POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

'Unaza e Re'/ Basha fjalim para banorëve në protestë, pak metra më tej IMT shembte banesat e liruara vullnetarisht (VIDEO)

TIRANE - Një pjesë e banorëve të "Unazës së Re" kanë dalë edhe këtë të premte për të protestuar kundër zgjerimit të “Unazës së Madhe”. Duke u futur në ditën e 34 të protestës, banorët kërkojnë dëmshpërblim për shtëpitë të cilat do të preken nga ky projekt, që sipas tyre, është i paligjshëm. Ata janë mbështetur edhe sot nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha si dhe deputetë e militantë të opozitës. 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa iu referua materialeve të publikuara në emisionin "Të Paekspozuarit" të cilat ngrenë dyshime për falsifikimin e dokumenteve në SHBA nga kompania fituese "DH Albania shpk" e lotit të parë të Unazës së Madhe, u shpreh se projekti nuk është asgjë tjetër veçse skemë vjedhjeje e pastrimi parash. Por teksa Basha fliste për mediat, pak metra më tej fadromat e IMT-së vijonin të shembnin banesat e liruara vullnetarisht nga banorët. 

Të ingranuar edhe nga eksponentët e Partisë Demokratike, banorët bllokuan rrugën në të dyja anët për dy orë me radhë, duke shkaktuar kaos në lëvizjen e automjeteve si dhe dogjën disa kazanë mbeturinash. Më pas, ata kanë marshuar në drejtim të rrethrrotullit të doganës ku ndodhet kantierit i firmës që do ndërtojë "Unazën e Madhe", por nuk pati incidente, ndërsa në zonën përreth ndodheshin forca të shumta policie.

Ora 18:37
Basha fjalim para banorëve të 'Unazës së Re', IMT vijon prishjet vullnetare te 'Astiri' (VIDEO)

Teksa Lulzim Basha mbante fjalimin para militantëve të tij te protesta e "Unazës së Re", në sfond dëgjoheshin makineritë e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Tiranës, të cilat gjatë ditës së sotme nuk e kanë ndalur punën për prishjen e ndërtimeve pa leje në lotet 2 dhe 3 të Unazës së Madhe, në zonën e Astirit.

 Siç shihet edhe nga këto pamje, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit po vijon prishjen e një ndërtese që ka shërbyer si gomisteri, ndërkaq gjatë ditës së sotme janë prishur edhe disa objekte të tjera pa leje, duke i hapur rrugë tashmë ndërtimit të rrugës sipas të gjitha standardeve të kërkuara.

Ashtu si edhe në ditët e shkuara, Bashkia e Tiranës dhe IMT kanë gjetur bashkëpunimin e banorëve, të cilët në mënyrë vullnetare kanë bërë heqjen e materialeve nga objektet. Gjithashtu, IMT dhe ndërmarrjet e tjera të Bashkisë së Tiranës kanë bërë edhe zhvendosjen e materialeve inerte të të gjitha objekteve që ka janë prishur gjatë këtyre ditëve. Me prishjet e ditës së sotme numri i ndërtimeve pa leje që janë prishur në Unazë ka arritur në mbi 30".

Ora 18:06
Protesta te 'Unaza e Re'', Basha: Projekti skemë për pastrim parash, beteja s'ka përfunduar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi këtë të premte, nga protesta e banorëve të "Unazës së Re", materialet e publikuara në emisionin "Të Paekspozuarit", të cilat ngrenë dyshime për falsifikimin e dokumenteve në SHBA nga kompania fituese e lotit të parë të "Unazës së Madhe" me vlerë 18.8 mln euro, "DH Albania shpk". Basha ritheksoi se projekti "Unaza e Madhe" nuk është asgjë tjetër përveçse një skemë për pastrim parash.

 “Ka më shumë se 2 muaj që ky është projekt vjedhjeje, jo zhvillimi. Është projekt vjedhje, e dinim ne, e dinë dhe banorët, e dinin dhe gazetarët dhe tani ka dalë haptazi para syve të të gjithë botës. Është projekt vjedhjeje dhe pastrimi parash. Për të marrë këto para do shkatërronin shtëpitë e banorëve. Këta banorë  qëndruan ditë e natë këtu, dhe u përballën. Rama e Veliaj i quajtën shpellarë, të pasur me nga 4-5 shtëpi, arrestuan djem e vajza dhe i çuan në qeli, i mbytën me propagandë kundër të gjithëve që i kundërshtonin.

E kanë humbur davanë, tani kanë frikën e karriges. Është ulur Rama kokë më kokë me bandën e hajdutëve për të vendosur si do vjedhin këtu. Gjithë këto vjedhje. Nuk ja dolën dot, se banorët qëndruan. Banorët e bashkuar përcaktuan triumfin e të vërtetës. Deshën t’i varrosin brenda 10 ditëve, po nuk ia dolën. Edhe kur këtu erdhën 1000 policë për të dhunuar banorët. Kush ka fuqi të qëndrojë pas këtyre parave? Edi Rama, hajduti i kësaj afere. Ky është mësimi i protestës së Astirit, të protestës së studentëve. Për 48 orë e futën Ramën poshtë minderit. Por beteja nuk ka përfunduar", deklaroi Basha.

Ora 18:10
'Unaza e Re'/ Protestuesit i vënë flakën kazanëve të mbeturinave (FOTO)

Banorët e "Astirit" kanë bllokuar në ditën e 34 të protestës rrugën në të dyja anët e saj si dhe i kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave. Banorët kërkojnë me thirrjet "Duam shtëpitë tona" dhe "Qeveri hajdute" pezullimin e projektit "Unaza e Madhe", i cili prek shtëpitë e tyre.

Kazanët e mbeturinave që iu është vënë flaka nga protestuesit

Rruga ka qëndruar e bllokuar nga banorët për rreth dy orë. Madje, ata kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga rezistenca për të mbrojtur banesat e tyre.

a.s./b.ha.
Komento

Komente

  • Sifi: 07/12/2018 20:09

    Lul mos genje para banoreve qe ndertuan pa leje kur ishe ti ne qeveri , se ti je kampion boterir ne 239 milion $ te vjedhura dhe te faktuara nga prokuroria . Nese Rama ka vjedh padite ne prokurori , por si duket ben propagande se projekti eshte bete kur ishe ti mender kryebashkiak

    Përgjigju