DOSSIER/ Vizita e Hrushovit në Shqipëri në '59 që shqetësoi SHBA-të

DOSSIER/ Vizita e Hrushovit në Shqipëri në '59 që shqetësoi SHBA-të

Vizita e Hrushov në Tiranë

Një rast i rrallë në praktikën protokollare ndërkombëtare, teksa tapeti i kuq zëvendësohet me petale trëndafilash të kuq. Kjo ka ndodhur më 4 qershor 1959 në aeroportin e Rinasit. Në ceremoninë e përcjelljes së shefit të Kremlinit N. S. Hrushov pas vizitës 10-ditore në Shqipëri.

Rrugina nga ndërtesa e aeroportit deri tek avioni qeveritar sovjetik Tu -114, ishte shtruar me petale trëndafilash të kuq dhe jo me tapet të kuq. Këtë e dëshmon Nexhmije Hoxhës në librin "Jeta ime me Enverin" (Kujtime 1): “[Hrushovi] ishte udhëheqësi kryesor i një shteti të madh superfuqi, të cilin ne e pritëm si mik, me nderime, madje dhe të tepruara deri në absurditet e servilizëm të neveritshëm, siç bëri Liri Belishova , që drejtonte Komisionin e pritjes, e cila ia shtroi Nikitës rrugën në aerodrom deri tek avioni jo me qilim të kuq, por... me petale trëndafilash të kuq”.

Është interesant një fakt: më 10 nëntor 2014, në sallën e ekspozitave të arkivave fedarale shtetërore në Moskë u organizua një ceremoni solemne për hapjen e ekspozitës historike-dokumentare “Hrushovi. Me rastin e 120-vjetorit të lindjes.”. Një befasi e këndshme e arkivit shtetëror rus të historisë sociale-politike (RGASPI Rossiyskiy gosudarstvennyy arkhiv sotsial'no-politicheskoy istorii), që kishte paraqitur disa fotografi bardhezi të cilat pasqyronin edhe vizitën e tij në Shqipëri më 25 maj-4qershor 1959.  Mes tyre dhe fotoja që po paraqesim.

Hrushovi është nisur nga ndërtesa e aeroportit drejt avionit qeveritar mitik të sapo-prodhuar TU-114, i cili kishte ardhur një ditë më parë pa udhëtarë nga Moska bashkë me projektuesin e tij, konstruktorin e famshëm në të gjithë botën Andrej Tupolev  posaçërisht për pëurimin e avionit nga Hrushovi, si “nxemje” para udhëtimit në SHBA. Për kureshtje, në Tiranë ai mbërriti më 25 maj me një Tu-104. Në ndërtesën në aeroportit ishte vendosur banderola me urimin në rusisht: “Schatstlivogo puti dorogoy N. S. Khrushchev” (Udha e mbarë i dashur N. S. Hrushov).  Ky i fundit ecën mbi petale trëndafilash të kuq, kurse Enver Hoxha, anash mbi beton. Prapa Hrushovit është Liri Belishova që ndjek hapat e udhëheqësit sovjetik mbi petale trëndafilash.

Pragmatizmi, si “ndolli” Enveri Hrushovin në vitin 1959

Ishte hera e parë, që nga Çlirimi i vendit, që në Shqipëri, më 25 maj 1959, vinte për vizitë zyrtare një kryetar superfuqie botërore. Ky tur i zgjatur 12-ditor i Nikita Hrushovit  në një vend të vogël, por ku po kishte dhe bazën ushtarake-detare më të fuqishme dhe të vetme në Adriatik dhe Mesdhe, padyshim, zgjoi dhe interesin e SHBA, pasi flitej për sigurinë kombëtare dhe globale. Madje, në fjalimet e mbajtura në kombinatin e tekstileve “Stalin” në Tiranë, në mitingjet e Shkodrës dhe Korçës lideri sovjetik kërcënoi me sulm raketash me rreze të shkurtër Italinë dhe Greqinë nëse ndërtonin baza ushtarake amerikane të raketave.

