Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 20:22 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport Intervista Kulturë Shëndeti VIP & Spektakel Horoskopi
Sociale
09 Tetor 2017 - 13:26 | përditesuar në 15:16
Tiranë, park i ri tek Rr. 5 Maji
për fëmijët dhe të moshuarit
Një hapësirë prej 11 mijë m2, e cila deri pak kohë më parë shërbente si vendgrumbullim për mbetjet urbane, po shndërrohet në një park të ri natyror në Tiranë, ku përveç gjelbërimit, do të ketë hapësira të posaçme çlodhëse për të gjitha grupmoshat.
 
Bashkia e Tiranës nisi punën për transformimin e kësaj zone që ndodhet midis rrugëve “Ali Beshiri” dhe “Dervish Luzha”, duke kaluar tashmë në një fazë të re, atë të ndërtimit të parqeve nëpër lagje. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi nisjen e punës dhe u shpreh se aksioni për mbjelljen e pemëve të reja do të shtrihet si brenda qytetit, ashtu edhe në periferi të tij.
 
“Sot kemi kaluar në një pjesë tjetër të qytetit, ku ka nevojë për gjelbërim. Tani që po i afrohemi stinës së dimrit dhe koha është e përshtatshme për të mbjellë, po i shtrijmë aksionet tona si brenda qytetit në zona urbane si kjo, ashtu edhe në periferi, si te Parku i Liqenit, i Farkës dhe i Kasharit. Sapo kemi pastruar një territor i cili ka qenë një lloj landfilli informal për gjithë zonën e rrugës “5 Maji”. Madje, sa herë kemi organizuar aksione pastrimi, kjo hapësirë ka qenë një nga pikat e nxehta dhe më problematike të qytetit”, tha Veliaj.
 
Sipas projektit për rikualifikimin e hapësirës, bashkia do të mbjellë qindra pemë të llojeve të ndryshme, si dhe do të vendosjë stola, kosha, ndriçim dhe module të ndryshme për të moshuarit dhe fëmijët.
 
“Kemi hequr plehrat, po bëjmë gjithë sistemimin e terrenit, ndërsa sot filluam me mbjelljen e 750 pemëve, për t’i shtuar një tjetër park qytetit. Po ta shikoni si hapësirë, do të konsiderohej një park mesatar, pra jo një park i vogël, çka na jep mundësi që të kemi jo vetëm gjelbërim, të kemi ambiente për të moshuarit, kënd lojërash për fëmijët”, theksoi kryebashkiaku.
 
Por, krahas shtimit të gjelbërimit dhe vendosjes së moduleve të ndryshme, një pjesë e territorit që do të lirohet nga mbetjet, do të shërbejë për ndërtimin e një shkolle të re moderne e pajisur me terrene sportive duke plotësuar të gjitha nevojat e komunitetit të Njësisë 8.
 
“Kjo është një zonë e Tiranës e rrethuar me ndërtime informale, por teksa po bëhet legalizimi, vazhdon urbanizimi, fillojnë zhvillimet moderne, ka ardhur koha që edhe këtu të bëjmë një shkollë të re, një nga 16 shkollat e reja, si dhe të kemi një park urban në zemër të qytetit, në këtë pjesë të konsideruar periferi, por që sot është banuar dhe vazhdon deri tek Bregu i Lumit”, tha Veliaj.
 
Kryetari i Bashkisë deklaroi se operacioni i mbjelljes së pemëve të reja do të vijojë deri në mars për t’i lënë vendin më pas aksionit masiv për Pyllin Orbital. “Do të vazhdojmë me këto operacione gjatë gjithë tetorit, nëntorit, në dhjetor e deri në mars, ndaj kush e ndien që do të bëjë diçka konkrete dhe ta kalojë pasionin e vet nga kritika dhe vendosja e gishtit tek bërja e diçkaje konkrete, mbjellja e një peme, ky është momenti ideal për ta bërë këtë. Synimi ynë është që edhe në këtë stinë të kemi 50 mbjellje të tjera përpara se të nisim në mënyrë masive me Pyllin Orbital përgjatë Unazës së pestë të qytetit të Tiranës”, u shpreh ai.
 
Në këtë kuadër, kryebashkiaku Veliaj ftoi bizneset dhe qytetarët që të kontribuojnë në shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, të cilët do të përmirësojnë cilësinë e jetës së gjithë komunitetit. Kreu i bashkisë u bëri thirrje të gjithë atyre që merren me kritika, që në vend të fjalëve, të zgjedhin të kontribuojnë realisht me diçka konkrete për qytetin.
 
“Dua të ftoj bizneset dhe të gjithë ata që kanë mundësi. 750 pemë po i mbjellim vetë këtu, por nëse ka të tjerë që duan të japin një dorë konkrete, ky është momenti për t’i ardhur në ndihmë Bashkisë së Tiranës. Unë e di që njerëzit ndahen në dy kategori: ata që bëjnë vërejtje e që duan më shumë gjelbërim dhe të tjerët që në fakt bëjnë diçka konkrete, kontribuojnë me pemë, me lule, me shkurre dekorative dhe do të doja t’i ftojë të gjithë, edhe ata që janë dashamirës të Bashkisë, edhe ata që janë kundërshtarë dhe kritikë të bashkisë. Mënyra më e mirë nuk janë fjalët me njëri-tjetrin, por duke dhënë kontribut konkret”, u shpreh Veliaj.



Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com

20 Ndiqni Shqiptarja.comFacebook dhe në Twitter

Licenza Creative Commons
Ndalohet riprodhimi i shkrimit!
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
Intervista
'Qumėshti', kreu i AFI: Qytetarėt tė mos blejnė produkte nė rrugė
Orlando: 12 tė dėnuar nė Itali nuk arrestohen nė Shqipėri
Zef Brozi:Berisha pranoi se lejoi  drogėn,duhej tė ndiqej penalisht
Këndi i Njoftimeve
Oferte Punesimi
Shtypi i ditës
Datë 17/12/2017, VITI VII- NR.298