Veliaj mbështet mbylljen e basteve dhe kritikon opozitën: I prishi imazhin vendit në Bruksel

Ka nisur nga Njësia 8 rrugëtimi i dëgjesave me qytetarët e Bashkisë së Tiranës për Buxhetin 2019 dhe bilanci i punës së realizuar në këto 3 vjet. Duke filluar pikërisht nga Pazari i Ri, si simbol i transformimit që ka pësuar kryeqyteti, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se në tre vite Tirana ka bërë më shumë progres se çdo kryeqytet tjetër në rajon. Ai theksoi se vetëm në Njësinë 8 Bashkia e Tiranës ka investuar më shumë nga sa kishte premtuar në 2015.

“Nuk premtuam tram, por ato që premtuam i bëmë. Siç e patë, ju keni nxjerrë nga njësia edhe Kryetar Bashkie, edhe nën/Kryetare Bashkie që premtuan tramin, premtuan se do investoheshin 1.1 miliardë në këtë njësi, por investuan më pak se 1/5 e asaj që premtuan. Ne thamë do investojmë 960 milionë, kemi investuar 970 milionë. Është më mirë t’i qëndrosh fjalës tënde, se sa të premtosh majat dhe ndërkohë mos të bësh as 1/5. Kjo është arsyeja pse ndihem shumë mirë sepse kemi bërë një plan si familje nikoqire. Edhe pse i kemi taksat e kryeqytetit më të ulëtat se çdo kryeqytet në rajon, kemi arritur në tre vjet të bëjmë më shumë investime dhe më shumë progres se çdo kryeqytet tjetër i rajonit tonë”, tha Veliaj.

Një nga projektet më transformuese dhe që pritet të japë një impakt tepër pozitiv në ekonominë e qytetit është edhe projekti i përbashkët i Bashkisë së Tiranës, me Fondin Shqiptaro-Amerikan për rehabilitimin e zonës së 9-katësheve. Veliaj sqaroi se sheshi “Skënderbej” do të lidhet me “Pazarin e ri”, në një zonë që do të jetë hapësirë biznesi, duke gjeneruar edhe mjaft vende të reja pune.

“Kemi marrë një vendim që të mos i lëmë Pazarin e Ri dhe sheshin “Skënderbej” si dy ishuj veç e veç, me kolonat në mes, por kemi përgatitur një investim së bashku me miqtë tanë të Fondit Shqiptaro-Amerikan, për të riparuar të gjithë pjesën e 9-katësheve, kolonave, që sheshi “Skënderbej” të lidhet natyrshëm, me të njëjtin cilësi punimesh, përmes dy pjesëve të kolonave, me Pazarin e Ri, duke e kthyer në një rrugë të madhe shopingu. Me lirimin e shumë pikave të kazinove dhe basteve, do të ketë më shumë hapësirë për biznese të mirëfillta, që gjenerojnë vende pune”, shtoi kryebashkiaku. Një tjetër investim i rëndësishëm që ka prekur Njësinë Nr. 8 në kryeqytet është dhe rehabilitimi i zonës së Bregut të Lumit, ku si rezultat i investimit për herë të parë nuk ka pasur përmbytje.

“Mbaj mend në vitin e parë kur sa fillonte shiu, Lumi i Tiranës dilte nga shtrati dhe futej nëpër lagje, e gjithë pjesa veriore e njësisë përmbytej. Kemi shpëtuar! Më në fund, zona po merr vlerë, duke rregulluar lagjet. Duam të vazhdojmë investime te Bregu i Lumit”, tha ai, ndërsa siguroi vijimin e investimit për ndërtimin e Bulevardit të Ri, ku po projektohet Tirana e së ardhmes.

Duke u ndalur tek institucionet arsimore në Njësinë 8 në kryeqytet, Veliaj tha se krahas mirëmbajtjes së çerdheve dhe kopshteve, shumë shpejt do të nisë puna për rikonstruksionin e shkollës së fëmijëve që nuk shikojnë, si dhe të gjimnazit Partizani. “Në Njësinë 8 kemi ndërhyrë në 7 shkolla, nga këto 3 kanë qenë rikonstruksione totale; kemi ndërhyrë në 3 kopshte dhe 3 çerdhe, kemi rikualifikuar 3 hapësira publike, kemi vendosur një rrjet ujësjellësi dhe kanalizimi në rrugë, akse kryesore të Njësisë 8, kemi investuar në një bibliotekë dhe sigurisht në një treg që është tregu më i bukur në Shqipëri, ndoshta edhe në Ballkan, Pazari i Ri.  Ndërkohë, jemi në proces realizimi për ndërtimin e një shkolle të re, rehabilitimin tërësor të një blloku banimi, korsitë e reja të biçikletave. Rruga “Qemal Stafa”, do të përfshihet nga aksioni për rivitalizimin e kësaj zone, që është realisht zemra e Tiranës, ndërkohë që kemi projektimin dhe rikonstruksionin e 4 rrugëve të Njësisë Administrative 8”, deklaroi Veliaj.

Sa i përket kujdesit social, Veliaj bëri të ditur se në gjithë qytetin janë hapur qendra sociale dhe buxheti për to është dyfishuar, ndërkohë që një vëmendje e veçantë është treguar edhe për strehimin e familjeve të pastreha përmes programeve të ndryshme që ofron Bashkia e Tiranës.

Ai përshëndeti vendimin e qeverisë për të ndaluar të gjitha lojërat e fatit dhe pikat e basteve në zonat e populluara, duke theksuar se ai është vendimi më i mirë edhe për qytetarët e Tiranës. “Nuk besoj se ka një nismë më të mirë të qeverisë shqiptare se iniciativa për të mbyllur të gjitha pikat e basteve e kazinove. Ej, jemi tek njësia 8, e keni parë ku e ka bustin Vojo Kushi? Është i mbytur me pikat e basteve, nuk e gjen dot Vojo Kushin tek Selvia. Pikat e basteve, duke nisur nga Vojo Kushi i pari, që lirohet në datën 1 janar, duhet të largohen nga Tirana. E dini se fondi që shkon për baste është më i madh se buxheti i Bashkisë së Tiranës në një vit? Pra, në qoftë se në Tiranë mbyllen kazinotë e bastet, do të kemi kursyer ekzaktësisht, ndoshta edhe diçka më shumë se sa është buxheti i Bashkisë, pra kemi dyfishuar financat lokale, vetëm duke mbyllur industrinë e veseve. Ky është një lajm i mirë për Tiranën, që duhet t’i gëzohemi të gjithë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj nënvizoi se për të patur një buxhet sa më të drejtë dhe më realist, duhet që çdo qytetar që nuk është regjistruar ta bëjë atë pranë njësive administrative. “Kjo do të thotë që nëse jeni një banor i ri i njësisë, jeni tek Bregu i Lumit, keni ardhur nga një zonë e veriut apo e jugut, s’ka fare rëndësi, shkoni regjistrohuni në njësi! Sa më real ta kemi numrin e njerëzve të regjistruar tek njësia 8, aq më realist mund ta bëjmë buxhetin. Nëse kemi 50 mijë banorë në letra, por në fakt janë 100 mijë në territor, sepse 50 mijë të tjerët nuk janë regjistruar, pavarësisht se ndër vite kanë ardhur nga zona të tjera, do të thotë që do të buxhetojmë për 50 mijë, se aq kemi faktik, ndaj ju inkurajoj të gjithëve!”, tha Veliaj. Gjatë fjalës së tij, Veliaj u ndal edhe te përplasja mes PS dhe PD në Bruksel, duke përcjellë mesazhin se gjërat duhej zgjidhur nga vetë politika, pas pasur nevojë ti prishim imazhin vendit tonë nëpër botë.

Deputeti i PS, Ervin Bushati  vlerësoi vëmendjen e treguar nga Bashkia e Tiranës për Njësinë 8 në. Ai shprehu bindjen se falë projekteve transformuese, Tirana është tashmë e njohur kudo në Europë. “Jemi gati për të nisur një udhëtim të ri. Më vjen mirë që krahasimet nuk bëhen më me të shkuarën, por garën e kemi me veten tonë. Më vjen mirë që nuk do të merremi me somnabulin apo me atë që fle gjumë, por me atë që kemi bërë vetë. Unë mendoj se në mandatin e ardhshëm Tirana jo vetëm do të përmirësohet dhe do të jetë pranë qytetarëve, por do të krijojë edhe një Tiranë turistike që gjithmonë e më shumë po sjell kapital, turizëm”, tha Bushati.

Kryetarja e PS për Tiranën, Blerina Gjylameti u shpreh se sikurse në këto tre vite, edhe në katër vitet e ardhshme, vëmendja do të jetë tek qytetarët e thjeshtë. “Çdo veprim, çdo aksion, çdo investim të jetë i fokusuar për t’i dhënë vëmendje qytetarit të thjeshtë. Do e vazhdojmë cep më cep këtë punë të bukur. Garën nuk e kemi me ata që garën e kanë të humbur që në fillim. Nuk e kemi me ata që duan ta kthejnë Shqipërinë pas, por e kemi me vetveten, për t’u treguar se nuk është pak ajo që kemi bërë në 5 vite qeverisje, nuk është pak ajo që bëmë me Erionin në 3 vite.  Për ne është shumë e rëndësishme që të jemi në lartësinë që na kanë caktuar qytetarët. 74 mandate për ne ishin numër i konsiderueshëm, por një përgjegjësi shumë e madhe që jemi në atë lartësi detyre dhe duhet t’ua kthejmë me punë”, tha Gjylameti.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ka harru: 16/10/2018 06:26

    lalushi qe dikur bonte opozit me gomarin perballe kryeministrise, tash po i jep fort investimeve, ca gjona mos ti kish bojatis por ti kish kalldrëmu, na halmoi me ato ngjyrimet ne rruge.

    Përgjigju
  • Ilo: 15/10/2018 21:44

    Po mo Lali po kur te mos vine ne arken tuaj me tatimi mbi pronen tabelen apo ai ne burim cdo thuash,apo do hash Ed ramen .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Nga 'tkurrja' e kërkesave të opozitës te hetimet e SPAK, ndiqni sonte në 21.00 Frontline në Report Tv

Nga 'tkurrja' e kërkesave të opozitës te hetimet e SPAK, ndiqni sonte në 21.00 Frontline në Report Tv