Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 15:16 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Intervista NGA DHURATA HAMZAI
07 Shtator 2017 - 09:35
Paskal Milo: Reformës së Ramës për
Akademinë i vunë shkopinj nën rrota
Dorëheqja e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të reja, vijon të ndiqet me debate për pasojat e letargjisë dhe degradimit të këtij institucioni. Historiani dhe politikani i njohur Paskal Milo në një intervistë për Report TV ka kritikuar mungesën e reformimit të institucionit që rezultoi me riciklimin e dy posteve drejtuese të mbajtura prej 12 vjetësh nga kryetari aktual Gudar Beqiraj dhe Myzafer Korkuti. në këtë intervistë Paskal Milo nuk nguron të flas me emra për ata që kanë dobësuar rolin e Akademisë ndër vite, ku nuk kursen edhe kritikat për qeverinë Rama.
 
Edhe pse u kontestuan, edhe pse pati kritika për moszhvillimin e tyre zgjedhjet në Akademinë e Shkencave ndodhën, si i gjykoni ju këto rezultate?
 
-Unë tashmë jam shprehur që këto zgjedhje për kryesinë  e Akademisë së Shkencave ishin të papërshtatshme, të pavend e panevojshme në momentin aktual, kur pritej dhe është paralajmëruar se do të ketë një reformë. Pra me këto zgjedhje duket sikur institucioni kërkon të ndalojë kohën dhe të mbijetojë me mënyrën e ekzistencës së tij.

Pra, Akademia e Shkencave ka hedhur një hap të gabuar, që e ka vënë atë në një pozitë shumë më të vështirë seç ka qenë, për shkak të një inaktivitetit të saj, për shkak të një letargjie, që jo gjithnjë ka qenë përgjegjësi e saj, por me pak fjalë akti i zgjedhjes jo transparente do ta quaj dhe jo të shëndetshëm të Akademisë së Shkencave e rëndon edhe më tepër pozitën e saj përballë komunitetit shkencor shqiptar, por edhe përballë opinionit publik shqiptar.
 
Pse mendoni se nuk pati shumë kandidatura, pse vetëm dy, sepse drejtuesit justifikohen se ne shpallëm zgjedhjet dhe vetëm dy kandidatura pranuan të zgjidhen në drejtimin e akademisë?
 
-Pikërisht ky fakt që midis akademikëve të Shqipërisë, që janë mbi 30 aktivë, nuk ka kandidatura për të marrë përsipër drejtimin e një institucioni i shkencor është për të ardhur keq. Është një tregues i madh i varfërisë intelektuale të kësaj akademie, që tregon se do shumë kohë për të dalë nga kjo gjendje.

Riciklimi i emrave që kanë qenë prej shumë  kohësh drejtues të kësaj akademie është jo progresiv. Përpos meritave që kanë si shkencëtar në fushat përkatëse, tashmë ka edhe një moral që duhet të jetë në themel të veprimtarisë dhe të administrimit të akademisë së shkencave. Unë nuk besoj se nuk ka njerëz të aftë për të drejtuar ASHSH me një program dhe vizion të avancuar. Atëherë mund të kryhej një vendim tjetër që të pezullohej zgjedhja derisa të krijoheshin kushtet e përshtatshme për të pasur zgjidhje të plotë dhe koherente me detyrat që kërkohen të ushtrojë Akademia e Shkencave.
 
 
Një pjesë e akademikëve thonë se nuk ka kandidatura të tjera sepse shumë akademikë janë politikan dhe ligji i ndalon të jenë drejtues. Është e vërtetë kjo?
 
- Më shumë ka një mungesë dëshire për të marrë drejtimin e Akademisë së Shkencave, sepse ndihem mirë në rehatin e tyre dhe me këtë status quo që ekziston në këtë akademi, dhe atyre nuk u intereson dhe janë gati të mbështesin këto zgjedhje që u bënë, por që nuk e nderojnë institucionin. Drejtuesit që dolën nga këto zgjedhje janë kolegë të vjetër dhe me kontribut, por ata duhej të mendoheshin më thellë dhe më mirë për ta lënë të hapur këtë çështje me një drejtim të përkohshëm add hoc që është e pranueshme dhe që ka ndodhur në raste të tjera.  
 
 
Vijmë tek problemi kyç që ka Akademia e Shkencave sot, tek problemi që preku kur mori detyrën edhe vetë kreu i akademisë Gudar Beqiraj, që tha se do të bashkojnë nën kupolën e Akademisë edhe Institutet e Qendrës Albanologjike. Vetë institutet nuk duken si palë partnere të këtij projekti, e shprehur kjo edhe me kundërshtimet gjatë viteve për bashkimin me Akademinë?  