Po botojmë materiale pak të njohura për publikun e sotëm ose sekrete që hedhin dritë për misteret e një vizite dhe sfondit gjeostrategjik, pasi drejt Tiranës po vraponte dhe Kina. Kurse Franca i ndërpret pushimet ministrit të vet të plotfuqishëm në Shqipëri, në vitet 1956-1961, Louis Keller, dhe e dërgon urgjentisht në selinë e vet diplomatike. Ndërkaq shefi i Kremlinit, i shqetësuar nga interesimi i Pekinit për Shqipërinë, zhvilloi një takim kokë më kokë me ministrin kinez të Mbrojtjes, mareshalin Pin De Hua, që kishte ardhur më 28 maj me ftesë të Tiranës në krye të një delegacioni ushtarak. Nuk ishte pak: dy mareshalë bashkëmoshatarë, nga më të fuqishmit e botës, pasi me Hrushovin në Tiranë ishte dhe një mareshal tjetër, ministri sovjetik i Mbrojtjes Rodion Jakovleviç Malinovski!  

Për rrjetin e madh amerikan “Universal International News” që transmetoi imazhe të mbërritjes së kryeministrit dhe sekretarit të parë të PKBS në Rinas me avionin “Tu 114” e sapoprodhuar nën shoqërinë e konstruktorit të tij Tupolev, vizita ishte “udhëtim misterioz i Hrushovit në Shqipëri”. Ishte hera e parë, që nga Çlirimi, që në Shqipëri më 25 maj 1959 vinte për vizitë zyrtare një kryetar superfuqie botërore, shënonte në Ditarin e tij sekret Enver Hoxha.

Sipas tij, dy ishin përfitimet që do të kishte regjimi i tij nga vizita e Nikita Hrushovit: së pari, “shpresojmë që të vazhdojnë të na ndihmojnë për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë e të bujqësisë sonë, ndihmë për të cilën ne kemi akoma nevojë”; së dyti, “në arenën ndërkombëtare, armiqtë do të jenë të detyruar ta respektojnë më shumë pavarësinë e vendit tonë”. Kurse Hrushovi në kujtimet e tij postume do të shkruante se “disa herë shqiptarët na kishin kërkuar të dërgonim një delegacion partie dhe shteti të nivelit më të lartë. Vendosëm që në krye të këtij delegacioni të isha unë dhe u nisëm në Shqipëri”.

APOGJEU

Ndërkaq Agjencia Qendrore amerikane e Kundërzbulimit (CIA), 4 vjet më pas, më 22 qershor 1962, në një studim TOP SECRET për Shtëpinë e Bardhë “Marrëdhëniet sovjetike-shqiptare,1940-1960”, do të vinte në dukje: “Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 1959, raportet sovjetike-shqiptare arritën apogjeun dhe Shqipëria mori një rëndësi të jashtëzakonshme në çështjet e bllokut. Në mes të muajit maj Shqipëria u nderua dukshëm, teksa u mbajt në Tiranë takimi me rastin e dhjetëvjetorit të KNER-it (Komiteti i Ndihmës Ekonomike Reciproke), dhe u krijuan kushtet për vizitën personale të Hrushovit në Shqipëri pas dhjetë ditësh.

Vizita e Hrushovit në Shqipëri (25 maj-4 qershor) tejkaloi në kohëzgjatje çdonjërën nga vizitat e tij të shumta në vende të tjera të bllokut... kohëzgjatja e saj ndoshta synonte pjesërisht të kompensonte ndonjë ndjeshmëri tek udhëheqësit shqiptarë për shpërfillje nga ana e tij. Por më e rëndësishmja, vizita synonte ndoshta t’i jepte Hrushovit kohë dhe mundësi për një panoramë më të mirë dhe për të kuptuar Shqipërinë, problemet dhe udhëheqësit e saj, si dhe për të fshirë çka kishte mbetur nga fërkimi mes dy vendeve”.

