Zbulohen varre dhe objekte romake në Forumin Bizantin në Durrës

Zbulohen varre dhe objekte romake në Forumin Bizantin në Durrës

Varr i zbuluar në Forumin Bizantin në Durrës

Në Forumin Bizantin  të njohur si Rotonda, që i përket sipas specialistëve të arkeologjisë shekujve të V-të dhe të VI-të pas Krishtit, kanë filluar gërmime arkeologjike për sondazh nga një ekip i përbashkët arkeologësh shqiptaro - francezë. Gërmimet kanë nisur në 2 javë më parë dhe pas pak  ditësh gjatë procesit fillestar të punës që ka të bëjë me pastrimin e sipërfaqes ku do të sondohet nepërmjet gërmimeve arkeologjike,ku kanë dalë në dritë objekte që i përkasin një civilizimi më të vjetër se ai bizantin.

Sipas burimeve të mirëbesuara, specialistët kanë konstatuar  se janë zbuluar  fragmente muresh  që i përkasin shtresëzimit të periudhës romane. Këto mure, sikurse edhe shikohet janë në një nivel me objektin e termave romane të zbuluara poshtë ndërtesës së Teatrit “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Ditën e premte më datën 6 qershor, kanë dalë në dritë edhe objekte si një  vazo varri funerar, e cila u thye gjate gërmimit.

Nderkohë kanë dalë në dritë mure të plota banese dhe kanalizimet e stilit roman. Gërmimet po vijojnë edhe arkeologët shprehen se poshtë këtij civilizimi roman, mund të gjenden edhe gjurmë të kulturës helenistike si dhe asaj ilire. Punimet do të vijojnë për këtë sezon deri më 23 qershor. Ekipi i përbashkët Shqiptaro-Francez kryesohet nga arkeologu Edi Shehi dhe arkeologeja Brikena Shkodra. Paralel me këtë sondazh po punohet edhe në afërsi të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” për të studiuar thellësinë e gërmimeve dhe objekteve që ndodhen në afërsi të një mozaiku të zbuluar shumë vite më parë në afërsi të këtij pallati. Ekipi francez ka disa vite që kryen gërmime në qytetin historik të Durrësit.

........

Reagimi
Shoqata Turistike Durrësi: Vlerat arkeologjike të qytetit po betonohen

Shoqata Turistike e Durrësit është e pakënaqur me betonizimin e trotuarit ngjitur me Forumin Bizantin ose si e therrasin durrsaket Rotonda. Pasi ky trotuar që po betonizohet me rrjeta metalike dhe pllaka të shtrenjta zë rreth 10 përqind të siperfaqes se Rotondës. Kreu i kesaj shoqate Ermir Asllani thotë se ky objekt është unikal me vlera të rralla në ballkan dhe ka nevojë që të zgjerohet për të dalë i plotë para publikut pasi  kjo ndikon në rritjen e ekspozimit të vlerave truristike të Durrësit, i cili deri tani ka pak pika të vizitueshme. Duke u larguar shpejt turistët për në vënde të tjera, sipas tijë qyteti humb te ardhura ekonomike, për shkak të keqmenaxhimit të pasurive kulturore e historike që ka.

Asllani thekson se i janë bërë kërkesa Bashkisë, Institutit të Monumenteve e Ministrisa së Kulturës që të bëhen riparimet e duhura për të thithur edhe fondet përkatëse nga Europa për këtë qëllim , por ndërkohë këto kërkesa janë anashkaluar. Ai shpreh mendimin se Durrësi ka shumë potenciale për ti dhënë turistit më shumë kohë për të vizituar sa më shumë objekte. Nga kjo do të përfitonte më shumë të ardhura. Objektet e vizitueshme deri tani janë të pakta, nënvizon ai. Një orë turisti mund ta kalojë në Amfiteater. Një orë në Muzeun Arkeologjik a diku tjetër dhe më pas i hipën autobuzit dhe largohet. Asllsani thekson se keto betonizme që bëhen mbi siperfaqen e objekteve të tilla si Rotonda, i frenojnë investimet.

Ai bën me dije se forumi në fjalë mund të quhet edhe pazari i vjetër antiko – mesjetar. Pazari sipas Asllanit, mbetet i rrallë në Ballkan. Pasi tregon për një kulturë tregëtimi mijëravjeçare. Objekti ka vlera të mëdha nisur edhe nga konceptimi arkitekturor i ansamblit të ndërtesave që e shoqërojnë. Brenda pazarit ka pusin. Ka podiumin. Ka dhomat e magazinimit. Ato të tregtimit. Ai shpreh keqardhjen se ka mbi 50 vite që është zbuluar dhe është lënë në të njejten gjëndje pothujse sikur u gjet. Duke qënë se kërkesat e tyre nuk dëgjohen Hasani i kërkon mbeshtetje opinionit publik të kulturuar të Durrësit që të bëhet mbeshtetje për mbrojtur dhe promovuar siç duhet me dinjitet vlerat e mëdha kulturore që ka qyteti 3000-vjeçar i Durrësit.

Forumi Bizantin
Janë  zbuluar mure me mermer të çmuar, investime të rëndësishme perandorake të lashtësisë

Gjatë gërmimeve që janë bërë në lagjen 11 të qytetit, janë zbuluar  vitin e shkuar struktura të rrënojave që i përkasin shekullit të V-të  pas erës sonë. Faza e dytë e ekspeditës arkeologjike që drejtohej  nga arkeologia Brikena Shkodra zbuloi ekzistencën e një vendi të shtruar me mermer të shtrenjtë për kohën, dhe mure anësore prej tulle e llaçi, vend i cili tashmë mendohet se mund të ketë pasur funksionin e pishinës apo fontanës.

Arkeologia Brikena Shkodra është shprehur se vendi ku është kryer ky zbulim ka funksinuar në antikitetin e vonë si Pallat Perandorak dhe se ishte me rëndësi të madhe zbulimi i funksionit të këtij vendi të veçantë. Sipas arkeologes  Brikena Shkodra, bëhet fjalë për elemente strukturore të ndërtuara me materiale të kushtueshme për kohën dhe që i përkasin një godine të antikitetit të vonë, që mund të jetë një Pallat Perandorak Bizantin. Ajo që është  zbuluar  vitin e kaluar, ishte një ambjent i shtuar  me pllaka cilësore mermeri të importuara ndoshta nga Prekonezi. Dhe faqet anësore janë të shtruara me shtresë llaçi me karakter hidroizolues dhe fasada e jashtme është e veshur me pllaka cilësore të mermerit prekonezian

Vitin e kaluar ekspedita arkeologjike është zhvilluar në të njëjtën zonë, në lagjen 11 dhe tashmë kërkimet janë shtrirë sipas drejtimit të jugut dhe perëndimit të qytetit të vjetër. Në të njëjtën zonë, që karakterizohet nga banesa të vjetra dhe pothuajse të rrënuara, pritet të vazhdojnë gërmime të tjera. Në afërsi të objektit të lashtësisë është zbuluar pak centimetra nën  tokë edhe një  pus që i përket shekullit të 18-të. E gjithe zona në këtë  rajon është plot me objekte arkeologjike. Kudo që është gërmuar në këtë  lagje janë zbuluar site të rëndësishme arkeologjike, të cilat tashme po rrezikohen nga investimet shteterore. Në këtë rajon të rrallë është  zbuluar rotonda e madhe, si dhe nje lagje e lashte e rrenuar tashme ku ndodhej Kryqi i Meandrit.

Në afërsi janë kryeveprat e lashtësisë të betonizuara në ish lulishten 1 maji. Ndërkohë që  tashme pritet  të nisin investimet shtetërore  në rrugën e Dëshmorëve  si dhe ndërtimet në afërsi të  Maozoleumit  të  Dëshmoreve. Gërmimet që pritet  të arrijne në kuoten nëntokësore 5 m, aq sa është edhe shtresa e objekteve  të zbuluara. Edhe atje ekpedita franceze ka zbuluar gjurme objektesh të  civilizimeve  disashtresore. Mbi të gjitha gjurmet e një terme si ajo nën Pallatin e Kulturës. Zbulimet  e  reja  arkeologjike  në Durrës përforcojn bindjen mbi rëndësinë dhe madhështinë e qytetit buzë Adriatikut edhe në periudhën e Antikitetit të vonë, të  Perandorisë Bizantine.

Disa të dhëna për Rotondën ose Forumin Bizantin të Durrësit
Objekti arkeologjik Rotonda është një  objekt mjaft i vizitueshem në qytetin e Durrësit që ka hyre pothuajse në të gjitha guidat turistike. Ky  forum i njohur si Forumi  Bizantin është një monument historik që daton rreth shekulit të V-VI-të. Në qënder të  sajë  ndodhet një pus si dhe një bazament prej disa shkallësh në forme rrethi. Ajo është pjesë e një kompleksi te gjërë ndertimesh e zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme te veshur me pllaka te mëdha mermeri. Studjuesit H.Ulqini dhe I.Xaxa shkruajnë se në shkallët në qëndër të Rotondës, duhet të ketë qënë nje kolonë ku dënoheshin debitorët, megjithëse sipas tyre, ka studjues që mendojne se shkallët formonin bazamentin e një monumenti si dhe të tjerë që mendojne se ajo ka qënë një baptiser.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë