Vendimi, nesër fillon pagesa në Rrugën e Kombit, zbardhet skema e tarifimit

 Vendimi, nesër fillon pagesa në Rrugën e Kombit, zbardhet skema e tarifimit

Foto ilustruese

Nga e hëna më 17 shtator Rruga e Kombit do të rifillojë të jetë me pagesë. Tashmë është bërë e ditur nga qeveria se për banorët e qytetit të Kukësit pagesa do të jetë vetëm 100 lekë të reja për makinat, ndërsa çmimi normal i tarifimit mbetet 5 euro. Në fakt këto janë vetëm dy nga tarifat që do të aplikohen pasi realisht ka një skemë të rërë me disa tarifa të ndryshme për përdoruesit e rrugës Durrës-Kukës. Më saktë përdoruesit e shpeshtë të kësaj rruge do të kenë çmim tjetër nga ato normalet.

Skema zbritëse e tarifës për përdoruesit e shpeshtë të rrugës Durrës-Kukës pjesë e autostradës Milot-Morinë është publikuar në Fletoren Zyrtare. Sipas vendimit të qeverisë skema e zbritjes për përdoruesit e shpeshtë që përfshin tri kategori: Automjetet e banorëve të qarkut Kukës; Autobusët nga dhe për në qarkun e Kukësit;

Automjetet e përdoruesve të shpeshtë. Kategoria e parë

Në kategorinë e parë të automjeteve të banorëve të qarkut Kukës përfshihen klasat A e B të automjeteve për përdorim personal të regjistruara në qarkun Kukës. Këto automjete do të pajisen me OBU-në (On Board Unit) e sistemit Digital Pass dhe në OBU nuk do të regjistrohen më shumë se dy automjete për familje. Tarifa e rrugës për 1 (një) kalim për të gjitha automjetet e regjistruara në qarkun Kukës për klasën A do të jetë 50 (pesëdhjetë) lekë me TVSH dhe për automjetet e klasës B do të jetë 100 (njëqind) lekë me TVSH.

Kjo tarifë do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 (dyzet e katër) kalime në muaj dhe e vlefshme për t’u përdorur brenda periudhës 1-mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime (nëse ky numër tejkalohet, atëherë përdoruesi i OBU-së do të duhet të tarifohet sipas vlerës përkatëse të parashikuar në pikën 11.4.5 të kontratës së koncesionit)” Shpenzimet e kryera nga shoqëria koncesionare për koston e pajisjes (OBU) së sistemit Digital Pass, e cila do t’u jepet falas banorëve të qarkut Kukës, do të përballohet nga pagesa e parashikuar në kontratën e koncesionit. Përdoruesit e qarkut Kukës do të parablejnë në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime me këtë tarifë të reduktuar.

Kategoria e dytë

Në kategorinë e dytë përfshihen autobusët nga dhe për në qarkun e Kukësit. Tarifa e rrugës për këta autobusë do të jetë 100 (njëqind) lekë me TVSH për 1 (një) kalim.

Kategoria e tretë

Në kategorinë e tretë përfshihen përdoruesit e shpeshtë të autostradës Milot–Morinë, automjetet e të cilëve do të pajisen me OBU-në (kostoja e OBU-së do të përballohet nga këta përdorues të shpeshtë të autostradës) dhe nuk do të regjistrohen më shumë se dy automjete. “Lidhur me kategorinë “Përdorues të shpeshtë”, pa dallim mjeti, ulja e tarifës do të bëhet për numër kalimesh, pasi sistemi do të funksionojë në mënyrë të tillë që do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo mjet, si më poshtë vijon:

Nga 20 (njëzet) deri në 30 (tridhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10 (dhjetë) %; ii. Mbi 30 (tridhjetë) deri në 50 (pesëdhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20 (njëzet) %; iii. Mbi 50 (pesëdhjetë) deri në 60 (gjashtëdhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30 (tridhjetë) %; Mbi 60 (gjashtëdhjetë) kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40 (dyzet) %.”

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet