “hero “ do të merrte strehimin politik, i pari desh të hiqte fajin nga vetja. “Nuk e regjistrova unë, Agroni regjistroi veten”. Me gjithë gafat e pazakonta në intervistën e tij, kjo ishte më budallaqja. Si të thuash, budalla si Babale.

Gazetari shkoi në rrymë të kundërt: unë i dhashë një përgjues Babales dhe ia mora sapo u kthye nga biseda me Agron Xhafajn. Kështu më tha ai, se nuk e pashë vetë Agron Xhafajn”.

Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, investiguesi pasi kishte pasur frikë nga drejtësia e kapur, megjithëse në atë kohë kryeprokuror ishte njeriu i PD-së, më shërbyesi ndaj saj, Llalla, i ishte drejtuar PD-së dhe e kishte “harruar” regjistrimin. Nëse ishte apo jo zëri i Agronit ai nuk e dinte. Sipas tij këtë mund ta bënte vetë PD-ja.

Duke ndjerë fundosjen e një krijimi monstër, PD-ja dha edhe pjesën e dytë të udhëtimit drejt marketit të drogës. Megjithëse përmes një kanali TV dhe një gazetari të njohur, gjithçka ishte e përgatitur në shqup-in politik. Dy vetë, njëri trafikant dhe tjetri gazetar që kërkojnë drogë.

Ka shumë zhvillime të tjera dhe qindra pikëpyetje: që nga dyshimi i ligjshëm se si siguruan rreth 24 mijë euro gazetari dhe Babale për të blerë drogën, përse trokitën pikërisht tek Salianji dhe roli i tij në gjithë këtë përpjekje për rrënimin e  shtetit, deri tek pyetja që mund të ketë një përgjigje të frikshme: ku përfunduan 20 kg e drogës që blenë së bashku gazetari dhe Babale.

Mbi babalizmin si një mercenarizëm trafikantësh u ngrit edhe kauza e protestës, së cilës, me një turr të egër politik dhe fjalor vrasës iu përgjigj edhe LSI-ja.

Është ndoshta protesta më e çuditshme në gjithë këto vite. E thirrur nga opozita për të përmbysur Xhafajn, në fakt ajo u bë mbështetëse e kauzës  së tij, reformimin e domosdoshëm të drejtësisë dhe të policisë së shtetit; e thirrur për t’i thënë ik Ramës dhe Xhafajt, ajo u bë në fakt shenja që tregon përse na duhet ende të rrimë nën pushtetin e një qeverie që është shumë më e mirë se sa kjo që na afrohet, megjithëse nuk është ajo që kemi pritur.

E thirrur si një lëvizje e përgjithshme bllokuese e shtetit, ajo i hapi rrugë edhe më tej shtetit në veprimet e tij.

E nisur si një lëvizje për t’i thënë gjithë botës demokratike se këtu qeveris një strukturë që ka në vete një trafikant, në fakt u bë nismë për të besuar edhe më tej, pikërisht atë që sulmohej duke pasur në duar lëvizjen babaliste të një trafikanti.

Ndodhi e kundërta e dëshirës për të cilën ishin thirrur mijëra njerëz: Deri tani asnjë institucion ndërkombëtar dhe asnjë përfaqësi ndërkombëtare nuk ka mbështetur veprimin politik të PD-së, ndërsa besimi i brendshëm tek shteti është rritur.

Me gjithë dëshirën e një plaku marroq me instinkte vrastare flamuri i “fitores” nuk u ngrit mbi dikasteret shqiptare; në të kundërtën, sinjalet ndërkombëtare, tejet të ndjeshme, i dhanë shansin Bashës të tërhiqte njerëzit e tij nga sulmi mbi një institucion.

Ëndrra e Berishës për të vrarë dhe gjak përfundoi me një goditje ndaj shefit të një redaksia opozitare, çka është e dënueshme. Shefi i gazetës u bë prijës metingashësh dhe është e çuditshme se si vetë vetë kishte besuar atë që kishte shkruar, kur të tjerët nuk e kishin besuar.

Përse ndodhi e gjithë kjo: Përse nisja e një procesi skarco të përgjimit u kthye si një votëbesim masiv ndaj shefit të qeverisë dhe drejtuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme?

Përse, me gjithë zellin e opozitës, thirrjet, pritjen e protestës më të madhe në histori, rrethimin e institucioneve deri në dorëzim, linçimet politike me kërcënime skandaloze, të gjitha përfunduan në një hiç të madh për opozitën dhe në rikthim të shpresës për shumicën qeverisëse?

Opozita gjeti kohën e gabuar, mjetin e gabuar, formën e gabuar dhe njeriun e gabuar për të bërë një kauzë, që edhe e gënjeshtërt ishte shumë e trashë.

Ajo gjeti kohën e fillimit të shpresës për të goditur shpresën. E mbetur në shkretëtirën e ideve, thatësi politike dhe shterpë në vizionin e saj, opozita nisi aksionin e saj pikërisht kur duhej ta kishte ndalur. Ajo bëri pakt me djallin, kur duhej të kishte bërë pakt me qeverinë për të mirën e vendit.

Thirri në skenë një trafikant dhe mori përsipër rolin e regjisorit për të mos qenë Shqipëria pjesë e Europës.

U përpoqën që, përmes revolucionit babalist, të krijonin imazhin e demokracisë. Në vend që të bënin pakt, për të qenë vendi ynë si gjithë Europa, bënë pakt me djallin dhe menduan se, duke qenë jashtë Europës, rriten kredencialet e saj.

Në fakt, ndodhi e kundërta. Nuk mund të jesh hero kur je kundër vendit tënd. Nuk mund të ngrihesh në piedestal duke pasur për bazament babalen. Ishte një protestë e çuditshme, e cila u nis për të nxjerrë sytë e një ministri dhe për të hedhur një qeveri, por, në fakt i ndreqi vetullat atij dhe i dha të drejtë qeverisë./ Dita

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vicidoli: 29/05/2018 18:32

    Rrnofte Babolja

    Përgjigju
  • Arbëri: 29/05/2018 15:47

    Ahhhh Gënjeshter dhe trethëti pse kurr jetë të gjat ti nuk ke....hero të shpallë vendi yt për të mirat që ia bën...!!! Tradhëtarët vdesin në këmbë duke fantizuar se kurr nuk do vdesin...!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë