POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Ekzekutimi i të riut në Greqi, Tirana: Jemi të shqetësuar për serinë e vrasjes së shqiptarëve, Athina t’u vërë fre ekstremistëve

Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ashpër pas vrasjes së 18-vjeçarit Marios Isak mbrëmë në Kavalla të Greqisë. Institucioni i drejtuar nga Ditmir Bushati shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit, pasi kjo është vrasja e katërt. MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të shqiptarëve dhe shton tonet ndaj Greqisë pasi sipas Tiranës zyrtare po vonohet zbardhja e këtyre ngjarjeve. Ministria shqiptare kërkon që Greqia të dënojë dhe t’u vendosë fre ekstremistëve të Agimit të Artë dhe të tjerëve. I riu shqiptar Mario Isak i lindur në Kavalla në vitin 2000 u gjet i vdekur mbrëmë pranë shtëpisë (lexo këtu).

Ai u qëllua me dy plumba në shpinë, ndërsa iu gjet në dorë një kartëmonedhë 50 euroshe. Ende nuk ka një pistë zyrtare për vrasjen, ndërsa mediat greke theksojnë se mund të ketë ardhur për shkak të përplasjeve për drogën. 18-vjeçari është shqiptari i katërt që vritet në Greqi brenda pak javësh. Pak ditë më parë u vra Altin Mullai nga një shkëmbim me armë zjarri nga policia, pasi u kap në tentativë për të trafikuar drogë, më pas Petrit Zifle që u ekzekutua në Korfuz nga një anëtar i Agimit të Artë pas një debati me një grek për minoritarin Kacifas që u vra në Gjirokastër, ndërsa një 35-vjeçar u gjet i pajetë në burgun e Trikalasë.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Jashtme shqiptare
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është njoftuar nëpërmjet Ambasadës në Athinë se dje në mbrëmje, më datë 04.12.2018 në zonën e Kavallës, është gjendur i pajetë shtetasi shqiptar Marios Isak i datëlindjes 31.7.2000, lindur në Kavalla, Greqi. MEPJ shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së të riut shqiptar dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është në kontakt me familjen e të ndjerit për ofrimin e asistencës së nevojshme. Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit. MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre.

MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombasve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këture ngjarjeve nga autoritetet greke. MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmentëve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj.

Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane. Në kushtet kur bashkëkombasit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e Shtetit shqiptar për t'i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi.

 

d.ba./rr.zh
Komento

Komente

  • Dfg: 05/12/2018 20:39

    Nuk eshe puna vetem tek pseudo reagimi i mepj o Ditmir. Ke Shqiptare qe vriten thjeshte sepse jane Shqiptare. Eshte persekutim ne baza etnike dhe kombetare. Asimilimi i tyre, qe filloi pothuajse 250 vjet me pare, se bashku me ligjin e luftes ende ne fuqi, perbejne themelet me te qarta te gjenocidit ndaj nje populli. Ky gjenocid ndodh ne shekullin e 21-te dhe mundesohet nga klasa e tashme politike. Ky mundesim, ju ben bashkepunetore ne gjenocid dhe te jeni te sigurte, ju do te jeni ne banken e te akuzuarve kur te fillojme! Perse nuk dergohet greqia ne gjyq nderkombetar? Perse nuk perdoren mekanizmat e kombeve te bashkuara qe jane krijuar enkas per te zgjidhur situata te tilla dhe per te penguar forma te ndryshme gjenocidiale? Me cfare tagrash merni ju persiper gjera qe nuk ju takojne? Perse lejohen terroriste greke ne troje Shqiptare? Perse mundesohet, lejohet, financohet dhe ndihmohet lulezimi dhe veprimi i terrorizmit grek ne Shqiperi? Ke gje per te thene per keto?

    Përgjigju