 
-Ky është një problem më vete, që në qarqet albanologjike është i njohur. Në vitet 2006-2007, në të ashtuquajturën reformë të qeverisë Berisha u minuan themelet e saj, duke shkëputur institutet kryesore të Akademisë. Pikërisht këta drejtues të Qendrës Albanologjike kanë përfituar dhe përfitojnë nga të qenit edhe anëtarë të Akademisë së Shkencave. Pa dyshim këtu bëhet fjalë për privilegjet që kanë gëzuar në vite, ku segmente të së djathtës shqiptare kanë këmbëngulur duke e bërë Qendrën Albanologjike një zëdhënëse dhe shtojcë të politikave të shtrembërimit të historisë, për të cilat këto segmente të së djathtës shqiptare kanë këmbëngulur. U provua se në këto dhjetë vite se kjo e ashtuquajtur reformë ishte krejtësisht e gabuar, dështoi dhe këtë e pranojnë të gjithë, por interesat e individëve të veçantë që u vunë në krye të Qendrës së Studimeve Albanologjike, që me statusin e tyre edhe si qendër universitare patën një numër jo të vogël privilegjesh.

Kjo bëri që këta njerëz ta shikojnë Akademinë e Shkencave gjithnjë e më shumë me syrin e vjetër, duke e gjykuar atë si një institucion tashmë i dalë mode, që i takon një shoqërie të rrëzuar, siç ishte sistemi komunist, dhe vepruan në mënyrë të atillë, saqë u krijua një situatë e çuditshme, një rivalitet, jo vetëm institucional, por edhe akademik midis Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Akademisë së Shkencave. Por pikërisht këta drejtues të QSA-së kanë përfituar dhe përfitojnë edhe sot e kësaj dite ndaj të qenit edhe në Akademinë e Shkencave.

Pra, nga njëra anë e kanë hedhur poshtë dhe kanë dashur të mbeten në një situatë në të cilën ndodhet, pra që nuk ka një personalitet të fuqishëm institucional, dhe nga ana tjetër kërkojnë që Qendra e Studimeve Albanologjike të zëvendësojë Akademinë e Shkencave në fushën e studimeve albanologjike. Ky pozicion i bënë ata të kërkojnë në këtë situatë që lind nevoja për reformë, një sistem shkencor që të mbrojnë vetveten e tyre, folenë e tyre për veten, në mënyrë të padrejtë dhe jo transparente. Pikërisht këta njerëz, duke qenë mes dy karrigeve dhe qenies së tyre si anëtarë të Asamblesë së Akademisë së Shkencave përfitojnë.
 
Pra bëhet fjalë për marrje të privilegjeve?
 

-Nuk është fjala për të vënë në bankon e të akuzuarve kolegë dhe drejtues të kësaj Qendre Albanologjike, por duhet kërkuar për të kryer reformën në Akademinë e Shkencave. Qeveria Rama 1, në qershor të vitit 2014  mori një nismë për reformimin e akademisë së shkencave. Kjo nismë në atë kohë ishte për të përgëzuar, u krijua një nismë me përfaqësues nga më të shquarit të shkencave shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, që punohej për shtat muaj në mënyrë intensive.

Bëri me dhjetëra takime me Komitetin Shkencor Shqiptar, institutet shkencore, por edhe të universiteteve publike e private, konsulencë që u përsërit edhe në vitin 2016, dhe si përfundim u dorëzua në qeveri një raport që pati sugjerime, që ishte një bazë e mirë si platformë për të bërë reformën edhe në sistemin shkencor, edhe në Akademi. Për fat të keq, (dikush apo disa), asnjëherë nuk është bërë e  qartë edhe sot e kësaj dite, i vunë shkopinj nën rrota kësaj platforme dhe tashmë që qeveria ka një projekt të sajin, nuk jam i sigurt se deri ku ka shkuar për të bërë një reformë. Është një projekt që unë besoj se ka nevojë të ketë transparencë, ka nevojë të rishikohet me qëllim që të mos bëhet gabim.

Sidomos tani me debatin që u hap me Akademinë e Shkencave është domosdoshmërisht urgjente që të ngrihet një komision i ri me njerëz të përkushtuar për të bërë reformë në shkencë dhe të lejohet një debat shkencor gjithëpërfshirës për t’i dhënë njëherë e mirë zgjidhje të sistemit shkencor në Shqipëri, në këtë rast Akademisë së Shkencave. Unë jam që Akademia e Shqipërisë të ekzistoj, e kanë të gjithë vendet e botës.


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
 

15 Ndiqni Shqiptarja.comFacebook dhe në Twitter

Licenza Creative Commons
Ndalohet riprodhimi i shkrimit!
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
Intervista
Ish ushtarakët, çfarë do ndodhë me llogaritjen e pensioneve
Mirgeni, rockeri që beson tek  ​shijet muzikore të shqiptarëve
Gjinushi: I zhgėnjyer me Ramėn do mė ftojė kur t’i prishet makina
Këndi i Njoftimeve
Oferte Punesimi
Shtypi i ditës
Datë 20/10/2017, Viti VII - NR.247