Vettingu në Politikë, Balla: Basha propagandë, SPAK nuk i fal familjarët e politikanëve

TIRANE-Në mungesë të kryeministrit Edi Rama që ndodhet në SHBA, Taulant Balla ka drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar, teksa në fokus ka qenë propozimi i Lulzim Bashës për vettingun në politikë. Sipas burimeve të Report Tv, Balla është shprehur se propozimi i Bashës është i dobët e i dështuar dhe po bëhet për propagandë, pasi vettingun e vërtetë do e bëjë Reforma në Drejtësi. Gjithashtu kryetari i grupit të PS, sipas gazetares Esiona Konomi është shprehur se propozimi i Bashës shmang hetimin e familjarëve, ndërsa Byroja e Hetimit dhe SPAK do ta bëjnë një gjë të tillë.

Propozimi i Bashës i dështuar dhe propagandë politike. Propozimi si t'i zësh rrugën me ferra reformës në drejtësi. Jemi gati për vetting të vërtetë, reforma në drejtësi e garanton 100%, Byroja Kombëtare dhe SPAK garanton plotësisht vettingun e politikanëve, nuk ndalen vetëm tek politikanët por edhe tek familjarët. Propozimi i Bashës shmang hetimin e familjarëve. Gati për cdo propozim që s'prek reformën në drejtësi dhe vijimin e vetingut për gjyqtarët e prokurorët.

Taulant Balla

Deklarata e Ballës sot në mbledhjen e grupit është një paralajmërim për një votë kundër të shumicës, pasi drafti i propozuar nga PD nuk parashikon vettingun për familjarët e politikanëve. PD depozitoi në datë 7 shtator në Parlament draftin që synon ndryshimet kushtetuese për vettingun për politikanët, por jo për familjarët e tyre.

Rama u përgjigj duke thënë se është në dakordësi të plotë me këtë nismë të PD-së, por me kusht që ky Vetting, të përfshijë edhe pasuritë e anëtarëve të tjerë të familjes së një politikani, duke u kthyer në një “sitë” të njëjtë me atë të Vetting-ut në sistemin gjyqësor.

Por Basha nuk e përmend një gjë të tillë duke qenë kundër vettingunt për familjarët e politikanëve. Report Tv siguroi draftin e dorëzuar në Kuvend nga PD të pr/ligjit ku nuk përmendet në asnjë prej pikave hetimi i familjarëve të politikanëve.

Arsyetimi me tre pika i Taulant Ballës

1.Nisma e Bashës është cungim i reformës në drejtësi. SPAK dhe BKH sigurojnë vetingun e politikës në shkallë shumë më të gjërë:
a. SPAK dhe BKH nuk kalojnë në sitë vetëm lidhjet e politikanëve me krimin (siç parashikon propozimi i Bashës), por edhe pasurinë dhe të ardhurat e tyre;
b. SPAK dhe BKH nuk ndalojnë vetëm tek politikanët (siç parashikon propozimi i Bashës), por edhe tek familjarët e tyre; 
c. SPAK dhe BKH nuk mjaftohen vetëm me largimin e politikanëve të lidhur me krimin nga politika (siç parashikon propozimi i Bashës), por sigurohen që ndaj politikanëve të korruptuar dhe lidhur me krimin merren masa ndëshkuese deri edhe me burgim.
2. Nisma e Bashës është autoveting i politikës, ndërkohë përmes SPAK dhe BKH vetingun e politikës nuk e bëjnë vetë politikanët apo disa “kukulla” të zgjedhur prej tyre, por organet e pavarura të drejtësisë dhe institucionet kushtetuese, të monitoruara nga BE dhe SHBA.
3. Pas muajsh përpjekje për të ndaluar reformën në drejtësi dhe ngritjen e SPAK dhe BKH, tani që institucionet kushtetuese që do të kryejnë vetingun e politikës janë gati për të nisur nga puna, Basha vjen me një propozim për të dobësuar SPAK dhe BKH dhe për t’i zëvendësuar ato me një “gjoja” veting që:
a. Bëhet nga vetë politikanët për veten e tyre;
b. Nuk merret me pasurinë e politikanëve;
c. Nuk merret me familjarët e politikanëve;
d. Nuk merret me dënimin e politikaneve te korruptuar apo të lidhur më krimin.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale