Hapet për publikun bunkeri i fshehtë
anti-bërthamor i ish-diktatorit Hoxha

22 Nentor 2014 - 15:16
Publicitet
  • Publicitet
TIRANE - Pas 36 vjetësh nga inaugurimi në qershor të 1978-ës, u hap këtë të shtunë tuneli anti-bërthamor i komunizmit, por këtë radhë i shndërruar në një qendër historiko-artistike të quajtur “BUNK’ART”. Hapësirat e parashikuara për mbledhjet e Byrosë Politike nëse Shqipëria sulmohej, dhomat ku mendohej të flinin ish-diktatori i komunizmit Enver Hoxha dhe ish-kryeministri Mehmet Shehu në rast rreziku, janë transformuar në art.
 
Bunkeri me 5 dyer të blinduara, i emërtuar në vitet e regjimit komunist si “Objekti 0774”, është pesë kate nën tokë dhe ka mbi 106 dhoma, mes tyre ajo e ish-diktatorit të komunizmit Enver Hoxha dhe e kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu. Në shumë nga këto ambiente janë ekspozuar armatime, uniforma, dokumente, harta të ndryshme dhe detaje të tjera që shërbenin në atë kohë.
 
Bunkeri, i cili ndodhet në Shish Tufinë, pranë Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm, hapet me rastin e 70 -vjetorit të çlirimit.

E organizuar nga kryeministria, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Mbrojtjes, kjo veprimtari e pazakontë zbulon përmes shumë formave shprehëse, mesazhet që janë përcjellë brenda këtij bunkeri që simbolizon izolimin e Shqipërisë komuniste, por edhe përballjet e vazhdueshme mes bllokut komunist e perëndimit gjatë luftës së ftohtë.

Nga kjo e shtunë deri në fund të dhjetorit, kushdo mund të shuajë kureshtjen për këtë periudhë të historisë së Shqipërisë, duke vizituar falas bunkerin e kthyer në ekspozitë-muze, nga ora 09:00 deri në 16:00. Linja historike, muzeale dhe artistike, bëhen bashkë për të përcjellë tek vizitorët mesazhe të qarta për dy periudhat më të diskutuara të historisë tonë, periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të regjimit komunist në Shqipëri.

Speciale - A1 Report në Bunk'art




Ku e gjeni BUNK’ART
Objekti 0774 (vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm) me 106 zyra ndodhet në periferi të Tiranës pranë "Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm", njohur ndryshe si "Batalioni Diko Zeqo", rruga e Shish-Tufinës, 1.5 km larg qendrës spitalore "Nënë Tereza".
 


Sekretet që fshihte tuneli antibërthamor i komunizmit..Cfarë sjell BUNK’ART
Brenda bunkerit ka disa ambiente interesante për vizitorët, të cilat janë kuruar me kujdes dhe pajisur si në kohën kur u ndërtua objekti. Secili ambient shoqërohet me histori për të orientuar  dhe pajisur me informacione të nevojshme vizitorët. Në hyrje, në nivelin e pestë të bunkerit, pas pesë dyerve të blinduara, thuajse në fund të korridorit gjendet dhoma ku do të qëndronte Enver Hoxha në rast të ndonjë sulmi të mundshëm. Dhoma është  pajisur me objekte origjinale të asaj kohe.

bunk art

Në BUKN’ART, edhe Natasha që shërbente kafetë gjatë stërvitjeve ushtarake

Po ashtu në këtë bunker që përmban 106 zyra, gjenden edhe mjaft ambiente të tjera me interes për vizitorët si dhoma ku do të qëndronte Mehmet Shehu, një sallë ku do të mblidhej Kuvendi i Shqipërisë në rast sulmi bërthamor, dhoma ku ishin vendosur pajisjet që do të pastronin ajrin ne rast të një sulmi me armë kimike, e shumë ambiente te tjera deri tek një bar-bufe që funksiononte në kohën kur bëheshin stërvitje ushtarake. Bari është rikthyer në funksion dhe në të do të shërbejë Natasha, e njëjta bariste që shërbente kafetë në periudhat e stërvitjeve ushtarake.
 
bunkeri i enver hoxhes me logo
BUNK’ART, ekspozitë-muze në përkujtim të Luftës së II-të Botërore

Për të përkujtuar 70-vjetorin e Çlirimit një pjesë e madhe në “Bunk'art” i është lënë ekspozitës që përkujton Luftën e Dytë Botërore, një ekspozitë e përgatitur nga historiania Sonila Boçi dhe gazetarja Admirina Peçi.
 
Ekspozita përfshin pragluftën dhe pushtimin italian, vitet e para të rezistencës, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, për t’ia lënë vendin periudhës së pushtimit gjerman deri në çlirimin e vendit. Pushtimi i Shqipërisë dhe rezistenca kundër pushtuesve pati rrjedhoja jo të parëndësishme në historinë e shqiptarëve, prandaj ekspozita i ka dedikuar një hapësirë edhe këtyre ngjarjeve. Rezistenca e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore u njoh dhe u bë pjesë e Koalicionit të Kombeve të Bashkuara, kështu  nuk mund të mos kishte një vend të veçantë edhe  hapësirës kushtuar diplomacisë gjatë këtyre viteve.

bunkeri i enver hoxhes me logo

Një hapësirë e kufizuar i kushtohet edhe regjimit komunist, e trajtuar kjo më shumë si simbolike se sa si histori mirëfilli e ku përballet ana e errët e regjimit me reformat për ndërtimin e ‘Shqipërisë së Re’. Linja muzeale  në “BUNK’ART” trajton në detaje gjithë historikun e ushtrisë  shqiptare, duke i dhënë një frymëmarrje dhe ripërtëritje të veçantë  këtij objekti simbol të pozicionit të Shqipërisë komuniste gjatë Luftës së Ftohtë e duke i njohur vizitorët me historikun e plotë të këtij objekti. 

Por mjaft ngacmuese për vizitorët  e BUNK’ART” është edhe linja artistike, ku përmes videove dhe instalacioneve përcillen ide ngacmuese të artistëve të rinj shqiptarë e të huaj,  dhe jepen mesazhe të forta për temat e trajtuara prej tyre.

bunkeri i enver hoxhes me logo

Bunkeri ose objekti 0774

Tuneli ka nisur të ndërtohet në shtator të vitit 1972. Pjesa strukturore e mureve u përfundua me 1 maj 1975, ndërsa u deshën dhe tre vite të tjera për të plotësuar përfundimin e impianteve dhe të sistemit të ndërlidhjes. Inaugurimi u bë me 25 qershor 1978. Sipërfaqja totale është 2685 metra katrorë, e shpërndarë në 5 nivele dhe përmban 106 zyra dhe një sallë Kuvendi-kinemaje.

Qëllimi i ndërtimit të këtij objekti ka qenë për funksione ushtarake, për të garantuar funksionimin normal të linjës së komandim drejtimit politik dhe ushtarak në kohë krize, duke garantuar kushtet për strehimin e gjithë lidershipit politik dhe ushtarak të vendit. Kjo është e vetmja strukturë që ka parishikuar një sallë ku do të mund të mblidhej Parlamenti shqiptar në rast lufte. Ideja lindi pas një vizite që krerët ushtarakë shqiptarë bënë në vitin 1964 në Korenë e Veriut, ku ishte traditë që tunelet të parashikoheshin të përshtatshme edhe për mbledhje të Kuvendit.

bunkeri i enver hoxhes

Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, direktiva e përgjithshme politike dhe ushtarake u drejtua për fortifikimin e vendit. Objektivi ishte: “Të ndërtohej një sistem i fortifikuar me një qëndrueshmëri maksimale ndaj përdorimit të armëve konvencionale dhe atyre bërthamore; të ishte në gjendje të siguronte në maksimum forcën e gjallë dhe teknikën luftarake nga zjarri i shumëllojshëm armik; të kishte masivitet për të rikuperuar kohën e humbur; të përgatitej me ritëm sa më të shpejtë”. Në total u projektuan 207 mijë bunkerë në të gjithë Shqipërinë dhe u ndërtuan 168 mijë. Projektuesit e strukturës ishin: Drejtoria e Xhenios, Byroja e Projektimit dhe Grupi i fortifikimeve në vartësi të Institutit të studimit dhe Projektimit të Veprave të Mbrojtjes.
 
bunkeri i enverit

Dhoma e Enver Hoxhës

Komandanti suprem i forcave të armatosura në epokën e ndërtimit  të bunkerit (1972-1978) ishte Enver Hoxha. Kështu, kjo zyrë ishte më  e madhe dhe më luksoze nga të gjitha dhe shërbente për të dhe  bashkëshorten e tij. Zyra është e përbërë nga një paradhomë në të  cilën qëndronte sekretari personal, një zyrë pune, një dhomë gjumi dhe një banjo. Mobilimi është esencial edhe pse nuk është i një luksi  të veçantë, mbetet më eleganti se të gjithë mjediset e tjera. Vetëm në këtë dhomë, në atë të dedikuar për kryeministrin dhe në atë të  Kreut të shtabit, ishte vendosur moket. Vetëm kjo dhomë ka mure të veshura në fibër (në atë kohë konsiderohej me vlerë të madhe). Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjëherë në këtë dhomë, edhe pse mori pjesë në dy stërvitje ushtarake pas inaugurimit zyrtar që u bë me 24 qershor 1978.

bunk art
(Në foto: Tryeza e punës së Enver Hoxhës)

telefoni
(Në foto: Aparat telefonik me kriptim në zyrën e Enver Hoxhës)

dhoma
(Në foto: Dhoma e gjumit e Enver Hoxhës në bunker)


pardesyja
(Në foto: Pardesyja dhe kapelja e Enver Hoxhës në zyrën e tij në bunker)
 
Dhoma e Mehmet Shehut
 Këto dhoma ishin të rezervuar në projektin fillestar të kryeministrit. Në epokën e ndërtimit të bunkerit (1972–1978) kryeministër ishte Mehmet Shehu, që në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes edhe e kishte surpervizuar gjithë ndërtimin e strukturës. Ky strehim, i përbërë nga paradhoma për sekretarin, dhoma pune, dhoma gjumi dhe banjo, është vendi i dytë më luksoz i gjithë  strukturës; është e vogël vetëm pak metra në krahasim me atë të Enver Hoxhës. Ndërsa në dhomat e Enver Hoxhës muret janë të veshura me fibrën e shtrenjtë, muret në dhomat e Mehmet Shehut janë të veshur me dru.
 
dhoma
(Në foto: Dhoma e Mehmet Shehut)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
Publicitet
  • Publicitet
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
avatar
Anonim
kosvalia Mir menoj per bunker por ma mir per shqiperin e asajkohe qe e mbyllur e izoluar por e fort e pa prkur nga fuqit e evropes diktatura e asaj kohe ka qen e domosdoshme per vendin raportet kineze dhe ruse kan qen te mira per kohen deri sa jan prishur ato mirpo shqiperia e pa prekur dhe e fort gjithmon ne zemrat e gjdo shptari faleminerit
Rezultate tŰ tjera: 1