Veliaj takon ish-ministrin italian Frattini: Gjeta një qytet me rrugë më të pastra se në Romë

Franco Frattini, ish ministri italian i Punëve të Jashtme të Italisë, e kishte vizituar Tiranën për herë të fundit në vitin 2013. Ai është rikthyer në kryeqytetin shqiptar pas pesë vitesh, pa mundur ta fshehë entuziazmin për transformimin e madh që ka pësuar Tirana.

“Kam qenë këtu për herë të fundit në 2013-n dhe sot gjeta një qytet më të bukur, më të pastër, dhe mbi të gjitha, rrugë të mrekullueshme”, i tha Frattini kryebashkiakut Erion Veliaj, në një pritje të organizuar në Bashkinë e Tiranës.

Ish ministri italian i Punëve të Jashtme dhe ish-Komisioneri Europian për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, Franco Frattini dhe kryebashkiaku Veliaj zhvilluan një takim, në të cilin vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve e popujve, si dhe diskutuan mbi mundësinë e intensifikimit të tyre në sektorë të ndryshëm.

Veliaj nënvizoi se Franco Frattini është një nga personalitetet që ka dhënë një kontribut të spikatur në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin europian dhe në veçanti për udhëheqjen e procesit historik të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë.

Ndërsa, ish ministri Frattini u shpreh i lumtur që rikthehet pas 5 vitesh në Tiranë.

Është një gëzim i madh të takohem me kryebashkiakun e Tiranës, i cili më mirëpriti këtu si një mik, dhe si kryebashkiak i qytetit ku jam “Qytetar nderi”. Vijoj të kem një afeksion të madh për këtë qytet, për qytetarët e Tiranës, dhe gjithë Shqipërinë. Kam qenë këtu për herë të fundit në 2013-n, dhe sot gjeta një qytet më të bukur, më të pastër, dhe mbi të gjitha me rrugë të mrekullueshme, që duhet t’i kemi edhe në Romë, ku fatkeqësisht ka shumë gropa. Kështu që, kryebashkiak eja edhe në Romë dhe të na tregosh si bëhen mirë këto punë”, tha Frattini, i cili në të gjitha detyrat ka qenë një nga avokatët më të zëshëm, por edhe bindës për avancimin e Shqipërisë në proceset integruese.

“Jam shumë i lumtur sot që pres një qytetar nderi të Tiranës, të madhin Franco Frattini, me një mirënjohje të jashtëzakonshme për atë që ka bërë për qytetin dhe vendin tonë, dikur me autoritetin e tij në Bashkimin Europian për liberalizimin e vizave dhe faktin se shumë prej nesh sot nuk janë në radhë nëpër ambasada, po kanë mundësi të udhëtojnë lirshëm. Jam shumë i nderuar se si një qytetar nderi i Tiranës nuk e ka harruar këtë qytet. Më vjen mirë që ai, teksa vijon karrierën e tij në gjyqësorin italian, e mban gjithmonë një sy, një vesh dhe një kokë mbrapa për qytetin e tij të nderit”, tha Veliaj.

Ndërkaq, Frattini shtoi se Europa është destinacioni final për shqiptarët dhe shprehu bindjen se shumë shpejt edhe Shqipëria do të jetë vendi më i ri anëtar i Bashkimit Europian.

“Është e vërtetë se si ministër i Jashtëm, si Komisioner Europian, kam punuar që shumë të rinj shqiptarë të mund të vinin në Europë. Europa është destinacioni final për Shqipërinë, i vetmi i mundur. Nuk ka tjetër mundësi për Shqipërinë, përveçse të jetë së shpejti, shpresoj, vendi i ri anëtar i Bashkimit Europian. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe po vijon me përmbushjen e detyrimeve drejt BE”, tha ai.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • C"udi?: 20/10/2018 23:11

    ..e vertete..,Tirana eshte me paster se Roma!...po sig.Frattini..,mos ka ngelur pa pune"...se deri vone ishte Keshilltar i Vucic-it?!

    Përgjigju
  • AsRoma: 20/10/2018 18:45

    Nuk eshte se duhet shume te gjesh rruge me te pastra se ne Rome

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni legjendar i prekur, Javier Zanetti: Ky Inter bëri të lumtur miliona tifozë anembanë botës

Kapiteni legjendar i prekur, Javier Zanetti: Ky Inter bëri të lumtur miliona tifozë anembanë botës