Varrmihësi i viktimave të Bashës

Varrmihësi i viktimave të Bashës

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Sulmi i ulët i Sali Berishës ndaj Ridvan Bodes, i propozuar si anëtar i Bordit të Bankës së Shqipërisë, ka të bëjë me garancitë që Sali Berisha i ka dhënë Lulzim Bashës, për ta mbajtur “Gardën e vjetër” të PD, nën kontrollin e tij, edhe pas eleminimit nga strukturat e partisë.

Pas më shumë se një viti, kur Topalli, Bode, Patozi, Imami, Ruli, Bregu etj, janë nxjerrë nga strukturat e partisë, Sali Berisha ka shërbyer si garant i aktit të Bashës, duke marrë përsipër që të jetë garanti i mos rebelimit të tyre. Dhe në disa raste i ka funksionuar.

Në valën e parë të rebelimit kundër Bashës, kur arriti të nxehet edhe Genc Ruli, e të bëjë thirrje ta zbojnë nga selia e PD, kunatin, Berisha hyri menjëherë në lojë, duke bërë dhe ai si i pakënaqur. I frikësuar se të pakënaqurit mund të kishin një lider tjetër të tyre jashtë kontrollit, ai nxitoi të dalë në shtyp dhe të bëjë si i pakënaqur dhe i painformuar për aktet e Bashës. Kështu që gjithë të pakënaqurit i ftoi t’i bashkoheshin atij për të korrigjuar Bashën.

Dhe ashtu u bë. Një nivel të pakënaqurish të skalionit të dytë, kryesisht nëpunës dhe ish- drejtorë të pakënaqur me Bashën, kthyen në kryefjalë të tyre Berishën dhe pakënaqësinë e tij, dhe e luftonin Bashën, si njeri që nuk dinte të sillej mirë dhe me Berishën.

Kjo jo vetëm që bënte qesharake kauzën e tyre kritike ndaj Bashës, por i mbante dhe nën kontrollin e njeriut të gabuar kundër Bashës. Me skalionin e parë të armiqve të Bashës duket se Berisha mbajti qëndrime të diferencuara. U përpoq të mos konsumohej kundër tyre dhe kur sulmonin Bashën, bënte kujdes në biseda formale me njerëzit, t’u jepte të drejtë, për t’i qetësuar, dërgonte mesazhe bashkëpunimi me ta, pra gjithçka për të ruajtur Bashën nga rebelimi.

Më agresivja kundër Bashës, Jozefina Topalli, mbeti në orbitën e Berishës, Bode e Imami po ashtu. Ruli rigjeti komunikimin me Bashën, ndërsa Patozi u largua duke ju kthyer rolit të tij si publicist i lirë.

E vetmja që fitoi një vend pune presitigjoz në një institucion rajonal të BE, Majlinda Bregu, u sulmua me egërsi si tradhtare e PD, vetëm se u kuptua që doli jashtë kontrollit të tyre. Ata nuk e pengonin dot në BE, edhe pse u munduan.

Pas Bregut, akti i dytë i daljes nga rreshti është akti i fundit i Bodes. Dhe nuk është fjala për anëtar të Bankës Qendrore, por për diçka më shumë. Sali Berisha ka refuzuar që Ridvan Bode të marrë në emër të opozitës një detyrë të rëndësishme, edhe pse e ka pasur ministrin e tij më të besuar. Dhe Bode me viskozitetin e tij politik, e ka pranuar verdiktin e Berishës dhe e ka refuzuar.

Pas kësaj, ai ka pranuar detyrën e anëtarit të Bordit të Bankës, që është thjeshtë një detyrë teknike, që i shkon profesionit të tij. Por fakti që Berisha ka refuzuar që Bode të dalë nga orbita e kontrollit të tij, si i papunë dhe i pushkatuar politikisht, tregon se gjithë roli i Berishës në krah të Bashës, është të jetë badigard i të përjashtuarve të tij. Për gati dy vjet, Basha përjashton njerëz nga PD dhe Berisha është garant që t’i mbajë ata në një vathë më vete, të mos rebelohen kundër tij.

Rasti i Bodes është ilustrimi më i qartë i këtij roli të pistë të Berishës. Ai nuk ka pranuar që Bode të përfaqësojë opozitën në një post të lartë dhe të nderuar, dhe ka refuzuar të investohet për këtë, ndërkohë që reagon pse Bode ka pranuar një detyrë formale, që nuk ka asnjë ngarkesë politike.

Kjo vlen për të kuptuar se të gjithë ata që sulmojnë Bashën, të gjithë ata që bëhen si trima me të, të gjithë ata që akoma më keq thonë se Basha nuk është i mirë si Berisha, nëse e kanë seriozisht betejën me Bashën, duhet ta nisin me Sali Berishën. Rasti se si ai poshtëroi ish-ministrin e tij vetëm pse mund të merrte një pozicion të rëndësishëm publik në emër të opozitës, pa pyetur Bashën (ose siç përkthehet, pa paguar kunatin), tregon se Berisha është varrmihësi i viktimave të Bashës, për të mos ngritur më kokën kundër tij. Ndaj nëse dikush ka diçka seriozisht kundër Bashës, duhet ta nisë me Berishën. Ai është garanti i pushtetit të Bashës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tini: 29/11/2018 16:36

    Mero pa urdherin e Saliut , Luli nuk ben asnje veprim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Eliminim surprizë për Alcaraz, Sinner merr 'asist' për vendin e dytë në renditjen botërore

Eliminim surprizë për Alcaraz, Sinner merr 'asist' për vendin e dytë në renditjen botërore