Xhaxhai im grek

Xhaxhai im grek

Konstandin Kaçifas

Dhimitri ishte xhaxhai im grek. Kur isha i vogël as më shkonte në mendje të vija në dyshim që ishte vëllai i babait tim. Shkoja zakonisht në pushimet e prillit në shtëpinë e tij, në katin e parë të një pallati me katër kate në Tepelenë, dhe kurrë nuk e kam kuptuar ku flija me aq shumë fëmijë të tij.

Manthua, djali i tij i madh, ishte tutori im dhe unë isha nën urdhërat e tij dhe kur hiqeshim zvarrë me karroca me kuzhineta rrugëve të qytetit, kur luanim me top pas pallatit dhe kur duhet të ktheheshim të hanim ndonjë fetë bukë fshehtas në shtëpi, para vaktit të drekës.

Dhimitri ishte një burrë i heshtur, që më gëzonte kur kishte rast të fliste në prani time, pasi fliste shqip. Nëna e tij, që në fillim nuk e kuptoja pse nuk ishte gjyshja ime, fliste vetëm greqisht. Ajo banonte në Dervician dhe vinte shpesh për vizita. Dukej gjithnjë e mërzitur. Një djalë i saj, Mihali, ishte në burg, dhe unë atë “nuk e kisha”, xhaxha. Askush nuk fliste përse ai ishte në burg, por unë në mendjen time e mendoja si dikë që ishte zënë me policin në rrugë.

Sidoqoftë xhaxha kisha vetëm “xhaxhi Dhimitrin”. Ky vinte tek ne kur kishim “sebepe”, kur fejohej ndonjë motër, apo kur dikush nga të afërmit e babit vdiste.

* **

Kur mbarova gjimnazin dhe kisha frikë nga problemet e babait tim, si pengesë për të marrë shkollën e lartë, Manthua ishte makthi im. Ai kishte mbaruar me dhjeta gjimnazin, por nuk i kishin dhënë shkollë të lartë. Xhaxhi Dhimitri nuk e thoshte kurrë arsyen. As Mantho. Të gjithë bënim sikur e dinim, se ishte një gjë që kishte lidhje me atë xhaxhain tjetër.

Ai nuk paskësh rrahur ndonjë polic, siç e mendoja unë. Kishte bërë “agjitacion”. Babai, që hetonte makthin tim, më siguroi se nuk do kisha probleme, se Samiu, një miku tij, kryetar cooperative, ishte bërë kryetar Komiteti, por Manthua, të cilin e kisha si model të njeriut që dinte gjithë ato gjëra, ishte ende pa shkollë.

Më në fund unë ika në shkollë. Manthua nuk iku përsëri. Ai duhet të priste dhe dy vjet të tjera, derisa dikush u kujtua t’i hiqte nga lista e të përndjekurve dhe e çuan me korenspodencë në Institutin e Kamzës

Atëhere unë dija shumë më tepër për xhaxhain tim. Ai ishte financier i fermës së vetme të qytetit, dhe një prej dropullitëve të respektuar të qytetit. Dhe isha sqaruar prej babait tim përse e kishim xhaxha.

***

Babai im dhe Dhimitri ishin gjendur si ushtarë në Korçë gjatë “provokacioneve” greke të vitit 1949. Ata ishin pjesë e Regjimentit Rezervë të Komandës së Përgjithshme në Elbasan, një repart i përzgjedhur që u vu në dispozicion të ushtrisë kur ushtria greke kaloi kufirin shqiptar në fillim të gushtit 1949.

Një tjetër repart shoqëronte kamionët me armatim nga porti i Durrësit ku shkarkohej armatimi i ardhur nga Bashkimi Sovjetik, ku u jepej forcave aleate greke, që luftonin për të vendosur komunizmin në Greqi. Shqipëria praktikisht, ishte kthyer në një urë kalimi për destabilizimin e Greqisë dhe depërtimin e forcave pro sovjetike, atje.

Një natë i thirri komisari i repartit. Në fillim babanë, si më të besuar. Ishte shqiptar. Pastaj edhe dy minoritarë grekë të tjerë. Duhet ta hidhnin si kundërzbulues në tokën greke, të numëronin sa tanke, sa trupa dhe çfarë armatimi kishin grekët.

Babai e tregonte me shumë dridhërima skenën, kur kishin tentuar të kalonin matanë kufirit. I kishin dhënë fjalën njëri-tjetrit që çfarëdo të ndodhte, ata do të ishin bashkë dhe besnikë ndaj njëri-tjetrit. Dhe, udhëtimi i parë nuk kishte shkuar keq.

Ata kishin takuar një nëntoger shqiptar që kishte 6 ditë që qëndronte tek piramida, dhe ai kishte pasur nge t’i numëronte me ditë të tëra “forcat armike”. U tha se “bazat” tona në Greqi janë prishur dhe kemi humbur komunikimin. Por ai ua përshkroi të gjitha armatimet e ushtrisë greke.

Ishte Regjimenti i 9-të, i Divizionit të 10 -të të Forcave Mbretërore me ushtarë me rrogë nga Kreta. Bëhej fjalë për njësi që kishin nga 5 topa secila, për 250 mushka, tanket etj. Dhe ata tani ndjeheshin që kishin bërë detyrën.

Ditën tjetër u nisën në një mision të dytë, në drejtim të kufirit jugor, afër Dardhës. Këtu ishte pak më vështirë. U rikthyen duarbosh në Dardhë, aty ku ishte dhe një repart ushtarak. Fati u kishte rezervuar surpriza. Kur hynë në tokën shqiptare, dëgjuan që matanë kufirit, ushtarët grekë po bërtisnin “Zita, Zita” dhe në qiell panë raketa të bardha.

“I kërkuam bukë kapterit në repart dhe na solli bukë të bardhë gruri dhe konserva mishi”.

-Ku i gjetët këto?

Kapteri tregoi me gisht nga larg një çadër të bardhë.

-Ka ardhur i madhi aty. Ka thirr dhe grekët tanë. Mbreti Jorgo ka kërcënuar se do futet në tokën shqiptare të ndjekë komunistët grekë. Shoku Enver i ka thënë se ne kemi detyrë nga Kushtetuta t’i mbrojmë ata që ikin nga diktatura. Mbreti Jorgo i paska thënë “dakord”, por jo njerëz të armatosur. Atëhere shoku Enver ka thirrur Zaharidhisin dhe i ka thënë se duhet të dorëzoni armët që t’u pranojmë këtu. Dhe më duket se ua morën armët këtyre aleatëve tanë. Tre më të rëndësishmit i çuan në Cërrik. Të tjerët në Korçë.

Ishte fjala për pazarin mes komunistëve shqiptarë dhe qeverisë greke, që mbylli konfliktin e shpërthyer ngaqë Shqipëria ishte bërë bazë e komunistëve grekë që luftonin për të rrëzuar qeverinë me armë.

Nën paranojën që Hoxha kishte, se ai konflikt mund ta rrëzonte nga pushteti, ai në fund i shiti komunistët grekë. Babai me Dhimitrin kishin shpëtuar paq. Prej asaj dite, nuk u ndanë më kurrë.

***

Më 1993 isha në Dropull. Një prift ortodoks grek që shërbente në Dropull ishte bërë epiqendra  e nacionalistëve grekë aty. Shqipëria akuzon priftin grek, Krisostomos Maidonis, se po luftonte për aneksiminin e jugut të Shqipërisë.

Berisha nxorri një urdhër ekstradimi, nën nxitjen e Shërbimit Informativ, dhe tensioni u rrit. U krijua gati një gjendje lufte. Në një tubim në Dervician, besimtarë ortodoksë të minoritetit, disa veprimtarë nacionalistë dhe një grup gazetarësh kurajozë, ishin në qendër të fshatit, kur një burrë ngriti flamurin e Greqisë dhe tha “Duam autonomi për Vorio-Epirin”.

Kolegia ime Brisedia Mema punonte për AFP dhe kishte qenë aty. Unë isha drejtor i lajmeve në ATSH. Lajmi mori dhenë. Ne e paraqisnim si një përpjekje e nacionalistëve “vorio-epirotë” me një prift radikal, grekët e paraqisnin si vullnet të popullit të Dropullit, gazetarët e huaj si konflikt të Berishës me pakicat. Gjithë shigjetat ishin mbi atë burrin që kishte kërkuar autonomi.

Quhej Mihal Masho. Unë vetë e kisha raportuar në disa lajme. Të nesërmen disa gazeta kishin botuar lajmet e mija.

Në fundjavë isha tek babai. Ai po lexonte një gazetë “Republika”, ku ishte dhe një komenti im paksa agresiv.

-Mihalit nuk ju ndanë sherret, tha.

-Kush është Mihali, i thashë unë?

-Mihali, ky që ka kërkuar autonominë. është vëllai i Dhimitrit, vëllait tim. Ai që ka qenë në burg.

Ngela pa fjalë. Si një kovë uji e ftohtë mbi krye, fjalia e babait kishte shkrehur gjithë patetizmin tim në atë shkrim.

-Shpresoj mos ta ketë lexuar xhaxhi Dhimitri, thashë me vete.

***

Riatdhesimi i priftit grek dhe “proçka” e “xhaxhi” Mihalit që kishte kërkuar autonomi, e kishin bërë të vetën. Reagimit të Shqipërisë, që kishte zbuar priftin grek, ju kundërpërgjigj Athina, duke zbuar emigrantët shqiptarë. I kapnin ku të mundnin, i rrihnin, i fusnin në kushte çnjerëzore në autobusa, u merrnin lekët dhe plaçkat, dhe i sillnin në Kakavijë.

Një miku im gazetar, A.C. më kërkoi ndihmë për një hall që kishte në Greqi. Vëllain e tij e kishin kthyer me operacionin “fshesa” dhe atij i kishin ngelur lekët në bankë në Greqi.

-Si duhet t’ia bëjmë?

Mu kujtua “xhaxhi” Mihali. Ishte i vetmi njeri që njihja në tokën shqiptare, që në atë kohë mendoja se e kishte mirë me grekët. E dërgova atje. Vetë nuk guxova të shkoja.

Mihali e kishte pritur mirë dhe e kishte ndihmuar. Vëllai i tij kishte mundur t’i merrte mbrapsht lekët e tij. Dhe unë u kënaqa që ai nuk kishte lexuar shkrimet e mija.

***

Një vit më pas, situata u tensionua përsëri. Tanimë kishte ndodhur ngjarja e prillit në Peshkëpi dhe tonet ishin forcuar. Fatmiri, oficeri i vrarë në kufi, kishte qenë për tre muaj oficer i kompanisë ku unë kisha kryer zborin tre mujor pas mbarimit të Universitetit, në Grehot. Ishte e pabesueshme që i kishte ndodhur atij fatkeqësia. Bashkë me të, dhe një ushtari nga Myzeqeja.

MAVI, një organizatë fantazëm, që mban gjallë shpresat për aneksimin e Jugut të Shqipërisë, krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, botoi në gazetës “Stohos” foton e “heronjve” që kishin sulmuar.

Një gjykatë greke dy vjet më vonë i nxorri nga burgu se nuk gjetën prova. Ishte koha kur Berisha ishte pajtuar me Greqinë. Mes atyre që ishin nën akuzë si vrasës, ishte dhe Fredi Bejleri, një minoritar, drejtues i OMONIA-s,  që zgjedhjet e shkuara garoi nën siglën e Berishës për kryetar bashkie në Himarë. Dhe ta mendosh që Berisha për atë desh nisi luftë me Greqinë.

***

Me Mihalin nuk u takova. Pyesja vazhdimisht se çfarë bënte ai në Dervician, çfarë bënte me kishën, dhe pse ishte aq ndryshe nga vëllai i tij, xhaxhi im Dhimitri. Dy herë e kam pas shumë afër mes njerëzve në Dervican, por nuk kam guxuar t’i flas. Tani nuk më dukej dhe aq stabël, sa mund ta kuptonte kush isha.

-E kam inatin me ca mutër këtu në fshat, që më bëjnë si demokratë, i kishte thënë një mikut tim nga Derviciani. U bënë këta të duken më të zotë se ne, që kemi hequr në burgje.

***

Një natë dimri në vitin 2010 po kthehesha për Tiranë nga Peshtani. Më ngriti dorën në errësirë, mes erës që të kujton se je në Tepelenë, një burrë i thyer në moshë. Ndalova dhe e mora në makinë.

-Deri në Qesarat jam, më tha

Tunda kokën pa fjalë.

Pas pak ndodhi ajo skena e rëndomtë, që ai pasagjeri të njeh dhe të pyet për politikën.

Ishte koha që kisha një emision ditor në TV dhe fundjavën e kisha për t’u qetësuar.

-Po më bëre pyetje, do të zbres në Memaliaj, i thashë.

-Jam vëllai i Fatmirit, më tha me nxitim, sikur do ta zbrisja vërtetë. Atij oficerit të vrarë në Peshkëpi. E di që e ke njohur, se na ka pas thënë Fatmiri.

U ndjeva keq që kisha refuzuar bisedën dhe i fola me një lloj përgjërimi për të. Dhe i futa një të sharrë atyre banditëve grekë që e kishin vrarë.

-Duhet sqaruar ajo punë, më tha. Nuk është ashtu si duket. Grekët janë mburrur kot aty.

-Po si është, i thashë?

-Nuk e di si është tamam, por nuk vdes pa e zbardhur, tha. Ata minoritarët shqiptarë që janë përzierë në vrasje kanë pasur një kallauz brenda, kanë dash të vjedhin depon dhe materialet, dhe u ka ikur situata nga kontrolli. S’është punë “Vorio Epiri”, kjo është punë plaçke.

-Po Greqia e pranoi, i thashë unë. Ne desh hymë në luftë me ta, për atë gjë.

-E di, e di, tha. Qeveritë atë punë kanë, dhe këta që duan të duken si heronj atë punë kanë, por duhet hetuar ajo gjë. Unë dua gjakun e vëllait, jo koka turku.

Dhe nisi nga detajet, nga inskenimet, nga marrja peng fallco e kapterit, nga ata minoritarët, që kanë atë ndërtimin në anë të rrugës kur ikën në Jorgocat, ata që njohin atë.. që kanë dash të vjedhin atë..që…që … që…

Një skenar krejt i ri, banal, shqiptaro-grek, shumë larg nacionalizmit me të cilin u ngrefosën të dy palët, po më dilte para sysh.

Në Qesarat e zbrita vëllain e Fatmirit me shumë dhimbje. I dhashë numrin e telefonit të vinte të më takonte në Tiranë. Mu duk shumë i kërusur nga hallet dhe pafuqia për t’i shkuar të vërtetës në fund. Të vërtetës që për atë nuk ishte ashtu si dukej. Unë kisha shkruar një libër të tërë për këtë krizë, pa e takuar këtë njeri.

Dhe ndërsa ai u zhduk në rrugën e ftohtë dhe të errët në një fshat buzë rrugës, mu kujtua xhaxhi Dhimitri. Njeriu fjalëpak, i mençur, me një palë syze me xhama si fund kavanozi të trasha, që më shumë se e shpëtonin nga miopia, e bënin të ishte më i mbrojtur nga vështrimet tona zhbiruese. Një grek i Dervicianit që vdiq në Tepelenën myslimane, me shumicën e fëmijëve të martuar në Shqipëri, me një vëlla që nga inati i fshatit, ishte bërë më grek se grekët.…

Dhe përsëri më erdhi në kokë biseda me vëllain e Fatmirit të vrarë më 10 prill 1994 në Peshkëpi. është heroi ynë dhe makthi i familjes së tij, që di një të vërtetë tjetër, që ne, edhe sikur ta zbardhim, s’kemi për ta pranuar. Ne e kemi vendosur tashme që duhet të ndjehemi heronj përballë njëri- tjetrit, dhe jo njerëz normalë. Siç ndjehesha në prehërin e xhaxhait tim grek.

*Ky shkrim eshte botuar sot ne gazeten greke “Athens Voice”. Lexuesit ne greqisht mund ta shikojne ne linkun e meposhtem./TemA/

https://www.athensvoice.gr/politics/491559_o-ellinas-theios-moy?fbclid=IwAR0jqbHkgcJVD6M5OduEFDmAgSV5_tYOi_97eBke-7gqirDE2xLwBLn8aAw

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv/ Nëse votohet sot, 52% e zgjedhësve të vendosur do të votonin për PS-në! 30% për PD-në e Berishës

Sondazhi i Report Tv/ Nëse votohet sot, 52% e zgjedhësve të vendosur do të votonin për PS-në! 30% për PD-në e Berishës