FLUGERI

Kurse “Radio Evropa e Lirë / Radio Liria”, që financohej nga Kongresi amerikan, nëpërmjet CIA-s, në një studim për përdorim të brendshëm për stafin ditën e parë të vizitës më 25 maj 1959, shkruante se “vizita në Shqipëri e udhëheqësit sovjetik më 25 maj nuk është vetëm interesante, meqë përkon me ditëlindjen e Titos, por edhe për shkak të një datë tjetër të rëndësishme - do të jetë përvjetori i katërt i pelegrinazhit të Hrushovit në “Kanosa” në Beograd më 26 maj 1955. A ka ndonjë kuptim koincidenca e dy datave të rëndësishme? Është tunduese të profetizohet se kjo koincidencë mund të jetë më tepër e keqe se e mirë për udhëheqësin “revizionist” jugosllav”. Kjo për faktin se “qëndrimi antijugosllav që mbajnë udhëheqësit shqiptarë ka qenë gjithmonë një nga flugerët shumë të rëndësishëm që tregojnë gjendjen aktuale në raportet midis Moskës dhe Beogradit”. Dhe shtronte pyetjen: “A po vjen tani Nikita Hrushovi në Tiranë t’i “qetësojë” apo t’i “nxisë” edhe më shumë” divergjencat.

25 maj 1959, kur Hrushovi vizitonte “armiqtë e betuar të Titos në Shqipëri”

Pikërisht sot (më 25 maj 1959), ditë kur mareshali Tito i Jugosllavisë do të festojë 67-vjetorin e lindjes që këtë vit u shpall si “Dita e Rinisë” në Jugosllavi, Sekretari i Parë i KQ të Partisë Komuniste dhe Kryeministri sovjetik, Nikita Hrushovi, do të shkojë në Shqipëri, udhëheqësit e së cilës pothuajse përditë shprehin “krenarinë” e tyre se janë “armiqtë më të pamëshirshëm” të revizionizmit heretik të mareshalit Tito.

Gazetat e Moskës dhe Tiranës kanë njoftuar sot se vizita e Hrushovit në Tiranë do të zgjasë nga 25 maj deri 6 qershor.

Por vizita në Shqipëri e udhëheqësit sovjetik më 25 maj nuk është vetëm interesante, meqë përkon me ditëlindjen e Titos, por edhe për shkak të një datë tjetër të rëndësishme - do të jetë përvjetori i katërt i pelegrinazhit të Hrushovit në “Kanosa” në Beograd më 26 maj 1955. A ka ndonjë kuptim koincidenca e dy datave të rëndësishme? Është tunduese të profetizohet se kjo koincidencë mund të jetë më tepër e keqe se e mirë për udhëheqësin “revizionist” jugosllav.

Qëndrimi antijugosllav që mbajnë udhëheqësit shqiptarë ka qenë gjithmonë një nga flugerët shumë të rëndësishëm që tregojnë gjendjen aktuale në raportet midis Moskës dhe Beogradit. Edhe në periudhën (maj 1955- nëntor 1956), kur të gjithë satelitët e tjerë kishin adoptuar një qëndrim miqësor ndaj Beogradit, udhëheqësit shqiptarë nuk hoqën dorë nga qëndrimi i ashpër e kokëfortë antititist. Këtë, natyrisht, ata nuk do të ishin në gjendje ta bënin nëse Moska nuk do të ishte prapa tyre. A po vjen tani Nikita Hrushovi në Tiranë t’i “qetësojë” apo t’i “nxisë” edhe më shumë? Përgjigja e kësaj pyetjeje do të jepet në Tiranë pas pak ditësh.

Gazetat e sotme shqiptare - kryesisht “Zëri i popullit” dhe “Bashkimi” - përshëndesnin vizitën e ardhshme të Hrushovit në Tiranë “me gëzim të madh dhe entuziazëm të papërshkrueshëm”...

Vlen të përmendet se - të paktën sipas versionit shqip të ATSH-së të përmbledhjeve të artikujve të sotëm në “Zërit të popullit” dhe “Bashkimit” – nuk u sulmua “revizionizmi jugosllav”. Vetëm dje (më 19 maj) “Bashkimi” botoi një artikull të gjatë që përshkruan “kushtet e tmerrshme të fshatarësisë jugosllave”, veçanërisht të pakicës shqiptare që jeton në rajonin e Kosovës dhe Metohisë. “Bashkimi” ka shtuar se e ashtuquajtura rrugë specifike jugosllave e ndërtimit të socializmit i ka çuar në të vërtetë jugosllavët në varfëri. Si konkluzion thuhej se klika renegate titiste po i çon popujt e Jugosllavisë në të këqija të njëpasnjëshme.

Raportet jugosllave-shqiptare - Historik i shkurtër

Njoftimet e agjencive të lajmeve nga Beogradi thonë se shpallja e vizitës së Hrushovit në Shqipëri nxori në pah edhe një herë problemin e trazuar të raporteve jugosllave-shqiptare. Siç u tha tashmë këto raporte nuk kanë qenë asnjëherë të mira që nga koha e Stalinit kur ndodhi shkëputja e Jugosllavisë nga blloku sovjetik. Në rastin më të mirë, në vitet pas vdekjes së Stalinit, ato kanë qenë të qeta. Por shpërthimet antijugosllave arritën lartësi të reja vitin e kaluar, pas një periudhe qetësie relative gjatë kohës së “shkrirjes së akujve”.

Sinjal për fushatën e re, në të cilën morën pjesë  në mënyrë të spikatur Shqipëria dhe Kina komuniste – anëtare të kampit, i pari shteti i vogël dhe i dyti më i madhi – shërbeu botimi (në mars 1958) i programit të Lidhjes Komuniste Jugosllave.

Linja e ashpër doli në pah dhe arriti kulmin, gjë që ndodhi pas kthimit të Titos nga turi i tij afro-aziatik në fillim të këtij viti, teksa u hodhën akuza të ndërsjella për rivendikime territoriale.

Shqiptarët, me në krye sekretarin e parë të PPSH Enver Hoxha, akuzuan jugosllavët për bashkëpunim me Greqinë në një komplot për të ndarë Shqipërinë midis tyre.

Jugosllavët gjykuan dhe dënuan shqiptarë si “agjentë të dërguar në Jugosllavi” me qëllime “terrori dhe sabotimi” dhe për të krijuar trazira në krahinat kufitare – për të cilat sikurse thanë jugosllavët kanë pretendime shqiptarët. Shqiptarët nga ana e tyre gjykuan dhe dënuan disa “spiunë jugosllavë”.

Ndërsa shumica e anëtarëve të tjerë të bllokut sovjetik u rrekën të shfajësoheshin gjatë “muajit të mjaltit” të shkurtër pasi Hrushovi kishte fajësuar stalinizmin në maj të vitit 1955 për fushatën antijugosllave, shqiptarët nuk kishin se ç’të bënin më shumë se sa të heshtnin.

Përveç kësaj, shqiptarët ishin të fundit në ndjekjen e udhëheqësi rus për dënimin e stalinizmit dhe pranuan se ishte bërë një gabim në ndërprerjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë gjatë epokës kur Stalini ishte në pushtet. Nga ana tjetër, ata ishin gjithmonë të parët kur duhej të sulmoheshin “revizionistët jugosllavë”.

Shqipëria, në fakt, asnjëherë nuk “rehabilitoi” pas vdekjes gjeneral- lejtnant Koçi Xoxen, i cili u pushkatua në vitin 1949 për krimin thuajse-endemik të “titizmit”, që përfshiu pastaj vendet e Evropës Lindore.

Natyra e qëndrimit në qarqet komuniste shqiptare u ilustrua pothuajse një vit më parë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, kur udhëheqësi i partisë Hoxha i përshkroi kështu udhëheqësit e Jugosllavisë si tradhtarë, revizionistë të pandreqshëm, armiq të Bashkimit Sovjetik e të marksizmit dhe agjentë të regjur të imperializmit amerikan.

Hoxha u zotua të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar që këta renegatë të marksizëm-leninizmit të zhyten në batak.  Ato që tha Hoxha në fjalimin kryesor janë përsëritur shpesh nga vetë Hoxha dhe zëdhënësit e tjerë shqiptarë në muajt në vazhdim. Tendosja në raportet mes dy vendeve u reflektua në tërheqjen e ambasadorit të Jugosllavisë në Tiranë, Arso Milatoviç (në mars 1958). Nuk ka njoftim zyrtar lidhur me emërimin e një ambasadori të ri sikurse është thënë në atë kohë, por në Beograd u la të kuptohej se mund të vinte rasti.

Përfaqësimi i Jugosllavisë ishte lënë në duart e të ngarkuarit me punë në Tiranë. Tërheqja e ambasadorit u parapri nga një mohim i autoriteteve ndaj akuzave se Jugosllavia dhe Greqia planifikuan copëtimin e Shqipërisë. Mohimi është bërë nga vet presidenti Tito në një fjalim në Shkup, Maqedoni (më 6 mars 1959), në të cilin ai akuzoi Shqipërinë dhe Bullgarinë se vetëm ato ishin përgjegjëse për tensione të reja në Ballkan. Titoja shtoi se të dy Shqipëria dhe Bullgaria] po vepronin me urdhra “nga jashtë”. Ai nuk i identifikoi të jashtmit, por tha se Hoxha nuk do të “guxonte” të ndërmerrte një veprim të tillë me kokën e tij. “I jashtmi” po vjen tani personalisht në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
Vizita e Hrushovit, Hoxha: Me të ikur, do t’i lëshojmë bateritë

11 maj 1959. Takim me ambasadorin sovjetik. Më dha lajmin se Hrushovi do të vijë në Shqipëri.

12 maj 1959. Sot në mbledhjen e Byrosë Politike u diskutua mbi projektprogramin për vizitën që do të bëjë në Shqipëri delegacioni i partisë dhe i qeverisë sovjetike. Prita A. Kosiginin. Ka ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në sesionin e 11-të të KNER-it që do të zhvillohet në Tiranë. Filloi mbledhja e KNER-it.

13 maj 1959. Takim me ambasadorin e jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Bashkimit Sovjetik, Ivanovin, lidhur me vizitën që do të bëjë Hrushovi në Shqipëri.

19 maj 1959. Takim me Ivanovin. Më dorëzoi një radiogram të Hrushovit, ku, si kusht për vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri, na kërkon që as ai, as ne gjatë fjalimeve publike të mos e prekim fare çështjen e revizionizmit jugosllav. Ja gjer ku paska arritur puna! Kërkon të na mbyllë edhe neve gojën! Kërkova menjëherë ta shtrojmë problemin në Byronë Politike e t’i japim përgjigje mysafirit që presim të na vijë. Pasi diskutuam për radiogramin e Hrushovit, vendosëm që ta pranojmë kushtin e tij (të mos flasim për Titon gjatë ditëve të vizitës së tij në Shqipëri). Titon dhe ata që mendojnë e veprojnë si Titoja, le t’i gënjejë mendja. Por, me të ikur Hrushovi, ne do t’i lëshojmë përsëri bateritë kundër revizionizmit modern. Ne kemi arsyet tona për pranimin e këtij kushti. Është hera e parë, që nga Çlirimi, që në vendin tonë vjen për vizitë zyrtare Sekretari i Parë i KQ të PK të BS dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik. Kjo shpresoj se do t'i shërbejë forcimit të miqësisë me popujt e Bashkimit Sovjetik dhe të marrëdhënieve ekonomike midis të dy vendeve. Shpresojmë që të vazhdojnë të na ndihmojnë për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë e të bujqësisë sonë, ndihmë për të cilën ne kemi akoma nevojë. Edhe në arenën ndërkombëtare, armiqtë do të jenë të detyruar ta respektojnë më shumë pavarësinë e vendit tonë.

21 maj 1959. Takova sot Ivanovin dhe i komunikova se e pranojmë kërkesën e udhëheqjes sovjetike.

25 maj 1959. Erdhi në Shqipëri Nikita Hrushovi. E pritëm në aerodrom me fjalim. Pastaj gjithë delegacionin sovjetik e pritëm në selinë e Qeverisë ku çështja e parë që Hrushovi zuri në gojë ishte: “Unë nuk do të flas kundër Jugosllavisë”. Filluan bisedimet. Ekspozenë nga ana jonë e bëra unë. Delegacioni sovjetik vendosi kurora në Varrezat e Dëshmorëve.

28 maj 1959... Prita në selinë e Komitetit Qendror mareshalin kinez Pin De Hua, i cili mbërriti sot në Shqipëri në krye të një delegacioni ushtarak kinez. Në mbrëmje dhamë darkë për të. Folëm unë dhe Pin De Huaja.

2 qershor 1959... Vizituam Butrintin. Ndërsa po soditnim bukuritë e Butrintit, Hrushovi thirri pranë Malinovski-n dhe i dëgjova tek pëshpëritnin: “Shiko ç'mrekulli është këtu! Mund të ndërtohet një bazë ideale për nëndetëset tona... Që këtej mund të paralizojmë e të sulmojmë gjithçka”. Më çuditi ky mendim i llogaritur prej tij “pa pyetur fare të zotët e shtëpisë”, siç thotë populli.... Sot u largua nga Shqipëria mareshali Pin De Hua.

3 qershor 1959... Kur nga veranda e vilës tek Uji i Ftohtë, ku po pushonim, soditnim detin përpara nesh, ashtu si dje në Butrint, Hrushovi diskutonte, nën zë, me Malinovskin: “Çfarë gjiri i sigurt rrëzë këtyre maleve! Që këtej me një flotë të fuqishme ne kemi në dorë krejt Mesdheun, që nga Bosfori e gjer në Gjibraltar!”. U kthyem me avion në Tiranë. Në Rinas u ndalëm për të vizituar aeroplanin TU-114 me të cilin kishte ardhur akademiku Tupolev, kryekonstruktor i këtij tip avioni. Vumë gurin e parë të ndërtimit në Pallatin e ri të Kulturës në Tiranë. Darkë në Pallatin e Brigadave për delegacionin sovjetik.

4 qershor 1959. Sot përcollëm Hrushovin, i cili do të ndalet në Budapest. Në Rinas fola unë, foli edhe Hrushovi.

Ora 13:55
Hrushovi: Shqiptarët t’i thonë jo pajtimit me jugosllavët

Disa herë shqiptarët na kishin kërkuar të dërgonim një delegacion partie dhe shteti të nivelit më të lartë. Vendosëm që në krye të këtij delegacioni të isha unë dhe u nisëm në Shqipëri. Para se të niseshim, u thamë miqve shqiptarë se nuk donim që në mënyrë publike, në prezencën tonë, të kritikohej Jugosllavia dhe udhëheqja e saj. Në atë periudhë Shqipëria kishte raporte shumë të ndera me Jugosllavinë dhe ndaj saj bënte dyluftim të hapur edhe në shtyp. Mendoja se kjo gjë ishte e dëmshme. Kjo ishte arsyeja që diskutuam mes nesh dhe i bëmë të ditur Enver Hoxhës se nuk donim që gjatë qëndrimit të delegacionit tonë në Shqipëri, të vijonte beteja në shtyp mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. U thamë paraprakisht që edhe në mitingje të mos na fusnin në këto debate...

Gjatë vizitës sonë, në mitingje dhe në takime të tjera shqiptarët nuk kritikuan Jugosllavinë. Por binte në sy qartas se mezi mbaheshin. Në takimet konfidenciale shqiptarët rrekeshin të na mbushnin mendjen se nuk mund të pajtoheshin me jugosllavët, se ata nuk janë komunistë e të tjera si këto. Nuk patëm qëndrim të njëjtë me ta, megjithëse nuk ishim dakord dhe me gjithçka ndodhte në Jugosllavi...

Atje kaluam disa ditë, pamë kryeqytetin e tyre, vizituam edhe qytete të tjera, fshatra dhe porte. Gjithkund konstatuam një entuziazëm tejet të madh ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj popullit tonë, ndaj partisë sonë, si nga punonjësit shqiptarë, ashtu edhe nga Hoxha dhe Shehu. Nuk më zuri syri ndonjë re të zezë që të mund mbulonte diellin e miqësisë, nën të cilin ne donim të jetonim dhe të ndërtonim raporte vëllazërore midis BRSS-së dhe Shqipërisë. Mes nesh nuk pati divergjenca.

Fragmente nga libri në anglisht “Kujtime të Nikita Hrushovit: Burrë shteti, 1953-1964” (Memoirs of Nikita Khrushchev: Statesman, 1953-1964), vëllimi 3, 1126 faqe, me autorë Nikita Sergejeviç Hrushov, Sergej Hrushov dhe Xhorxh Shrajver (George Shriver), botuar në SHBA në vitin 2007 nga Providence, RI: Thomas J. Watson Jr. Institute for International Studies, Brown University; University Park, PA: Pennsylvania State University Press.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Mbështetësi i Belerit e pështyu, reagon Vangjel Tavo: Interesat e vogla kanë marrë peng komunutetin himariot

Mbështetësi i Belerit e pështyu, reagon Vangjel Tavo: Interesat e vogla kanë marrë peng komunutetin himariot