POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Zhdukja e Xhaferrit dhe Troqes/ Dëshmia e fundit e Harizajt: Edhe një pulë të vidhet më akuzojnë mua

Albano Xhaferri

Edison Harizaj që u vra mbrëmjen e së martës, njeriu më i përfolur në Vlorë, një biznesmen kontravers dhe pronar i një lokali të njohur në Vlorë me emrin “Oslo”, rezulton të ishte një nga personat e dyshuar për zhdukjen e Albano Xhaferit dhe Ervis Palla (Troqe). Emri i Harizaj është përmendur në dëshminë e një të penduari në Vlorë, i quajtur Gazmend Merkaj, dëshminë e të cilit “Shqiptarja.com” e ka publikuar ekskluzivisht në datën 19 tetor 2018. Në dobi të hetimit dhe me shpresën për të zbardhur zhdukjet misterioze në Vlorë, prokuroria e Vlorës, në muajin korrik 2018 ka marrë në pyetje personin e përmendur në këtë dëshmi, shtetasin Edison Harizaj.

Pyetja e këtij personi është realizuar nga prokurori i çështjes, ndërkohë që Harizaj u është shmangur të gjitha pyetjeve të bëra nga përfaqësuesi i organit të akuzës. Përgjigjet e Harizaj, kanë qënë ironike, duke pohuar se nuk ka asnjë lidhje me zhdukjet e ndodhura në muajin qershor dhe korrik në Vlorë. “Nuk kam asnjë dhe nuk i njoh Albano Xhaferin dhe Ervis Palla Troqe”-mësohet të ketë deklaruar për herën e fundit kur ka qënë në prokurori Edison Harizaj. Për më tepër ky i fundit është përgjigjur ironikisht se “…në Vlorë më akuzojnë për çfarëdo lloj krimin…”. Harizaj mësohet të ketë vijuar me ironitë e tij në prokurori se: “…edhe një pulë të vidhet, i përflasin emrin lart e poshtë nëpër lokale…”. Këtë dëshmi ironike, Harizaj e ka dhënë duke marë shkak nga dëshmia që Gazmend Merkaj ka dhënë për llogari të grupit hetimor.

“Ndihem i kërcënuar do më vrasin, ju tregoj krimet e tyre”
Në botimin ekskluziv të dëshmisë së të penduarit Gazmend Merkaj në “Shqiptarja.com”, ai tregon rrethana rrënqethëse mbi mënyrën e ekzekutimit të Xhaferit. Merkaj është vetëdorëzuar në 1 gusht 2018 në Policinë e Fierit, vetëm pak orë pasi kishte raportuar në policinë e Vlorës së në automjetin e tij tip BMË, ishte vendosur një sasi eksplozivi. Por pas mbëritjes së forcave xheniere dhe kontrollit fizik të makinës, pas pesë orë, u konstatua se automjeti ishte i pastër.

Pas kësaj ngjarje Merkaj është paraqitur në Policinë e Fierit, ku ka dorëzuar një pistoletë që kishte pa leje dhe ka shfaqur gadishmërinë për të treguar një krim të rëndë, siç është vrasja dhe zhdukja e të riut Albano Xhaferit në Vlorë. Ky i penduar ka treguar se e ka ndjerë veten të kërcënuar për t’u vrarë, nga anëtarët e një grupi kriminal në Vlorë dhe më konkretisht nga Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj. Sipas të penduarit Merkaj, pikërisht këta persona kanë vrarë me çekiç në makinë Albano Xhaferin dhe më pas trupin e tij e kanë zhdukur. Gjithmonë sipas tij, një veprim i tillë është kryer për llogari të shtetasit Edison Harizaj, një tjetër emër i njohur në Vlorë.

Sipas të dhënave që ka mbledhur prokuroria e Vlorës, ka arritur në konkluzionin se bazuar në veprimet e para hetimore, rezulton se Albano Xhaferi është vrarë për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të ketë pasur brenda ose jashtë shtetit me persona të tjerë dhe trupi është transportuar dhe fshehur për të bërë të pamundur zbardhjen e ngjarjes. Po kështu, nga ana e organit të prokurorisë është arritur në konkluzionin se, në ngjarjen e ndodhur konstatohen elemente të veprave penale të “Moskallëzimit të një krimi” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të kryera nga shtetasi A.S, pasi ky shtetas ka marrë dijeni se me automjetin e Aleksandër Çaushaj, ishte kryer një krim dhe ka kryer veprime duke e pastruar dhe fshirë gjurmët e kryerjes së këtij krimi.

“Eleminimi i Xhaferit me urdhër të Edison Harizaj”
Në datën 2 gusht 2018,për zhdukjen e Albano Xhaferit është marrë deklarim Gazmend Merkaj, banues në Vlorë, i cili është lidhje shoqërore e shtetasit Ardit Kola dhe në datën 1 gusht 2018 është vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier duke shpjeguar se ndihej i kërcënuar për jetën nga shtetasit Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj. Merkaj ka shpjeguar se ka dijeni për zhdukjen e shtetasit Albano Xhaferi, pasi ka qenë me shtetasit e mësipërm kur ata kanë organizuar dhe marrë atë, me qëllim për ta dorëzuar në ambientet e Kompleksit “Oslo”, në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë, për llogari të shtetasit Edison Harizaj. Gazmend Merkaj ka shpjeguar gjithashtu se ka mësuar nga shtetasit Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj se shtetasi Albano Xhaferi është vrarë me mjete të forta që në momentin që është marrë në automjetin e markës “Audi” me targë AA 560 TR dhe më pas është dërguar për në garazhet në posedim të shtetasit Edison Harizaj në Kompleksin “Oslo”.

Xhaferi kishte dijeni për atentatin e Llanaj
Lidhur me këtë ngjarje, ai ka shpjeguar se është kryer me urdhër të Edison Harizaj, për shkak se Albano Xhaferi ka pasur dijeni për autorët e tentativës së vrasjes së Ferdinant Llanaj në muajin tetor të vitit 2017. Për sa u përket automjeteve të përdorura për marrjen dhe më pas për vrasjen e shtetasit Albano Xhaferi, i penduari Gazmend Merkaj ka shpjeguar se fillimisht ishte programuar dhe organizuar që Albano Xhaferi do të ruhej për lëvizjet e tij me një automjet të markës “Mercedes Benz” 250, me ngjyrë kafe të errët, në përdorim të shtetasit Aleksandër Çaushaj, të cilit i kishin bërë edhe dy vrima në bagazhin e tij për të vrojtuar lëvizjet e Albano Xhaferit.

d.ba.
Komento