Uran Butka: Mit’had Frashëri i vërtetë zbulohet në veprën e tij

Uran Butka: Mit’had Frashëri i vërtetë zbulohet në veprën e tij

Tre vëllimet e veprës së plotë të Mit’had Frashërit të përgatitura nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” janë promovuar në Kontrollin e Lartë të Shtetit, përmes një aktiviteti të zgjeruar, duke iu përmbajtur një tematike kërkimore; sa njihet Mit’had Frashëri dhe cili është portreti i vërtetë i tij mes personaliteteve të gjysmës së parë të shekullit të 20-të.

Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, pasi falënderoi studiuesin Uran Butka dhe shkrimtarin Agron Tufa për kontributet e tyre në studimin e veprave me vlerë historike dhe albanologjike të Mit’had Frashërit, u shpreh ndër të tjera.

“Është hedhur shumë baltë mbi figurën e Mit’had Frashërit në kohën e diktaturës dhe për fat të keq vijon të hidhet edhe sot, ndaj unë i ftoj të gjithë të lexojnë dhe rilexojnë veprën e plotë të tij, sepse përmes vërtetësisë së fakteve dhe ngjarjeve të shkruara e zeza mbi të bardhë, ku tregohen edhe marrëdhëniet me personalitetet e kohës, mund t’i hiqet balta që i është hedhur përgjatë dekadave”, tha Leskaj.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, lexoi dhe një nga citatet e Mit’had Frashërit, ku shprehte qortim për braktisjen e atdheut, si më poshtë:

“Po bëhemi më vete, me një copë Shqipëri të lirë. Gjysma tjetër e Shqipërisë na mbeti nën të huajt. Një milionë e gjysmë vëllezërit tanë janë nën një zgjedhë njëqind herë më të keqe se më parë. Shqipëria që na mbeti, kjo copë Shqipëri, pret shërbime dhe sakrifica nga ne. Paskëtaj çdo e keqe, çdo e metë që të bëhet, fajin do ta kemi ne vetë: unë, ti, shokët tanë, gjithë shqiptarët… Le të jetë e vogël kjo Shqipëri, le të jetë e vogëluar, e prerë - aq më shumë duhet ta duam, sa më i dobët dhe më i pakët të jetë biri, aq më shumë e dashuron e ëma! T’i duam edhe gurët, edhe drurët e saj, edhe dheun e saj!... S’është burrë ai, që shan kombin e tij.” (Mithad Frashëri)

Ndërsa studiuesi Uran Butka foli për përmbajtjen e veprës dhe vlerat letrare dhe historike të saj.

“Në vëllimin e parë paraqitet publicistika e Mit’had Frashërit, që nga fillimet kur ishte 16 vjeç, ku krijimtaria e tij fillon me studimin “Skënderbeu”, dhe pastaj vijon me publicistikën e mrekullueshme, nga shënimet që ka mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhjen e Kombeve. Në vëllimin e dytë janë studimet e titujt historikë, si shqiptarët dhe sllavët, shqiptarët në vend të huaj dhe jashtë, rilindja shqiptare, popullsia e Epirit, Shqipëria etnike, si edhe studimet e tij albanologjike që i kanë çmuar sidomos të gjithë albanologët europianë.”,tha Butka, duke rrëfyer më tej se kjo vepër është botuar në prag të Kongresit të Manastirit.

“Janë përshirë krijimet kulturore, si dhe krijimet letrare, proza e shkurtër, kryesisht, dhe Mit’hati konsiderohet tashmë një nga themeluesit e prozës së shkurtër.”, tha Butka. Studiuesi Butka ka zbuluar se përveç prozës është botuar edhe libri me shënime nga udhëtimet në Bruksel, Paris, Bukuresht, Sofie, që shtojnë pasurinë artistike dhe letrare të tij. “Madje, pas këtyre, kujtimet e Mithat Frashërit që janë botuar në Follorinë janë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme dhe dëshmojnë kujtime për të atin Avdyl Frashërin, për xhaxhallarët e tij, Samiun dhe Naimin, për Ismail Qemalin, për At Kaçorin, e më tutje edhe Isa Boletinin e Hasan Prishtinën dhe duke përfunduar edhe me shkrime për veten e vet, shkruar me një bukuri artistike dhe përcjellje e prirje historike për secilën prej këtyre ngjarjeve dhe figurave”, tha Butka, i cili theksoi më tej se “nuk mund të anashkalohet krijimtaria dhe vepra e Mit’had Frashërit për të shkuarën, të vërtetën historike dhe të vërtetën e kombit shqiptar, si dhe çështjet historike në dobi të kombit shqiptar”.

Ndërsa shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa përmes një analize që i ka bërë llojit të shkrimit memuaristik të Mit’had Frashërit, shprehet se ky lloj shkrimi “rivalizon dorë për dorë me letërsinë artistike”. Përmes analizës stilistike Tufa ka sjellë në vëmendje portretizimet që Mit’had Frahsëri u ka bërë burrave të shtetit të kohës së tij, si Esat Toptanit, Xhafer Ypit, Pandeli Evangjelit e më gjerë, ku në nëntekstin e kësaj analize linte të kuptohej se Mit’hat Frashëri nuk ka përqafuar asnjëherë interesat e ngushta të tyre, përveçse interesat më të larta kombëtare.

“Memuaristika e Mit’had Frashërit është larg së qeni himnizuese apo glorifikuese. E tërheqin sidomos dukuritë negative, prirjet e mprapshta të karakterit fatalist, ditshkurtësia e gjykimit dhe rënia lehtë pre e demagogjive.”, tha Agron Tufa në fjalën e tij.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit